Front i gjerë kombëtar përballë Rilindjes së lidhur me krimin

549
Ka qenë një ditë intensive e djeshmja e mbushur me takime me kryesinë dhe me dakordësitë përfundimtare para nisjes së protestës me 27 janar. Dje u organizua takim me kryetarët e LSI në rrethe ku mesazhi kryesorë i Monika Kryemadhit ishte: “Të gjithë strukturat e LSI në këmbë kundër kryeministrit të drogës dhe varfërisë!”. Në fjalën e saj Kryemadhi u shpreh se duhet të ketë një organizim rrënjësor. “Organizim kapilar i LSI-së për rezistencë pa kompromis ndaj banditizmit qeveritar. Rezistencë në të gjitha frontet në çdo familje dhe në çdo shesh. Fronti i gjerë kombëtar opozitar përballë Rilindjes së vetmuar dhe të lidhur me krimin.”, ka theksuar në fjalën e saj kryetarja e LSI-së.

Rilindja është një sekt kriminal, nuk ka lidhje me Partinë Socialiste
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi pas mbledhjes me kryesinë është përgjigjur zërave që kanë dalë, se aleatët e PD-së ishin të frikësuar nga faktorizimi i LSI-së në opozitë. Në fjalën e saj për News24 Kryemadhi u shpreh: “Rilindja është një sekt kriminal, nuk ka lidhje me Partinë Socialiste”. Kryetarja e LSI theksoi se partia që ajo drejton ka elektoratin e vet e nuk do të hyjë në listat e PD-së, duke shtuar se: “LSI ka peshën dhe mandatet e veta në elektorat. Aleatët e PD të qetësohen, se LSI ka listën e vet dhe nuk dëshiron emrin në listën e PD-së”. Kryemadhi deklaroi se nuk kërkon mandate qyl nga PD-ja dhe as thela në qeverinë imagjinare. “Rama nuk e merr dot peng opozitën!”, theksoi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Sigal