“Freedom House”: Shqipëria, vend pjesërisht i lirë

623
Organizata “Freedom House”, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar dje se parimet demokratike, siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe liria e medies, po dobësohen për të 12-tin vit me radhë. “Ka më shumë vende, në vitin 2017 shumë më shumë, që po pësojnë rënie të lirisë në vend të përmirësimit”, tha Arch Puddington, nga “Freedom House”, duke folur për “Zërin e Amerikës”. Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira. Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira. Në raportin e “Freedom House” për lirinë në botë, Shqipëria radhitet me një numër të njëjtë pikësh si vitin e kaluar. Në një sistem matjeje ku vendet me vlerësimin 7 janë jo të lira dhe ato me 1 kanë shkallën më të lartë të lirisë, niveli i lirisë në përgjithësi dhe në kategoritë e të drejtave politike dhe lirive civile në Shqipëri është 3. Në raportet e saj të përvitshme, “Freedom House” ka radhitur si probleme që kanë penguar Shqipërinë të klasifikohet si vend plotësisht i lirë, polarizimin politik, krimin dhe korrupsionin dhe lidhjet e biznesit me politikën dhe median.

Liritë në Botë, publikohen që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës “Freedom House” të ndjekë trendet globale për më shumë se 40 vjet. Ndër gjetjet kryesore të raportit, është dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, një pozicion i ndërlikuar edhe më shumë për shkak të hetimeve të vazhdueshme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Sigal