Frank SHKRELI/ Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë!

739
Sigal

(Shënim: Shkrimi i mëposhtëm*,  megjithëse, i shkruar pothuaj 30-vjet më parë dhe i transmetuar nga autori në “Zërin e Amerikës” më 28 Nëntor 1984- ashtu siç ishte traditë për çdo 28 Nëntor – duket gjithnjë aktual, pasi vet festa e 28 Nëntorit është gjithmonë aktuale dhe e përhershme dhe çuditërisht pasqyron edhe festimet e komunitetit shqiptaro-amerikan të festës kombëtare të shqiptarëve – si atëherë edhe sot – ndonëse  sot në përmasa shumë më të mëdha pasi vet komuniteti shqiptaro-amerikan ka ardhur e zgjeruar shumë në këto dy tre dekadat e fundit).

—————————————————————————————

“Në këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar, edhe shqiptarët e komuniteteve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, megjithëse, kanë kaluar dekada të tëra që prej shpërnguljes së tyre nga Atdheu, si edhe ata që kanë ardhur  kohët e fundit  në Amerikë, kujtojnë me mall, veçanërisht në këtë ditë, Atdheun, Shqipërinë, trimëritë e heronjve kombëtarë, fuqinë, guximin  dhe ndjenjat për Mëmëdheun. Siç vërtetojnë edhe këngët e vjetra të Arbëreshëve, që në kohët më të lashta, Shqipëria formonte një tërësi në mendje dhe në zemër dhe nuk ndahej në fise, siç e paraqitnin armiqtë e saj.  Këto ndjenja janë edhe më të thella në radhët e shqiptarëve të Amerikës me rastin e festës së 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Megjithëse larg, ata janë afër Atdheut, afër flamurit të Arbërit. Në Amerikën e Uashingtonit, të Xhefersonit dhe të Linkolnit, djepit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, shqiptarët anë e mbanë Shteteve të Bashkuara kujtojnë këtë ditë kaq të rëndësishme për ta, këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar, i cili për shekuj me radhë jetoi me armë në dorë dhe me dorë në armë, vetëm e vetëm për të qenë zot në truallin e vet.  Si për shqiptarët kudo, ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës, 28 Nëntori ndezë një flakë dashurie, ngjallë shpresën  dhe në jehonën e kësaj dite, secili prej tyre shpalosë kujtimet dhe sakrificat e luftëtarëve shqiptarë dhe njëkohësisht të gjithë e ndjejnë veten se bëjnë pjesë në një sofër të përbashkët kombëtare.

Në mbledhje e në konferenca politike dhe shoqërore  dhe në shërbimet fetare që mbahen sot në qendrat myslimane, ortodokse dhe katolike të komunitetit shqiptaro-amerikan, kujtohet Gjergj  Kastrioti në Lezhë, Abdyl Frashëri në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit e të tjerëve.  Në veshët e tyre, jehon sot kushtrimi i  Bajram Currit, i Ded Gjon Lulit, i Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit.

Në radhët e shqiptarëve të Amerikës, përveçse zgjon ndër ta dashurinë për Atdheun, 28 Nëntori i sjellë atyre në mend edhe përpjekjet e një ish-Presidenti të vendit të tyre të adaptuar, d.m.th, orvatjet e Uodrou Uilsonit, i cili kishte në zemër fatin  dhe interesin e kombeve të vegjël, në një kohë kur ato ishin pjesë e planeve përçarëse të fuqive të mëdha të asaj kohe. Interesimi dhe përkrahja e Presidentit amerikan Uillson për Pavarësinë e Shqipërisë, është venë në dukje shpeshherë.  Dua të përmend vetëm përvojën e një shqiptaro-amerikanit të dalluar, d.m.th. Të peshkop Fan Nolit, i cili, sipas shkrimeve dhe kujtimeve të tija, ka patur rastin të takohej personalisht me ish-Presidentin amerikan, Uillson.  Noli ka thënë se, gjatë takimit që ka patur me Uillsonin, ai i bëri atij thirrje që të shpëtonte  racën heroike shqiptare.  Gjithnjë, sipas Fan Nolit, Uillsoni iu përgjigj  atij duke thënë tekstualisht kështu: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”.

Pas veprimtarive të ndryshme të ditës, komunitete të mëdha të shqiptarëve në Amerikë, si për shembull në Nju Jork, në  Detroit, në Boston, në Çikago, në Filadelfia, në Uestër, në Los Angeles, në San Francisco dhe në qytete të tjera anë e mbanë Amerikës, shtrohen darkë dhe në përgjithësi është një natë gazmore me këngë e valle deri në orët e para të mëngjesit.  Është gjithashtu, edhe një rast që shqiptarët anë e mbanë Amerikës të takohen e të çmallen me njëri- tjetrin duke uruar Ditën e 28 Nëntorit.

Me këtë rast, seksioni i gjuhës shqipe i “Zërit të Amerikës” u uron dëgjuesve të tij, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, për shumë vjet e gëzuar Ditën  e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.”

 *Transmetuar nga VOA, 28 Nëntor, 1984