Fotot dhe procesverbalet zbulojnë vjedhjen e votave të opozitës. Balla pranon përdorimin e kartave të PD-së

697
Si u manipulua votimi në Kuvend
Çfarë ndodhi në verifikimin e prezencës në sallë dhe gjatë miratimit të Arta Markut. Si u vodhën votat e deputetëve të PD-së dhe e vërteta e procesverbalit
Votimi në Kuvend për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, duket se ka qenë i manipuluar. Deputetët e Partisë Demokratike denoncuan procesverbalin e votimit në Parlament për kryeprokuroren, ku vërtetohet falsifikimi dhe manipulimi i votës. Sipas procesverbalit, në votim kanë marrë pjesë me votë pro disa deputetë të opozitës, çka vërteton vjedhjen e votës në Kuvend. Në votimin e parë, që vërteton prezencën e deputetëve, rezulton se sipas sistemit elektronik në seancë kanë 74 deputetë, ndërsa opozita ndodhej pranë foltores. Brenda numrit prej 74 votash ndodhen edhe tre deputetë të Partisë Demokratike, si Genc Pollo, Ervin Salianji dhe Andon Frrokaj. Ndërsa në votimin tjetër, atë për zgjedhjen e kryeprokurores, kanë marrë pjesë në votim 73 deputetë dhe mes 69 votave pro rezultojnë edhe ato të Genc Pollos dhe Andon Frrokajt. Deputeti Genc Pollo e vlerësoi këtë votim të paligjshëm, si dhe publikoi edhe foton ku karta e tij e votimit merrej nga kreu i socialistëve në Kuvend, Taulant Balla. “Këta falsifikojnë edhe emrin e tyre!!! Jo më votën time!!! Votimi i PPP i paligjshëm e i pavlefshëm!!!”, tha Pollo. Gjithashtu, deputetja Jorida Tabaku tha se ky votim është një puç kushtetues dhe për më tej i pavlefshëm. “Akti i zgjedhjes së PPP (Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm), përveçse një puç kushtetues, ishte dhe një proces i falsifikuar. Të paktën në dy raste deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë kartat dhe kanë votuar, duke e zhytur akoma dhe më shumë në paligjshmëri dhe antikushtetuetshmëri këtë proces. Ky proces nisi dhe bitisi si i pavlefshëm!”, tha Tabaku. Deputeti Ervin Salianji tha se do të ketë ndjekje penale për vjedhjen e votës së deputetëve në Kuvend. Sipas tij, kjo vjedhje ka deligjitimuar Kuvendin. “Ndjekje penale për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës së deputetëve! Deputetë të maxhorancës vjedhin votën në sallën e Parlamentit; në prani të kamerave, të fotografëve dhe të çdo shqiptari që ndiqte këtë seancë. Mendoni çfarë kanë bërë me votën e qytetarëve. Mendoni çfarë kanë bërë dhe bëjnë me tenderët dhe aferat korruptive që janë në dokumente që nuk i sheh dot publiku”, tha Salianji. Për deputetin Tritan Shehu, votimi është nul dhe antikushtetues. Sipas tij, provat janë të pakundërshtueshme për tjetërsimin e votës së deputetëve në Kuvend. “Ajo që ka ndodhur në sallën e Kuvendit me kartat e deputetëve, e konfirmuar edhe në listën e votuesve për prokurorin, e nulifikon me prova të pakundërshtueshme atë proces votimi. Ky proces, që filloi si antikushtetues, u ‘asgjësua’ qartësisht edhe teknikisht nga një manipulim banal. Nuk thonë kot, kush do t’i bëjë varrin tjetrit bie vetë brenda!”, tha Shehu.

Arta Marku u propozua nga 28 deputetë të Partisë Socialiste për të qenë kryeprokurore e përkohshme, ndërsa maxhoranca zotëron 74 mandate në Kuvend, pa përfshirë mbështetjen nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Për të zëvendësuar Adriatik Llallën, në Kuvend u paraqitën 7 aplikime nga prokurorë të ndryshëm, por vetëm 3 prej tyre u vlerësua se plotësonin kriteret.

Genc Pollo: 
Këta falsifikojnë edhe emrin e tyre!!! Jo më votën time!!! Votimi i PPP i paligjshëm e i pavlefshëm!

Jorida Tabaku:
Zgjedhja e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm, përveçse një puç kushtetues, ishte dhe një proces i falsifikuar.

Ervin Salianji: 
Ndjekje penale për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës së deputetëve! Mendoni çfarë kanë bërë me votën e qytetarëve.

Tritan Shehu:
Ajo që ka ndodhur me kartat e deputetëve, e konfirmuar edhe në listën e votuesve, e nulifikon me prova atë proces.

Balla e pranon: Votuam me kartat e PD-së
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pranoi marrjen e kartave të deputetëve të Partisë Demokratike për të votuar kryeprokuroren e re. “Lidhur me akuzën se unë apo ndonjë koleg i imi paskemi votuar në vend të deputetëve të PD-së, kam vetëm një përgjigje: Pas grabitjes me dhunë të kartave të votimit të deputetëve Musa Ulqini, Ervin Bushati, Ulsi Manja dhe Ermonela Felaj nga Monika Kryemadhi, kemi qenë të detyruar të zëvendësojmë kartat me katër karta deputetësh të tjerë që nuk merrnin pjesë në votim, sa kohë që karta jep aksesin në sistemin e votimit”, u shpreh Balla.
Sigal