FOTO/ Presidenti Meta: Të fuqizojmë dhe rrisim potencialin e gjeo-turizmit, për të promovuar Shqipërinë

648
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në kuadrin e Javës Botërore të Inovacionit dhe Krijimtarisë, zgjodhi sot të vizitonte Fakultetin e Gjeologji Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, për të zhvilluar një bashkëbisedim me pedagogë e studentë të këtij Fakultetit, me fokus promovimin e burimeve natyrore të vendit, nxitjen e turizmit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit.
Presidenti Meta shprehu vlerësim për arritjet dhe kontributet e këtij Fakultetit për përgatitjen e mijëra specialistëve që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shumë veprave strategjike me rëndësi vitale për zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë bashkëbisedimit me pedagogë e studentë, Presidenti Meta shprehu keqardhje që tranzicioni i dha goditje të forta lëvrimit të disiplinave shkencore të këtij Fakulteti dhe shkencave ekzakte në tërësi.
Kreu i Shtetit theksoi se ky Fakultet meriton një vëmendje dhe mbështetje më të madhe në përmirësimin e infrastrukturës akademike, në përditësimin e kurrikulave dhe nxitjen e kërkimit shkencor në funksion të tendecave teknologjike e inovacionit, nevojave të ekonomisë, si dhe kërkesave të tregut të punës. “Në këtë kontekst duhet të nxisim më tepër brezin e ri, sidomos nxënësit ekselentë, të ndjekin studimet në këto shkenca ekzakte që iu japin atyre mundësinë, jo thjesht të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, por edhe për patur një profesion të sigurtë dhe një punë të mirëpaguar”, – tha Kreu i Shtetit.
Gjithashtu Presidenti Meta vlerësoi si shumë të rëndësishme “menaxhimin racional dhe efiçent të pasurive natyrore dhe nëntokësore, sepse ato janë të shterueshme dhe me impakt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve. Nuk duhet të harrojmë që zëri i mineraleve dhe lëndëve djegëse përbën rreth 20% të eksporteve shqiptare në varësi të dinamikës së çmimeve të tregut ndërkombëtar”, – tha Presidenti Meta.
Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti nënvizoi rëndësinë madhore që projekti i gazsjellësit TAP ka jo vetëm për gazifikimin e vendit, por edhe për fuqizimin e rolit gjeostrategjik të Shqipërisë në rajon.
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Meta vlerësoi se roli i Universiteteve, siç është rasti i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe atij Bujqësor, është vital në përgatitjen e burimeve njerëzore për fuqizimin e sektorëve më potencialë ekonomikë dhe rritjen e eksporteve të vendit.
Sigal