Foto me Obamën, PD: Rama të japë llogari, të rinisë hetimi

485
Seanca e djeshme i kishte rezervuar një pjesë të madhe edhe akuzave për lobingjet që dy partitë e mëdha bëjnë me kompani të ndryshme për të përfituar ndonjë foto me personalitete të SHBA, apo për të shkruar ndonjë artikull për vendin në media të huaja. Pasi PS akuzoi Bashën për shumën e 1 milion dollarëve të paguar një kompanie offshore, ka reaguar menjëherë, deputeti Oerd Bylykbashi. Ai i kërkoi Ramës të japë llogari për 80 mijë dollarët që i dha Bilal Shehut, vetëm për të bërë një foto me Obamën. Ndonëse Shehu ka pranuar se ka marrë paratë dhe është thënë se është dënuar, sipas Partisë demokratike, SHBA mund të rihapë sërish hetimet, pasi pas kësaj qëndron një aferë tepër e madhe. Bilal Shehu e pranoi fajësinë e tij se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA. Akuza në Amerikë iu referua në atë kohë një shtetësi të huaj, por në të gjitha mediat u tha qartë se bëhej fjalë për kryeministrin Edi Rama, ai që pagoi 80 mijë dollarë për një foto me presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Pak përpara se të bëhej kryeministër i vendit, Rama u fotografua me Obamën jashtë ambienteve të një salle ku presidenti po mbante takim me qytetarët amerikanë. Megjithatë, Kryeministria është përpjekur t’i mohojë këto akuza, duke i cilësuar si trillim mediatik.
Sigal