Forumi në “Telegraf”: Politikanët luajnë rolin e garantit për krimin, ndërsa politika ka “prangosur” policinë dhe mban peng hetimet. Flasin, avokatët Xhanari, Cakrani, Beqiri, Islami dhe Duka

669
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Politika luan rolin e garantit për krimin, prokuroria është e varur nga politikanët

Forumi tek “Telegraf”: Flasin Gerdi Xhanari, Kujtin Cakrani, Zaçe Islami, Idajet Beqiri, Agron Duka: A do të hetojë prokuroria lidhjet e politikës me krimin?

Zbulimi i laboratorit të kokainës në Has, arrestimi i disa krerëve të bandave kryesore në disa qytete të Shqipërisë, aksione policore këto të mbështetura edhe nga zbulimet e huaja policore të Gjermanisë, arrestimi i dy ish-deputetëve socialistë, për korrupsion, nxorën në dritë, se shumë politikanë dhe zyrtarë bashkëpunojnë me krimin e organizuar, ku secila palë i shërben njëra tjetrës: Bota e krimit për të “ndihmuar” politikanët në fushata elektorale për mbledhjen e votës me çdo mënyrë, dhe paskëtaj, këto shpërblehen me privilegjet që u bën pushteti njerëzve të krimit. Gazeta “Telegraf” në këtë forum shtron 3 pyetje juristëve të njohur, Xhanari, Cakrani, Beqiri, Islami si edhe ish-ministrit Agron Duka.

Pyetetjet e Forumit:

  1. A besoni se prokuroria do të hetojë lidhjet e bandave kriminale me zyrtarët dhe deputetët?
  2. A mendoni se Policia e Shtetit mban përgjegjësi për aktivitetin e Laboratorit të drogës në Has?
  3. A u hetua deri në fund laboratori i Drogës në Xibrakë për ndonjë implikim të politikanëve me trafikantët?

 

Av. Idajet Beqiri: Asnjë kriminel, politikan i inkriminuar e i korruptuar nuk do mbetet pa ndëshkim

1.- Besoj shumë te ligji. Besoj shumë te sistemi juridik që po reformojmë dhe po rindërtojmë. Besoj shumë te institucionet e akuzës dhe te pushteti gjyqësor. Fundi i marrëzisë i mbi 25 vjetëve me radhë, tashmë po duket në horizontin shqiptar. Procesi i vettingut, zbatimi i tij, është shpikja e tyre. Ata po i qëndrojnë në kokë edhe realizimit deri në fund të tij. Ata janë kudo në institucionet tona. Ata direkt dhe indirekt janë futur edhe te thelbi i Prokurorisë tonë. Për rrjedhojë, natyrshëm dhe hap pas hapi, cilido bandit kriminel që ka bërë zullume të dënueshme në këtë vend, i veshur me pushtet apo jo, fundin do ta ketë tragjik. “Hak pa marrë dhe borxh pa larë”, themi ne shqiptarët, nuk ka. Asnjë bandë kriminale, asnjë bandit kriminel, zyrtarë të lartë, të mesëm apo të vegjël, deputetë apo më lart e më poshtë, nuk do të mbes pa marrë dhe pa paguar borxhet e rënda që u kanë shqiptarëve. Unë besoj shumë në këtë gjë…

  1. Policia e Shtetit Shqiptar, fal edhe qëndrimit çekan mbi kokë të faktorëve ligj-zbatues amerikan dhe evropian, të cilët nuk duan në Shqipëri, në këtë vend pjesë delikate të Lindjes së Perëndimit të Evropës “një shtet kanceroz” dhe të falimentuar, çdo ditë e më shumë po shkon në lartësinë e detyrës. Mirë është që terrori i vendit të kontrollohet, e keqja të mos ngulet me lehtësi, si në Has, në Xibrakë apo diku tjetër, ku ngritën “folenë” e sigurt laboratorët e drogave cilësore. Syri, veshi, reflekset, ndjeshmëria e Policisë së Shtetit duhet të jenë të tilla, që ky lloj kriminaliteti dhe të tjerat më të rënda apo më të lehta, të mos kenë guximin të shfaqen në territorin shqiptar. Policia e Shtetit e zbuloi dhe e goditi Laboratorin e drogës në Has. T’i japim për këtë meritat, ta inkurajojmë për veprime edhe më të suksesshme në luftën kundër krimit dhe kriminelëve.

3- Laboratori i drogës në Xibrakë ishte pasojë e lënies së krimit dhe të kriminelëve “hazat”! Për rrjedhojë, goditjet që u bënë në Xibrakë ishin të natyrës “kuajt që u zunë me presh në dorë, do të shijnë lëmin”, siç e “shin”, në fakt. Mirëpo organet e prokurorisë dhe vet gjykatat, deri dje, por ende edhe sot, nuk e kanë frymën, përgatitjen, guximin ligjor dhe qytetar, që t’u shkojnë krimeve të tilla te organizatorët, te frymëzuesit, te mbështetësit, te ideatorët, te përfituesit e dorës së parë.

Agron Duka, kryetar i PAA: Politika luan shpesh rolin e garantit për krimin e organizuar

  1. Në gjykimin tim, inercia që ka marrë ky hetim do të prodhojë një reaksion zinxhir që do të çoj në zbulimin e të gjitha segmenteve të politikës që kanë ndërthurur veprimtarinë e tyre me përfaqësues të botës së krimit për të fituar vota dhe pushtet. Bëhet fjalë për përgjime që zgjasin me muaj, dhe ajo me të cilën po njihemi është thjeshtë maja e ajsbergut. Deri në këtë moment prokuroria e ka kryer punën e saj, por është e rëndësishme që të mos ketë trysni nga ana e mazhorancës ndaj trupit hetimor, pasi është e qartë se bashkë me kriminelët, po rrezikohen edhe eksponentë të lartë të Rilindjes.
  2. Rasti i Hasit dëshmon se jemi përballë një sofistikimi të kriminalitetit shqiptarë, i cili tashmë po fokusohet tek droga e rëndë, dhe jo më tek hashashi. Për këtë arsye asgjësimi i laboratorit të Hasit u krye me mbështetjen e agjencive ligj-zbatuese partnere, pasi këto fenomene nuk mund të luftohen vetëm nga policia jonë, puna e së cilës vështirësohet nga bashkëpunimi i kriminelëve dhe politikanëve.
  3. Është një fakt i njohur tanimë që ai operacion u dekonspirua, dhe një pjesë e mirë e grupit kriminal nuk u ndalua. Përfshirë këtu edhe ata që kishin lidhje të forta politike. Jam i bindur, se herët apo vonë do të faktohen edhe ato për dosjen e Xibrakës.

 

Av. Kujtin Cakrani Prokuroria është nën presion dhe e varur nga politika

  1. Prokuroria dhe prokurorët janë nën presion! Për faktin se, janë në filtrin e vettingut, dhe, duke qenë në këtë situatë, ata janë të varur politikisht, se të gjithë e dimë që deri sot vettingun e kanë kaluar vetëm ata prokurorë dhe gjyqtarë që kanë pasur dhe kanë lidhje politike. Në këto kushte prokurorët nuk hetojnë dhe nuk arrestojnë deputetë në detyrë, apo zyrtarë të lartë, që janë akoma në funksionet publike. Nëse organi i akuzës ka kryer disa arrestime të personave publik, ato janë kryer tani që këta nuk ushtrojnë më asnjë funksion dhe arrestimet e tyre po përdoren politikisht nga segmente të pushtetit për të treguar se shteti dhe ligji funksionon, por në fakt nuk funksionon. Kryebashkiakët e qyteteve më të mëdha, sipas raporteve ndërkombëtare, por edhe nga raportet e KLSH janë shkelësit dhe abuzuesit më të mëdhenj të ligjit dhe asnjeri prej tyre nuk ndiqet penalisht, por edhe të arrestohet. Ka shumë kryebashkiakë, që janë të lidhur me krimin e organizuar, mjafton të shohësh kush i fiton tenderët publik? Ose vjedhjet, apo abuzimet, që këta kryejnë, duke vjedhur në mënyrë të organizuar tokat shtetërore, duke privilegjuar klanet mafioze, që i kanë mbështetur në zgjedhjen e tyre.. Praktikisht, organi i akuzës nuk funksionon dot i lirë pa ndërhyrjen e politikës, ai është i kapur nga politika dhe individë me pushtet në vend.
  2. Laboratori i drogës në Has, është përgjegjësi direkt e policisë kriminale apo të antidrogës, që nuk funksionon! Në çdo operacion që ka kryer policia shqiptare në luftën kundër trafikut indiciet, emrat, apo vendndodhja e tyre ka ardhur nga partnerët ndërkombëtarë, edhe rasti i fundit në qytetin e Hasit, ishte një punë e tyre. Kjo lë të kuptosh dhe mendosh, se në policinë e Shtetit ka diçka që nuk shkon. Ose policët janë të implikuar në trafik ose trafikantët kanë mbështetje politike…? Gjithsesi, koha do t’i zbardhë këto pikëpyetje…
  3. Rasti i laboratorit të drogës në fshatin Xibrakë në vitin 2015 ishte një hetim disa vjeçar i policisë gjermane, të cilët kishin arritur, jo vetëm të identifikonin emrat e shumë trafikantëve, por edhe vendndodhjen e laboratorit të përpunimit të kokainës. Ky rast nuk u hetua, por kaloi pa shumë zhurmë, edhe për faktin e personazheve të implikuar në të. Në atë kohë u fol se policia Gjermane nga hetimet kishte identifikuar, që pjesë e këtij laboratori apo trafiku, ishin edhe personazhe të politikës apo zyrtarë të lartë. Fakti, që sot pas 3 vitesh të gjithë personat e arrestuar gjenden të lirë, vërteton këtë fakt! Por fakti tjetër, që shumë persona të tjerë të implikuar nuk u ndaluan, apo hetuan vërteton, se politika dhe strukturat e shtetit ishin në dijeni të plotë të këtij laboratori. Pra, nga sa kemi parë deri sot në Shqipëri, mafia dhe politika janë një dhe, si të tillë, bashkëpunojnë…

Av. Zaçe Islami: Politika i “ka hedhur prangat” policisë së Shtetit

Ashtu si deri më sot prokuroria me veprimet dhe mosveprimet e saj, nuk do mundet të bëjë një hetim të plotë dhe të saktë për të nxjerrë para bankës së të akuzuarve kokën e krimit në Shqipëri. Asnjë prokuror, sado i vendosur dhe i aftë që të jetë, nuk do guxojë të bëjë një veprim të tillë, pasi të gjithë e dinë si funksionon ligji i MAFIA-s. Ka jo pak raste, madje edhe të njohura nga opinioni publik shqiptar dhe perëndimor, të cilët janë zbuluar nga hetimet e kryera nga prokuroria, por asnjë herë autorët apo bashkautorët nuk shkuan para togave të zeza. Sa i përket përgjegjësisë së policisë së shtetit, lidhur me laboratorin e drogës në Has, mendoj se policisë ia “kanë lidhur duart” pikërisht deputetë e politikanë të rangjeve të ndryshme. Guxoi e foli deputeti i Kurbinit dhe k/ministri lëshoi një mal me sharje e fyerje mbi të, deri sa e përjashtoi nga grupi i tij MAFIOZ i Rilindjes KOMUNISTE në Shqipëri. Të mos harrojmë që deri më sot janë fëmijët e mbi 300 policëve të mbetur pa baba, gratë pa bashkëshortë dhe gjendja ekonomike e familjeve të tyre është shumë e rëndë. Tashmë,kur lidhjet e politikanëve me krimin janë si vëllezërit SIAMEZË. Cili është ai polic që do denoncojë krimin kur e di qartësisht se politikanët do mbrojnë kriminelët? Policia e shtetit është kthyer në një SANDUIÇ që do të thotë, se përballë ka kriminelin mbrapa ka tradhtinë, politikën. Pa diskutim që hetimet e kryera deri më sot nga prokuroria, ose kanë ngelur në mes, ose janë mbyllur fare me urdhër. Laboratori i Xibrakës nuk u zbulua nga gjermanët, absolutisht jo, ai u denoncua nga gjermanët por dihej shumë mirë nga policia e shtetit që funksiononte me kapacitet të plotë. Për mendimin tim organizatorët e atij laboratori nuk ishin këta që u kapën e dënuan, organizatorët dhe mbrojtësit e vërtetë qëndrojnë në kupolën e qeverisë dhe familjarëve të kabinetit kryeministror. Është absolutisht e pa mundur të hyjnë qindra kilogram kokainë në Durrës dhe të mos zbulohen pronarët apo destinacioni i saj. Thjesht, si në këtë rast iu vu kapak me urdhër nga kupola e MAFIES KOMUNISTE TË RILINDUR edhe këtyre krimeve. Natyrisht që falë përgjimeve të policisë së vendeve perëndimore kanë dalë në dritë emrat e politikanëve, deputetëve e ministrave, por për mendimin tim, ata janë të PA PREKSHËM, ndaj askush të mos shpresojë se do bëhet drejtësi me këta politikanë në krye të SHTETI dhe të PUSHTETIT.

Gerdi Xhanari: Krimi dhe politika janë në ortakëri

  1. Prokuroria ka për detyrë të hetojë çdo lidhje të një grupi kriminal. Lidhje që i shërben për përfitime të paligjshme. Pa dyshim një rëndësi të veçantë ka marrëdhënia e ortakërisë kriminale të botës së krimit me politikën. Është një marrëdhënie, e cila ndikon shumë në jetën politike sociale dhe shoqërore të një vendi. Një politikë, e cila ka ndërhyrë në emërimet e kupolës së Prokurorisë, absolutisht do jetë imune nga hetimet.
  2. Përgjegjësia kryesore është e Policisë së Shtetit, e cila e ka për detyrë goditjen e aktiviteteve kriminale. Mefshtësia e saj tregon, ose paaftësi. ose lidhje direkt me botën e krimit.
  3. Xibraka është një nga dështimet me spektakolare të policisë së Saimir Tahirit. Një dështim i tillë të çon në mendje vetëm te dekonspirimi i informacionit të partnerëve tanë nga segmente të caktuara të policisë nën kontrollin e bandave kriminale dhe politikanëve të lidhur me ato. Prandaj, shpreh bindjen se hetimet për rastin Xibraka ishin shumë të cunguara, duke shprehur qartë lidhjen direkt të politikës qeverisëse me botën e krimit.