Forumi në “Telegraf”/ Fenomeni “Gruevski”, flasin Bello, Ndoka, Galdini dhe Cakrani: Ekzekutivi e ka kthyer në shërbëtor legjislativin. Nuk ka reforma në drejtësi, pa dënuar zyrtarët e korruptuar

646
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nuk ka reformë në drejtësi, pa dënuar zyrtarët e lartë të korruptuar

Forumi në Telegraf/ Fenomeni “Gruevski”: A do të fillojë edhe në Shqipëri të dënohen zyrtarët e lartë të korruptuar? Flasin Bello, Ndoka, Galdini, Cakrani

Kryeministri Rama para qershorit 2018, kur BE-ja ende nuk e kishte marrë vendimin për hapjen e negociatave, deklaroi se reforma në drejtësi është funksionale, derisa procesi i vettingut ka filluar dhe po zbon nga sistemi i drejtësisë (disa) gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Ndërkohë, që edhe deri sot nuk është hetuar dhe gjykuar asnjë zyrtar i lartë për korrupsion, domethënë ministër, ish-ministër, kryeministër, ish-kryeministër, deputet, ish-deputet apo drejtor i përgjithshëm, edhe pse Shqipëria ka shkallën më të larë të korrupsionit. Jo vetëm kaq, por, edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vite nga afatet kushtetuese për ndërtimin e SPKA, BKH, ende edhe sot këto institucione të drejtësisë që do hetojnë dhe gjykojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë nuk janë ngritur. Mosngritja e SPKA dhe BKH, natyrisht i shërben vetëm interesave të qeverisë, pasi nuk hetohen korrupsionet e zyrtarëve të saj të lartë. Ndërkohë, që në Maqedoni, gjykatat dënuan ish-kryeministrin Gruevski, më parë edhe në Rumani, në Kroaci janë dënuar për korrupsion ish-kryeministrat. Gazeta “Telegraf”, në forumin e saj mori prononcimet e Marko Bellos, ish-ministër, të deputetit Nard Ndoka, të Kryetarit të Partia për Liri, Demokraci, Arian Galdini dhe avokatit Kujtim Cakrani për 2 çështje:

  1. A mendoni se precedenti “Gruevski”, hetimi i çdo zyrtari të Lartë të korruptuar do të fillojë edhe në Shqipëri, pavarësisht nga kahu dhe roli i tij politik?
  2. Media gjermane shkroi që rastin”Gruevski” duhet të fillojë edhe në Shqipëri. A mendoni se ky është thjesht opinion i medias apo edhe politikës ë qeverisë gjermane dhe e BE-së, si kërkesë ndaj Shqipërisë?

Flasin për “Telegraf”

Pushteti ekzekutiv e ka kthyer në shërbëtor të tij pushtetin legjislativ, ka vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë

 

Marko Bello, ish-ministër

Rasti “Gruevski” njëlloj si “Nastase” në Rumani, apo “Sanader” në Kroaci tregojnë se liderët që kërkojnë të kontrollojnë gjithçka, në fund i humbin të gjitha. Karakteristikë e qeverisjes së Nikolla Gruevskit ishte autoritarizmi, korrupsioni, dëshira për të komanduar e kontrolluar gjithçka në vend. Në Shqipëri është edhe më e rëndë situata. Këtu, pushteti ekzekutiv e ka kthyer në shërbëtor të tij pushtetin legjislativ, ka vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë dhe ka zhvlerësuar pushtetin e katërt, të cilin, pasi e ka kompromentuar në pjesën më të madhe, ua hedh turmave ta shkelin me këmbë përfundimisht. Situata duket pesimiste dhe pa rrugëdalje, por pikërisht atëherë fillon rrokopujë dhe, herët a vonë, sistemi ka për t’i “vrarë” pa mëshirë ata që tentuan ta përçudnonin. Ndaj dhe pasojat që do të vuajnë ‘gruevskët’ shqiptarë do të jenë të tmerrshme.

Arrestimi i zyrtarëve të lartë të korruptuar është kërkesë e realitetit politik shqiptar

Nard Ndoka, deputet

Hetimi për çdo zyrtar të lartë do të jetë i pashmangshëm. Rasti “Gruevski” është i ngarkuar politikisht, por një drejtësi e pavarur është domosdoshmëri për çdo vend. Për fatin e keq drejtësia nuk është funksionale dhe e pavarur, por nën ndikimin politik. Standardet në drejtësi, pavarësia, forcimi i institucioneve, mënyra e zgjedhjes, konsensusi dhe mbështetja e tyre. Rasti ynë; me Prokuror të Përkohshëm, pa Gjykatë Kushtetuese, pa konsensus politik, është tendencë për kapje të shtetit dhe aventurë e rrezikshme politike. Arrestimi i zyrtarëve të lartë të korruptuar është kërkesë e realitetit politik shqiptar, janë treguesit, raportet, informacionet, faktet që kjo qeveri është ndër më të korruptuarat në Rajon. Hetimi duhet të vijojë për çdo zyrtar, që ka abuzuar me fondet publike dhe është përfshirë në korrupsion në mënyra të ndryshme. Interferimi i “Rilindjes” në drejtësi, po zbeh çdo shpresë të shqiptarëve për drejtësi. Deri tashti kemi pasur vetëm “gjueti shtrigash” brenda llojit dhe ndaj kundërshtarëve politikë. Unë besoj se edhe në Shqipëri do arrestohen zyrtarët e lartë të korruptuar. Është proces i pashmangshëm.

Politikanët tanë janë bashkë, në paqe e konflikte të dakordësuara

Arian Galdini

Me kapuç në kokë e me pranga në duar si Milosheviçi. Kështu kemi për t’i parë ata që na kanë sunduar e plaçkitur në këto 27 – 28 vite. Nuk janë thjesht hajdutë, batakçinj e plaçkabërës. Këta janë tradhtarë të çdo aspirate të shqiptarëve për demokraci, liri, zhvillim, europianizim dhe bashkim. Janë bërë stigma jonë e turpit. A e mbani mend, a e vëreni edhe sot ditën për diell, se si një pakicë e skajshme shqiptarësh emigrantë që bëjnë grabitje, krime e gjithëfarësoj ligësie në Greqi, Itali, Gjermani apo Britaninë e Madhe na kanë shenjuar të gjithëve ne shqiptarëve në mediat e këtyre vendeve: Një komb keqbërësish dhe mafiozësh. Ky stereotip na është shndërruar pothuajse si një faqe e dytë e pasaportës sonë. Aq më keq ndikojnë në ngulitjen e këtij stereotipi, ky Grusht i Fëlliqur Udhëheqësish që na kanë sunduar e plaçkitur në këto 27 – 28 vite. Kanë bërë pasuri të paimagjinueshme në një Shqipëri, ku qytetarët jetojnë mes mbijetesës në vend dhe braktisjes së tij, krejt të zhytur në varfëri të thellë dhe mungesë shprese pothuajse si në Darfur, a Sierra Leone. Nëpërmjet një konsensusi negativ, këta janë bërë-Çifligarët e Shqipërisë dhe bien dakord kush do të jetë Mbreti, pra Kryeministri, mjafton që ky të mos ua cenojë të mirat që kanë grabitur. Kur Mbreti, pra Kryeministri u del jashtë kornizave të ujdisë, këta të tjerët i sulen si të tërbuar me kërcënime Cromwelliane. Edhe vetë kryeministri, kur i ka punët keq brenda Çifligut të tij dhe me Perëndimin, zgjedh strategjinë e konfliktit të zjarrtë me Opozitën dhe Shoqërinë. Për shembull, kryeministri sapo ka hyrë në fazën e re të krijimit të çështjeve ndarëse, si pro dhe kundër Teatrit, pro dhe kundër banorëve të Astirit, pro dhe kundër Shqiponjës etj., etj., sepse ai e do po aq sa pala tjetër Konfliktin. Ai do që, duke i ndarë palët dhe ushtritë e militantëve, ose të mposhtë e poshtërojë Opozitën dhe Shoqërinë shqiptare, ose të lëvizë në kohë apo  mos të negociojë për tjetërsim të agjendës që kanë Perëndimorët me Reformën në Drejtësi. Kryeministri ynë ka zgjedhur të jetë lider i vendimeve ndarëse, për të na sunduar më lehtë. Ai nuk di të jetë lider i vendimeve guximtare, që ndajnë epoka. Gjithçka do ai, është të ndajë kampe. Me pak fjalë, është një lider meskin, që adhuron veten e pushtetin dhe nënçmon gjithë sa ka përreth, përballë e poshtë vetes. Ky lloj lideri mund të jetë ndarës kampesh, por nuk ndahet dot nga Ujdia e Konsensusit Negativ të Kopesë së Udhëheqësive tona politike. Ndaj, edhe dyshoj fort se këta janë bashkë në paqe e konflikte të dakordësuara. Këtë dyshimin tim ua them pa pushim e me këmbëngulje edhe partnerëve politikë perëndimorë me të cilët unë takohem, shkëmbej ide e bashkëpunoj. Të thëna të gjitha këto shpreh edhe njëherë bindjen time se Gruevski iku por nuk do t’i shpëtojë dot prangave. Njësoj edhe këta plaçkitësit e sundimtarët tanë postkomunistë. Jam i sigurt se Perëndimi ka bërë një mrekulli me Reformën në Drejtësi. Ne shqiptarët nuk duhet as të dekurajohemi dhe as ta humbasim shpresën tek Reforma në Drejtësi, për shkak të rezistencës së dëshpëruar që bëjnë udhëheqësitë tona politike të majta e të djathta. Të kemi besim se SHBA dhe BE janë tejet të vendosur për ta çuar deri në fund mrekullinë e Reformës në Drejtësi. Gjermania pa diskutim po luan një rol kyç dhe thelbësor në realizimin dhe rezultatet e Reformës në Drejtësi. Nuk ka më kthim mbrapa. Kush i ka bërë keq Shqipërisë dhe shqiptarëve duke shkelur ligjet e abuzuar me pushtetet dhe besimin e shqiptarëve do përfundojë, pa asnjë mëdyshje, para drejtësisë. Unë besoj.

Prokuroria dhe gjykatat janë kthyer në vegla të politikës

Av. Kujtim Cakrani

Tashmë të gjithë e dinë se korrupsioni i zyrtarëve të niveleve të larta në Shqipëri nuk është vetëm një problem kombëtar, por ai po shqetëson edhe liderët e BE dhe Departamentit të Shtetit. Me ndryshimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe zëvendësimin me një Prokurore, e cila pati “Bekimin” e ish-ambasadorit Amerikan dhe asaj të BE, dhe por edhe me fillimin e VETTINGUT, opinion krijoj bindjen se gjërat po fillojnë të lëvizin. Në pamjen e parë ashtu duket, por nuk po shohim që organi i akuzës nuk e ka si qëllim ndjekjen dhe hetimin e politikanëve dhe ish-politikanëve, të cilët përfliten për korrupsion, apo shpërdorim të detyrës. Nëse do t’i referohemi rastit “Gruevski”, të ish-kryeministrit Maqedonisë, duhet të kemi parasysh se janë dy gjëra të ndryshme, faktin se: Në Maqedoni gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë kaq të korruptuar, sa në Shqipëri! Atje Prokurorët nuk janë të kapur nga bandat kriminale dhe politika! Atje prokurorët nuk shfrytëzohen nga politika për të bërë qoka të njërit krah kundër krahut tjetër… Në Shqipëri kemi raste të personazheve të politikës, që janë nën hetim por, politika bën presion prokurorisë në forma të ndryshme, me qëllim pushimin e çështjeve, gjithashtu edhe gjykatat janë kthyer në vegla të politikës, pasi kjo e fundit i kërcënon ata me anë të të ashtuquajturit VETTING. Mediat Gjermane, por jo vetëm e vazhdimisht, kanë shkruar, duke përcjellë mendimin e politikës Gjermane lidhur me korrupsionin e niveleve të larta në Shqipëri, që në fakt është bërë pengesa kryesore për integrimin e vendit tonë në BE. Nëse në Maqedoni funksionoi. apo u dëgjua apeli i ndërkombëtarëve se, pa reforma dhe pa luftuar korrupsionin e niveleve të larta nuk ka integrim! Dhe autoritetet ligj-zbatuese filluan të lëvizin. duke marrë si të pandehur ish-kryeministrin Gruevski dhe nga ku më pas gjykatat e shpallën atë fajtor, në Shqipëri apeli i ndërkombëtarëve ka rënë dhe vazhdon të bjerë në vesh të shurdhër. Në Shqipëri politikanët mbrojnë njëri tjetrin! Ata nuk lëshojnë, kur bëhet fjalë për kolegët e partisë apo të krahut të tyre politik. Edhe pse kohët e fundit ka pasur disa arrestime të bujshme të ish-drejtuesve të lartë, që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me korrupsionin qeveritar! Këto nuk mund ta justifikojnë dot pritshmërinë e Brukselit. Mediat evropiane janë të sakta në publikimin e të dhënave për korrupsionin në Shqipëri, natyrisht ato përcjellin shqetësimin, jo vetëm të Brukselit, por edhe qeverive të tyre. Mediat evropiane kanë mbështetur dhe mbështesin dhe inkurajojnë qeverinë shqiptare si për luftën ndaj korrupsionit ashtu edhe për të gjitha politikat që ajo duhet të ndjek për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Fakti që kritikat bien në vesh të shurdhër dhe politika vendimmarrëse në Shqipëri nuk reagon duke mos lexuar si duhet shqetësimin e Brukselit, pasi asaj nuk i intereson të luftojë korrupsionin!