Forumi i gruas në “Telegraf”, flasin Klajda Gjosha, Brunilda Laboviti, Aelita Mani: Qeveria nuk i kap “peshqit e mëdhenj”

961
Klaudia MALAJ
Qeveria nuk i kap “peshqit e mëdhenj” se është e përlyer kokë e këmbë
Forum/ Java e nxehtë politike, komentohet nga Deputetja e LSI Klajda Gjosha, nënkryetarja e Partisë Republikane Brunilda Labovit dhe Kryetarja e Forumit të Gruas Aelita Mani
Java politike në vend duket e tensionuar, jo për vetë faktin e ndalimit të fjalës së deputetëve të opozitës në foltoren e kuvendit, por edhe për shkak të një gjesti nga deputeti Ervin Salianji nga radhët e Partisë Demokratike. 
Siç ishte kërkuar edhe nga ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, që janari do të ishte muaji i kapjes së “peshqve të mëdhenj”, deputeti Salianji kishte sjellë një peshk duke treguar kështu se peshqit nuk janë kapur ende dhe janë të lirë. Një simbol i cili mori vëmendje mediatike. 
Klajda Gjosha, deputete dhe kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim
Transparencë për çështjen e marrëveshjes me Shqipërisë dhe Greqisë 
Si do ta komentonit situatën e krijuar në parlament të enjten e shkuar, ku për herë e më shumë i prihet fjala e lirë opozitës? 
Për fat të keq Parlamenti i Shqipërisë nga tempulli i demokracisë dhe i sovranit po kthehet në tempullin e diktaturës, ku cenohet çdo të enjte liria e fjalës. Askush nga ne nuk mund ta lejojë kurrë këtë! Reagimi i djeshëm është një akt refuzues ndaj realitetit të shëmtuar që ka servirur kjo qeveri.

Brunilda Laboviti, Nënkryetare e Partisë Republikane
Nuk mund t’i nënshtrohemi më pushtetit të mafias
Të enjten, sigurisht që nuk ishte seancë aspak e qetë. Sepse kishte në përmbajtje të saj një nga çështjet më të diskutuara, ekstradimi i financierit të grupit më të përfolur Habilaj! E gjitha si procedurë ishte e tipit mafioz. Për më tepër që u shoqërua me përjashtimin e një deputeti të PD. Veprim ky i papërshtatshëm që dha mesazhin e qartë ku qëllimi është t’i mbyllet goja opozitës për shkeljet antikushtetuese. 
Aelita Mani Kryetare e Forumit të Gruas te Partia Agrare Ambientaliste

Mazhoranca dhe ministrat bëjnë shfaqje për të tërhequr vëmendjen nga çështjet madhore
Kemi të bëjmë me një situatë anormale në parlamentin tonë, një model shumë i keq dhe i shëmtuar për gjithë shqiptarët kur shohin që mohohet fjala e lirë në institucionin më të lartë të shprehjes dhe ligjit. Është cinike që në një kohë kur tronditemi përditë nga krimi dhe korrupsioni, mazhoranca dhe ministrat bëjnë shfaqjen e radhës për të tërhequr vëmendjen nga çështjet madhore për vendin dhe popullin. 
Edhe pse u kërkua që brenda janarit do kapen peshqit e mëdhenj, simbolikisht një peshk ishte në duart e deputetit Ervin Salianji. Si do ta komentonit një veprim të menduar që më parë? 
Klajda Gjosha: Mendoj që ai peshk ishte vërtet një simbol i asaj çka është përfolur për një kohë të gjatë nga politika e brendshme, por edhe nga ndërkombëtarët. Me kapjen e drejtësisë nga qeveria kam frikë se i është dhënë një goditje e fortë besimit që qytetarët kishin të reforma në drejtësi. Do ta komentoja se tashmë, edhe ata që mund të quhen peshq po ekstradohen me shpejtësi për të mos lejuar hetimet e më të mëdhenjve!

Brunilda Laboviti: Nuk di të them nëse ishte i menduar më parë, por mund ta komentoj si shumë të gjetur dhe simbolika e këtij gjesti, jepte një mesazh shumë të qartë për shqiptarët, të cilët ishin përgatitur kohë më parë, që janari do të ishte muaji i arrestimeve për peshqit e mëdhenj! Po mesa duket do të duhet të presim një deklaratë tjetër për peshkaqenë dhe jo më në janar, duke qenë se janari iku dhe askush nuk ra në rrjetë. 
Aelita Mani: Jo vetëm që drejtësia e rilindjes nuk po bë çka u premtua, por të gjitha çfarë shohim dhe përjetojmë; ngjarjet e ARMO-s, vrasjet e përditshme të tipit mafioz dhe kontrabanda dëshmojnë, se shteti s’funksionon, ndaj mazhoranca përpiqet të transferojë vëmendjen nga thelbi i çështjeve me situata të stisura. Veprimi i Salianjit është një metaforë e goditur që dëshmon, se qeveria nuk kap dot, as peshq të mëdhenj e as cironka. Se është e kapur vetë nga krimi dhe e përlyer këmbë e kokë nga korrupsioni. 
Debate të shumta hapi edhe çështja e detit ku duket se politika ka ndarë në dy grupe historianët edhe njerëzit e specializuar sipas ngjyrimeve partiake. Disa thonë u arrit një marrëveshje e favorshme dhe e drejtë dhe disa jo. Ju si e gjykoni? 
Klajda Gjosha: Për mua më i rëndësishëm është procesi i drejtë dhe transparenca. Të dyja këto kanë munguar, e për pasojë edhe besimi për një marrëveshje të suksesshme është thyer.
Brunilda Laboviti: Unë e gjykoj si një ngjarje për të tërhequr vëmendjen nga ngjarje më të rëndësishme dhe si një taktikë që është e përsëritur disa herë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë mendoj se do të ishte një vetëvrasje e kësaj qeverisje! 
Aelita Mani: Mendoj se çështja shumë e diskutuar e detit është çështje mbarëkombëtare. Mungesa e theksuar e transparencës nga ana e qeverisë do që të na vërë para fakteve që flasin kundër interesave kombëtare dhe ekonomike të vendit tonë. Kështu s’mund të funksionojë. Përderisa Italia dhe Turqia nuk ia kanë njohur Greqisë këto 12 milje, përse qeveria jonë ia jep?! Për më tepër kur distanca midis brigjeve të Korfuzit dhe Sarandës janë me pak se 2 milje, mbetet t’u japim, edhe tokat, edhe brigjet tona?!
Sigal