Forumi i biznesit të BERZH-it/ Erion Veliaj: Në mandatin e dytë, transformojmë transportin publik në elektrik. Ja si rikuperuam financat

82

Kryetari i Bashkisë së Tiranës merr pjesë në Forumin e Biznesit të BERZH-it në Sarajevë

 

Veliaj: “Në mandatin e dytë transformojmë transportin publik në elektrik; rikuperuam financat publike që i gjetëm të falimentuara”

 

Në katër vitet e ardhshme, Tirana do të transformojë tërësisht transportin e saj publik, nga mjete që punojnë me lëndë djegëse dhe që ndotin mjedisin, në një flotë tërësisht elektrike e miqësore me natyrën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në takimin me temë “Green Cities = Improved Lives”, pjesë e Forumit të Biznesit të BERZH-it për vitin 2019 që mbajti punimet në Sarajevë, në të cilin theksoi se Tirana gjithnjë e më shumë po i kushton rëndësi politikave mjedisore. Ai renditi disa nga nismat që kanë sjellë një përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit, që nga mbjellja e pemëve, shtimi i hapësirave pedonale, këndeve shlodhëse, korsitë e biçikletave apo ditët pa makina.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë bashkëpunimin me BERZH-in me një sërë projektesh të tjera që nxisin përdorimin e mjeteve ekologjike të transportit dhe një qytet të gjelbër. “Ambicia jonë është që në mandatin e dytë, pjesën më të madhe të financimeve të BERZH, t’i fokusojmë në atë që quhet “Programi i Qyteteve të gjelbra”, ku duam t’i japim fokus shumë të madh transportit elektrik. Kemi ecur shumë mirë me biçikletat, me taksitë elektrike; tani është radha e autobusëve dhe duam të financohet ky program”, tha Veliaj.

Ai veçoi gjithashtu projektin e Pyllit Orbital që do t’i japë Tiranës një pajë të gjelbër me 2 milion pemë. “Projekti tjetër që ndoshta është një ndër projektet më afër zemrës sonë, si Bashki e Tiranës, është ai i Pyllit Orbital. Pra, në dy vite kemi thyer rekordin e mbi 100 mijë pemëve, por që të kapim atë që është ambicia jonë e 2 milionë pemëve, sigurisht na duhet pak ndihmë financiare. Po përgatitemi që në mandatin e dytë, të aksesojmë financat ndërkombëtare, kryesisht për këto dy projekte, çështjet e gjelbërimit dhe të transportit elektrik dhe të transportit të pastër”, bëri të ditur Veliaj.

Ai theksoi se falë përmirësimit të performancës financiare të Bashkisë së Tiranës dhe ndërmarrjes së UKT-së, Tirana është një nga qytetet e pakta që sot siguron një mbështetje financiare nga BERZH, pa pasur garancinë e qeverisjes qendrore. “Jam sot krenar jo vetëm për çka kemi arritur si Bashki, por çka kemi arritur si qytet. Fakti që BERZH sot na cilëson si një ndër qytetet më të suksesshme, që jo vetëm kemi rikuperuar financat publike që i gjetëm të falimentuara katër vite më parë, por jemi ndoshta e vetmja bashki në rajon, që financohemi direkt, pa garanci sovrane, nga institucionet bankare të huaja; është vërtet një moment që na bën të jemi shumë mirë, por e mira s’ka fund”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj shtoi se me mbështetjen financiare të BERZH-it, Tirana ka nisur një nga investimet më të rëndësishme të dekadave të fundit, që ka të bëjë me shtrirjen e një linje të dedikuar ujësjellësi për të gjitha lagjet periferike të zonës së Unazës së Re dhe Kasharit, si dhe zgjerimin e kapacitetit filtrues të Bovillës. “Kemi filluar me BERZH-in financimin e dy projekteve kryesore për zgjerimin e impiantit filtrues të Bovillës dhe një linjë e dedikuar nga Bovilla direkt për zonën e Astirit, Kasharit, Mzezit, Misto Mames dhe Kombinatit”, përfundoi Veliaj.