Forumi Civil: Reforma në drejtësi jo pa ndryshimin e Kushtetutës

428
Sigal

Forumi Civil i kryesuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu por edhe përfaqësues të majtë dhe të djathtë të politikës aktive kanë pohuar nevojën për të bërë ndryshime në Kushtetutë. Në vigjilje të reformës në drejtësi, nevoja për të kryer ndryshime legjilative, përfshi këtu edhe dokumentin themeltar të shtetit mesa duket bëhet një kusht i domosdoshëm.

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se Kushtetuta, e krijuar në vitin ‘98 tashmë nuk garanton zgjidhje për problemet e sotme. Shehi theksoi se mandati i deputetit duhet kufizuar me Kushtetutë. 

“Unë gjykojë që ka ardhur dita ta ndryshojmë Kushtetutën, jo t’a rrënojmë, t’a korrigjojmë. Ka ardhur dita ta ndryshojmë. Duhet të vemë kufizime mandatesh, shqiptari po e kapi karrigen nuk e lëzhon më, ky është një realitet i hidhur i kësaj shoqërie”, deklaroi Shehi.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, duke qenë pro ndryshimeve në Kushtetutë theksoi se kjo e fundit nuk është një pamfletë, ku çdokush mund të ulet dhe ta shkruajë.

“Ne duhet të bëjmë ndryshime por unë i takoj atij qëndrimi që ndryshimet duhet të jenë radikale. Kushtetuta nuk është pamflet, çdo koment serioz dhe nuk duhet të ndryshojë për 20 vjet, nuk bëhet as më revolucione, madje nuk bëhet as nga njerëz do si do nga rruga, por bëhet nga specialistët më të mire”, deklaroi Braho.

Ish-presidenti Moisiu përmes një projekt- rezolute ngriti në vëmendje nevojën për ndryshimet kushtetuese përsa i përket forcimit të balancës së pushteteve, përfshi këtu rishikimin e figurës së Presidentit, Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë por edhe shfuqizimin e amendimit kushtetues të viti 2008.

“Dëshiroj ta përsëris mendimin e se pa ndërhyrë në Kushtetutë është e vështirë të bëhen reforma serioze si në drejtësi ashtu dhe në drejtime të tjera”, theksoi Moisiu.