Forumi Civil: “Më e rëndësishme është të fitojë Shqipëria dhe populli”

485
Sigal

Në një deklaratë për shtyp, Forumi Civil, duke analizuar fushatën zgjedhore si të suksesshme deri tani, bën thirrje partive të njohin rezultatin, militantëve dhe gjithë njerëzve që të tregohen të përmbajtur, në mënyrë të tillë, që nga zgjedhjet të fitojë Shqipëria dhe gjithë populli. “Zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit janë një test i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe aspiratat e saj drejt aderimit në Bashkimin Evropian.  Gjatë procesit zgjedhor mbizotëroi një frymë e mirë elektorale. Procesi i votimit u zhvillua në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrje aktive të qytetarëve, çka tregoi pjekurinë e qytetarëve shqiptarë dhe një pjesëmarrje të gjerë të tyre. Veçojmë rastin e dhunës në Laç, çka çoi në vdekjen e një mbështetësi të një partie. Forumi i shpreh ngushëllimet e tij familjes të ndjerit  dhe uron shërim të shpejtë të plagosurve të tjerë të përfshirë në këtë incident.  “Forumi Civil 2010”  iu drejtohet drejtuesve të dy koalicioneve kryesore, militantëve dhe përkrahësve të tyre që të jenë të përmbajtur, për të mos provokuar incidente të mëtejshme, të jenë të qetë dhe të kujdesshëm që të shmangen shkelje të ligjit në qendrat e numërimit dhe administrimit të votave të qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu, ju drejtohemi gjithë qytetarëve, që të kryejnë detyrën e tyre si nënshtetas, duke bërë veprime të matura që i hapin rrugë perspektivës së vendit. Sot më shumë se kurrë është e rëndësishme të tregojmë, se e kuptojmë që më shumë rëndësi ka të sillemi si qytetarë europianë sesa të nxitim artificialisht fitoren e njërit apo tjetrit subjekt politik, apo kandidati të tyre në qarqe të veçante të vendit. Për ne, shumë e rëndësishme është të fitojë Shqipëria, të fitojë gjithë populli i saj. Presim që humbësit të njohin rezultatet e votimit sa më parë. Nxisim strukturat përkatëse që të përshpejtojnë procedurat ligjore për të krijuar mundësi që organet qeveritare të fillojnë punën e tyre sa më parë. “Forumi Civil 2010” shpreh mirënjohjen e tij për median, strukturat e shoqërisë civile, si edhe vëzhguesit ndërkombëtarë e vendorë, për një angazhim në ndjekjen e çështjeve dhe bërjen transparente të fushatës zgjedhore në tërësi, duke ofruar një pasqyrim të gjerë të zgjedhjeve në programe të llojeve të ndryshme.”