Forumi Civil 2010 mbështet Raportin Parazgjedhor të OSBE/ODIHR

487
Sigal

Forumi Civil 2010 mbështet Raportin Parazgjedhor të OSBE/ODIHR, publikuar pak ditë më parë, ku shumë çështje të trajtuara në të “me frymë dhe tone kritike”, realisht kanë qenë të pranishme për disa muaj rresht. Formatimi ligjor i KQZ mbetet ende i cunguar dhe disa vendime të tij nuk miratohen me shumicën e parashikuar nga Kodi Zgjedhor, duke shkaktuar veprime të kundërligjshme dhe humbje të besimit jo vetëm të subjekteve elektorale, por edhe të masës së gjerë të zgjedhësve në veprimtarinë e institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve.

Anëtarët e Forumit Civil 2010 vërejnë se: njerëzit e thjeshtë të këtij vendi ndjehen të lodhur nga propaganda e shfrenuar e partive politike dhe nga premtimet e pambajtura të tyre; janë të ndërgjegjshëm, gjithashtu, se kushtet e vështira ekonomike dhe të diskriminimit në vazhdimësi që përjetojnë një masë e madhe njerëzish apo shtresa në nevojë, nxisin indiferentizmin për të verifikuar individualisht listat e zgjedhësve dhe për të marrë pjesë gjerësisht në votime.  Pra, Forumi Civil 2010 vlerëson njëzëri se, në kushtet ku ndodhemi dhe për të kapërcyer periudhën e gjatë tranzitive të deritanishme, zgjedhjet e 23 Qershorit vetëm me pjesëmarrje masive të qytetarëve, si bartës së votës së tyre vetjake, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë, mund të përbëjnë një shans të vyer për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë, duke hedhur sa më parë bazat e shëndosha të integrimit të plotë të Shqipërisë në familjen e emancipuar europiane.

Prandaj, Forumi Civil 2010 u bën thirrje:

– të gjithë zgjedhësve shqiptarë, që pas një jave t’u drejtohen pa ngurim qendrave të votimit ku janë të regjistruar, duke mos rënë pre e presioneve politike dhe as e premtimeve spekulative, por të hedhin votën e tyre për atë subjekt, që vetëdija u siguron se do të përmbushë sa më parë aspiratat e çdo individi dhe të gjithë shoqërisë shqiptare;

– udhëheqësve të dy koalicioneve garuese në zgjedhje që t’u kërkojnë me forcë militantëve e përkrahësve të tyre përkatës që të mos shkaktojnë incidente dhe bllokime të votimit apo numërimit të votave, si dhe të dënohet çdo deklaratë e bërë nga kandidatët për deputet që nxit dhunë e përçarje fetare, kombëtare apo diskriminim për çfarëdo lloj arsye;

– komisionerëve zgjedhorë  të të gjitha niveleve  (nga KQZ deri te KQV-të) që t’i përmbahen në mënyrë strikte Kodit Zgjedhor në administrimin e votimit. Çdo kontradiktë apo parregullsi të zgjidhet në rrugë ligjore, duke angazhuar organet kompetente në ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë publike.

Forumi Civil 2010

Tiranë, 17 Qershor 2013