Forum/ Flasin gratë e opozitës, Klajda Gjosha, Dr.Ina Zhupa, Aelita Mani dhe Brunilda Laboviti për 27 janarin

544
Klaudia Malaj 

Protesta e 27 janarit, protestë për mundësitë e munguara
Forum/ Problemet e grave, dhuna, ekzekutimi dhe protesta e 27 Janarit. Flasin Klajda Gjosha, Ina Zhupa, Aelita Mani dhe Brunilda Laboviti 
Deputetja Klajda Gjosha, kryetare e Forumit të Gruas tek LSI: Në 2017-ën u mbyllën 13.000 biznese, mijëra vetë humbën vendin e punës
Nga show mediatik i qeverisjes Rama kemi parë që femra ka qenë një nga viktimat kryesore të Rilindjes. Përmendim këtu edhe rastin e mungesës se ilaçeve nëpër spitale. Si do ta komentonit?
Rasti i ilaçeve është realisht i paprecedent dhe që nuk prek vetëm gratë, por të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë të marrin mjekimin. Në fund të fundit të gjithë paguajnë sigurimet dhe taksat që të kenë mundësi shërbimi më të mirë. Sot çdo shërbim ndaj qytetarëve ka degraduar duke ulur ndjeshëm standardet dhe cilësinë e jetës në Shqipëri.
Ina Zhupa, Zëdhënëse e Partisë demokratike: Politika e Ramës la pa punë 50% të femrave
“Kemi një kryeministër që në realitet i përçmon dhe i fyen gratë e vajzat. Sa herë del në ekrane, ai bën show, mashtron dhe kërcënon, sepse ai pyet vetëm për klanet e tij në pushtet dhe jo për familjet e varfra që mbijetojnë me vështirësi nga faturat e dritave, ujit dhe papunësia që rritet. Sot bëhet fjalë për mbi 50% të grave dhe vajzave në çdo qytet e fshat të papunësuara. Rasti i mësueses me kancer është vetëm një pikë në oqeanin e vuajtjeve të femrave, sidomos në sektorin shëndetësor. Çdo vit në Shqipëri humbin jetën mbi 200 gra të diagnostikuaka me kancer gjiri, 700 gra të prekura në vit. Statistikat rriten, për shkak se shumë gra dhe vajza në pamundësi ekonomike nuk mund të kryejnë diagnoztifikimin e mamografisë dhe kurimin e sëmundjes. Kjo është e vërteta e dhimbshme, pse femrat do jenë pjesa më vitale e protestës së 27 janarit.”
Dr. Aelita Mani, kryetare e forumit të gruas tek Partia Agrare Ambientaliste: Më 27 janar femrat duhet t’i thonë STOP dhunës

Në lidhje me mungesën e ilaçeve nëpër spitale qeveria e Rilindjes diskriminon dhe mohon shërbimin, mbështetjen dhe të drejtën për të jetuar pa dallim gjinie, ndërkohë që për ironi harxhon miliona për fasada dhe makina. 
Brunilda Laboviti, nënkryetare e Partisë Republikane të shqipërisē. Edhe pse kjo qeveri është në mandatin e dytë, asgjë nuk po Rilind

Mungesa e ilaçeve dhe kondrabandimi i tyre është puna më e mirë që dinë të bëjnë pushtetarët e Rilindjes. E ndoqa me shumë keqardhje shoë-n mediatik, por nga ana tjetër u gëzova që Zonja nuk heshti dhe kërkoi atë medikamentin që i duhej. Në fund të fundit ky sistem rezulton të jetë i dështuar, por ne s’duhet të heshtim. 
Sa i vështirë është punësimi i gruas sot?
Klajda Gjosha: Përtej fasadës që kemi në qeveri me 50% gra, punësimi për një grua po kthehet çdo ditë e më shumë në një sfidë. Vetëm në muajt e fundit janë shkarkuar me qindra gra dhe vajza nga administrata shtetërore. Punësimi në një biznes privat është thuajse i pamundur në një kohë kur taksat e biznesit janë rritur dhe shteti nuk mendon për asnjë lehtësi fiskale. Gjatë vitit 2017 janë mbyllur rreth 13.000 biznese. Kjo do të thotë që edhe në këtë sektor kemi mijëra humbje të vendeve të punës. Është për të ardhur keq që edhe në sferën e arsimit profesional nuk ka asnjë iniciative për gratë dhe vajzat që të bëhen pjesë e një profesioni, që t’i do bëjë ato të afta të përballen me tregun e punës. 

Ina Zhupa: “Të dhënat tregojnë se femrat janë ato me nivelin me të lartë të papunësisë duke pasur një normë prej 34.7 për qind, ndërsa tek meshkujt e rinj ky tregues është 32.3 për qind. Politika e Edi Ramës është krimi dhe droga. Është politika e tij që ka çuar 30 mijë biznese drejt falimentimit, mbylljes se mijëra vendeve të punës, rritjen e çmimeve dhe zhytjen e shqiptarëve në varfëri. Politika e Ramës bëri që 30% e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve, 39% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit, 43% e familjeve nuk sigurojnë dot ngrohjen për fëmijët. Këto janë problemet që lënë femrat shqiptare pa gjumë dhe në dhimbje të skajshme.”
Aelita Mani: Vajzat dhe gratë sot vuajnë nga mungesa e aksesit për punë të denjë. Përballen me ndarje profesionale dhe diskriminim gjinor në shpërblim dhe pagë. Në shumë situata u mohohet aksesi për arsimim themelor dhe kujdes shëndetësor, sidomos në zonat rurale dhe të thella malore, ku kanuni dhe pleqësia vendosin për edukimin dhe fatin e tyre. Ndaj vajzat dhe gratë duhet të marrin pjesë aktivisht në përpjekjet e shoqërisë për me shumë të drejta dhe liri, për një demokraci të vërtetë dhe funksionuese, për më shumë vende pune dhe kushte më të mira. 
Brunilda Laboviti: Vështirësitë në punësim janë të shumta, pasi një femër diskriminohet, përdoret, dhunohet dhe Rilindja përball kësaj të vërtetë është e verbër. E them, e verbër, sepse femrat raportojnë numrin më të lartë të papunësisë, edhe pse kjo qeveri është në mandatin e dytë, asgjë s’po Rilind!
Për çfarë duhet të protestojë me 27 janar një femër?
Klajda Gjosha: Çdo grua, çdo nënë duhet te protestojë për vlerat e familjes që humbasin çdo ditë, për pamundësinë e tyre për të ushqyer, veshur e arsimuar fëmijët. Duhet të protestojnë për të kërkuar respekt nga shteti dhe për të ndalur arrogancën me të cilën trajtohen nga kupola qeverisëse. Një nënë duhet të protestojë për largimin e fëmijëve nga Shqipëria, pasi nuk e gjejnë dot të ardhmen e tyre në këtë vend. Për çmimet e larta, për shërbimet e munguara, për pasigurinë që ka prekur jetën e tyre! Unë jam e bindur që revolta e një nëne ndaj gjithë padrejtësive do të jetë ajo që do të mbajë gjallë shpirtin e protestës më datë 27 Janar.
Ina Zhupa: “Një femër do protestojë si nënë, si motër, si vajzë, se në vetëm 4 vite kanë parë gëzimin e jetës së tyre t’u largohet, jo nga qejfi, jo dëshira, jo sepse kështu zgjedhin, por sepse këtu nuk kanë asnjë mundësi. Papunësia është ulur këmbëkryq. 50 biznese në ditë mbyllen, u mbyllën vitin e kaluar dhe vazhdon kjo mbyllje. Por po kështu shërbimet shëndetësore, të cilat janë në kolaps total, në arsim ku nuk paguajnë dot tarifat e larta për të shkolluar fëmijët e tyre. Femrat janë më të prekurat nga Rilindja e Ramës.”
Brunilda Laboviti: Më 27 janar çdo shqiptar duhet te protestojë për të drejtat e tij. Duhet të protestojmë për rendin, sigurinë, shëndetësinë, arsimin dhe papunësinë, të cilat janë kthyer në gangrenë të Shqiptarëve. Prandaj jam e bindur që do jemi të shumtë në numër e në bindje, më 27 janar.

Aelita Mani: Ndaj me datë 27 duhet të ngrenë zërin fort për t’i thënë “Jo” dhunës, pabarazisë dhe diskriminimit, për të kërkuar që jeta e tyre të jetë më e qetë dhe e sigurt dhe jo e harruar nga shteti dhe e kërcënuar nga krimi. Në dy dekadat e fundit janë rritur në masë problemet e dhunës dhe diskriminimit ndaj vajzave dhe grave. 
Ina Zhupa: Ju keni sjellë një formë shumë origjinale duke shpërndarë video ku të rinjtë japin arsyet se përse duhet të protestojnë. Mund të na thuash edhe shumë rreth kësaj?
Të rinjtë janë shpresa e këtij vendi, janë motori i familjeve dhe i shoqërisë. Dhe pikërisht si pedagoge dua që zëri i tyre të dëgjohet më shumë. Ata do jenë në ballë të kësaj proteste dhe paraqesin me zërin e tyre në video ‘selfi’ të bërë vetë, se përse do të protestojnë. Protesta e 27 Janarit, do jetë një protestë mbarë popullore, masive si kurrë më parë, paqësore dhe demokratike si të gjitha protestat e tjera të ndërmarra nga kjo opozitë në këtë 4 vjet. Protesta do nisë në orën 12, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do bashkohen aty qytetarët që do vijnë nga të gjitha anët e vendit dhe drejtimet që të çojnë në shesh. Me forcën e bashkimit do arrijmë të tregojmë vendosmërinë, qëndrueshmërinë e kësaj kauze. Askush nuk duhet t’i trembet akteve të dhunës, por të gjithë duhet të kenë veshët dhe sytë hapur për të kuptuar që populli nuk humb kur përballet me qeverinë. Është përherë qeveria që bie, jo populli.
Sigal