FORUM/ Është e drejta e shtetit shqiptar të mbrojë qytetarët nga gjykimet arbitrare në mungesë

772
Jakup B. GJOÇA
Flasin për “Telegraf” juristët: Ndryshimi i nenit 491 i Kodit të Procedurës Penale për mosekstradimin është në favor të qytetarëve shqiptarë
Jemi dëshmitarë, që në shtetet evropiane, e sidomos në shtetet fqinje, Itali dhe Greqi, shumë herë edhe drejtësia aty është e “verbër”, sidomos në mbrojte të të drejtave të çdo të pandehuri, për më tepër, kur ai është shqiptar. Të shumta janë vendimet gjyqësore në shtetet evropiane, që jepen në mungesë ndaj emigrantëve shqiptarë, ku dënimet, jo vetëm që janë maksimale, për veprën penale, për të cilën gjykohen, por, shumë herë edhe në mungesë të fakteve dhe të vetë të pandehurve. Ndodh, që për të njëjtën vepër penale, të kryer në grup, emigranti shqiptar dënohet 2-3 herë më shumë sesa shtetasit vendas. Ndërsa shumë herë, shteti shqiptar, duke treguar zell servilizmi dhe përulësie, ka ekstraduar drejt vendeve evropiane, çdo shtetas të vet, vetëm e vetëm pse shteti evropian ka kërkuar ekstradimin e bazuar në vendime gjyqësore, edhe kur ato janë kryer në mungesë. Shteti shqiptar, nuk ka guxuar as të kërkojë nga shtetet e tjera garancinë e rigjykimit për shtetasin e vet. Juristët Prof. Shefqet Muçi, konstitucionisti Sokol Hazizaj dhe Dr. Edmond Petraj flasin për gazetën “Telegraf” dhe pohojnë që ndryshimi i nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale për kushtet e mos/ekstradimit, është në favor të qytetarëve të Shqipërisë. 
Prof. Shefqet Muçi, lektor i të Drejtës Penale: Kërkesa për rigjykim nuk mund të refuzohet në asnjë vend
– Po flitet shumë për nenin e ekstradimit të personave të ekstraduar në mungesë në shtetet e tjera. Problemi i gjykimit në mungesë të personave ka qenë i diskutueshëm vazhdimisht, edhe për ata që janë gjykuar në mungesë tek ne, edhe për ata që janë gjykuar në mungesë në shtetet e tjera dhe vendimi duhej të ekzekutohej tek ne, apo duhet të bëhet ekstradimi i personit jashtë shtetit. Për këtë, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë në Shqipëri kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, fillimisht. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme, ka pasur disa praktika gjyqësore, janë kundërshtuar nga avokatët vendimet e Gjykatës së Lartë, lidhur me vendimet në mungesë, dhe Gjykata Kushtetuese i ka prishur këto vendime të Gjykatës së Lartë, madje edhe një vendim të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, lidhur me qëndrimin ndaj një personi të gjykuar në mungesë, duke kërkuar që të respektohet e drejta e dëgjimit të tyre dhe përfundimisht, praktika ka vendosur që personat e e gjykuar në mungesë kanë të drejtë të kërkojnë rivendosjen me afat të vendimit të dhënë ndaj tyre, kur ata kanë dijeni të këtij vendimi, me qëllim që të kundërshtojnë vendimin e gjykatës, sipas së cilës ka marrë vendimin e formës së prerë, pas kjo nuk i realizonte të drejtat e të pandehurit, apo të personit që i nënshtrohet gjykimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në Konventën e te Drejtave të Njeriut dhe të drejtat kushtetuese që ka qytetare. Kjo nevojë bëri të domosdoshme edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Ndryshimi, që iu bë Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, është ky: Ekstradimi nuk lejohet, dhe parashikon kushtet, edhe germën “f” të nenit 491, që parashikon rastet e mospranimit të ekstradimit. Në këtë germë thuhet: Nuk lejohet ekstradimi, kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit. Po ta shikosh të shkëputur, duket sikur, kur është dënuar në mungesë, nuk mund të ekstradohet. Po ta shikosh edhe në dispozitat e tjera, që kanë të bëjnë me gjykimin në mungesë, edhe me marrëveshjet ndërkombëtare, ky problem nuk është kështu, dmth, nuk mund të ekstradohet. Sipas nenit 450 “d” të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon rishikimin e vendimeve, thuhet: Kur personi është gjykuar në mungesë, sipas nenit 352 të këtij Kodi, dhe kërkon rishikimin e çështjes, pra, bëhet rigjykimi nga e para. Kërkesa për rigjykim nuk mund të refuzohet. Nëse ne e shikojmë nenin 352 të lidhur me 491 të Kodit të Procedurës Penale, këto nene janë në unitet me njëri-tjetrin. Ne, si shtet demokratik, kemi për detyrë që nga shtetet që kërkojnë ekstradimin, të bëjnë edhe garanci për rigjykimin e çështjes, përderisa nuk janë dëgjuar. Është e drejta e ridëgjimit të tyre, e drejta themelore, e njohur nga të gjitha Konventat e të Drejtave të Njeriut. Dhe Kodi ynë i Procedurës Penale e ka rregulluar këtë në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe thotë, se kur shteti, që kërkon ekstradimin, nuk jep garanci për rigjykim, meqë është gjykuar në mungesë, atëherë, nuk e ekstradon. 
– Cila është garancia ndaj shtetit që kërkon ekstradimin?
– Legjislacioni i shtetit tjetër, të sjellë dispozitën përkatëse, që e ka të parashikuar, që personi i gjykuar në mungesë, ka të drejtën e rigjykimit të çështjes. Ligji aktual është në përputhje me standardet e së Drejtës Penale Evropiane, dhe me Kushtetutën tonë. Çdo njeri ka të drejtën të dëgjohet në gjykimin ndaj tij dhe të drejtën e rigjykimit, kur vendimi është marrë në mungesë të tij. Nuk përfiton askush nga kjo dispozitë e ndryshuar e Kodit të Procedurës Penale. Varianti i parë i paraqitur, ishte me mangësi për nenin e mosekstradimit. Midis të tjerave, ai variant thoshte, që nuk ekstradohet personi, kur është dënuar në mungesë, nëse nuk jep pëlqimin e vet. Pra, këtu ekstradimin e lidh me pëlqimin e personit dhe nuk e lidh me kërkesat e tjera të ligjit në interes të shoqërisë. Pra, fton shtetin e huaj që të kërkojë njohjen e vendimit. Kështu është e gabuar, sepse njohja e vendimit të gjykatave të huaja bëhet në ato raste kur vendimi ekzekutohet në Republikën e Shqipërisë. Në rastin e një kërkese për ekstradim, ai kërkon që ekzekutimi të bëhet në vendin ku është bërë gjykimi dhe ky variant i Kodit të Procedurës Penale, shkruante që njohja e vendimeve të gjykatave të huaja bëhet kur ministria e Drejtësisë kërkon njohjen e një vendimi penal të huaj, kur çmon se në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare ky vendim duhet të ekzekutohet, ose të njihen efektet e tjera në shtetin shqiptar. 
Sokol Hazizaj, Konstitucionalist: Ndryshimet për mosekstradim janë në favor të qytetarëve
Pavarësisht çfarë dhe konsideron politika gabim ose të drejtë, shtesa e bërë në nenin 491, pika f, Kodi Procedurës Penale, sipas së cilës pranohet se “nuk mund të jepet ekstradimi, kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë me përjashtim të rastit, kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”, është sa në përputhje me nenin 6 të KEDNJ, por njëkohësisht me parimet dhe kërkesat e reciprocitetit ligjor midis vendeve apo palëve. Mjafton të bëj me dije, se ndërsa çdo shqiptar, që vjen i ekstraduar në vendin tonë me qëllim vuajtje dënimi të dhënë në mungesë ka të drejtën e rigjykimit, ndërsa jo çdo shqiptar i dënuar në mungesë në çdo vend të huaj, nuk e ka pasur këtë të drejtë. Ndaj është bërë shumë mirë, që është vendosur, apo shtuar ky moment. Mos harroni, që shumë shqiptarë janë dënuar në mungesë në vendet fqinj, turpshëm autoritetet tona e kanë marrë me lecka dhe e kanë çuar pa asnjë të drejtë dhe kusht ligjor vetëm me një letër bakalli. Kaq, të tjerat politika le t’i bëjë si ija thotë radakja, po të paktën të mbrojë shtetasit e vet nga diskriminimi ligjor, se, në fund të fundit, i mbron Konventa. Politikë leshi. Detyrimi ligjor i vendosur së fundmi në Kodin e Procedurës Penale ka historikun e vet, që fillon nga penalitetet që ka marrë qeveria shqiptare për shkak të moszabtimit të parashikimeve nga Konventa Evropiane deri në sjelljen arbitrare të organeve të drejtësisë të vendeve të tjera ndaj shtetasve shqiptar. Në këtë kuptim ende nuk po kuptoj cinizmin e shtetarëve tanë në lidhje me interesat e qytetarëve tanë. Ritheksoj, se vendosja e kësaj dispozite i kapërcen të gjitha interesat, dhe nëse janë të autoriteteve tona.
Dr. Edmond Petraj, Jurist: Shumë shqiptarë janë viktima të gjykimeve në mungesë në shtetet e tjera
Nuk mund të them se kush apo cili ka qenë ideatori që ka propozuar këtë ndryshim, por ndryshimi i dispozitë të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ekstradimin e shtetasve shqiptarë në vendet e tjera, në rastet kur vendimi I gjykimit është marrë në mungesë, është më se i duhur, pasi me dhjetëra vendime janë dhënë nga gjykatat evropiane, sidomos në Greqi dhe Itali, sepse shumë shqiptarë emigrantë janë viktima të gjykimeve te padrejta. Nuk ka rëndësi se kush e propozoi dhe miratoi ndryshimin e nenit 491 në Kodin e Procedurës Penale, por ky ndryshim i siguron paprekshmërinë e shumë shqiptarëve, që kanë probleme të futur në kurth nga shumë qytetarë të tjerë evropianë, të cilët i kanë kallëzuar, apo denoncuar shtetasit shqiptarë, për veprat penale, pa prova për vepra penale, që kurrë nuk i kanë kryer. Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, dhe diskutim duhej parë dhe shtuar një pikë tjetër, pra shtohet pika “f”, duke parashikuar që nuk mund të jepet ekstradimi, kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit, kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.
Vasilika Hysi: E vërteta e nenit të “famshëm”, për të cilin akuzohet Fatmir Xhafaj
Deputetja e PS Vasilika Hysi, ka reaguar pas akzuave të PD-së ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe procesit të vetingut. Reformën në drejtësi dhe kontributin e Fatmir Xhafës nuk mund ta baltosë asnjëri dhe zbatimin e saj nuk mund ta pengojnë. Reforma në drejtësi do t’i ofrojë qytetarëve drejtësinë e munguar. Ndihem e keqardhur që opozita sajon histori të pavërteta. E ndodhur pa ndonjë kauzë dhe në vijim të misionit të saj të nxijë situatën në prag të vendimit të hapjes së negociatave dhe e frikësuar nga ecuria e procesit të vetingut krijon një zhurmajë me shtrembërim të fakteve.
Projektligji është produkt i punës së ekspertëve të komisionit të reformës në drejtësi. Me mbylljen e komisionit, projektligjet u depozituan në Kuvend me firmën e deputetëve. Ky variant i miratuar është dërguar me e- mail anëtarëve të komisionit, Ministrisë së Drejtësisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit në komision dhe pas miratimit të tij, para kalimit në seancë, Euralusit, OPDAT, Prokurorisë së përgjithshme, deputetëve LSI. PD ishte në çadër. Ky projektligji është bërë publik në faqen e Kuvendit para votimit në seancë plenare. Pse opozita nuk e ngriti ketë problem gjatë 1 vit e më shumë, por pikërisht tani kur reforma ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ish kolegu Tahiri nuk i dha shansin opozitës të vazhdojë ta ketë si kauzë të saj. Që kolegu Xhafaj do ishte objekt sulmi nuk kishte asnjë mëdyshje. 
Paloka: “I përdor Rama për afera që qelbin dynjanë”, 
Dy “avokatë” përdor Rama, për aferat e pashpresa që qelbin dynjanë; ta pafytyrin në krye të grupit dhe “naiven” nënkryetare Parlamenti. Atëherë, kur e kupton se çështja është vërtetë e nxehtë dhe e ndyrë , aq flagrante sa çdo “mbrojtje” thjesht të diskrediton, përdor pafytyrësinë e Ballës, që nuk ka asnjë problem, madje përdoret me kënaqësi (fundja karriera e tij aty është bazuar). Kur çështja është edhe më diskredituese, sa as Balla nuk e merr përsipër, përdor “naivitetin” e Vasilikës. Sot Xhafajn e ka mbrojtur Vasilika…
Koço Kokëdhima: Silmi ndaj Xhafajt është i orkestruar nga Rama në bashkëpunim me opozitën
Koço Kokëdhima, ish-deputeti i PS-së në një intervistë televizive te Fax news mbrëmë deklaroi, se ndryshimin e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, nuk e ka bërë Xhafaj, sepse nuk ka mundësi, pasi mbahen proceverbale të rregullta dhe bëhet zbardhja e mbledhjeve. Por, shpjegoi Kokëdhima, sulmi ndaj ministrit Xhafaj është i okestruar nga kryeministri Rama në bashkëpunim me opozitën. Sipas Kokëdhimës, është kryeministri Rama ai që orkestron në prapaskenë sulmin ndaj Xhafës, duke u dhënë atyre materiale dhe dokumente. Diçka më tepër di Kokëdhima, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Rama, dhe që, u shkëput nga PS-ja, pikërisht nga prapaskenat që i bëri ish-miku i tij, kryeministri Rama.
Sigal