Formalizimi i fermerëve, Panariti: Masa për spekulantët

458
Ministria e Bujqësisë shumë shpejt pritet ti japë jetë një plani për indeksimin e çmimeve për pikat e grumbullimit me të cilat këto të fundit do t’ua blejnë prodhimet fermerëve. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se përmes këtij mekanizmi i jepet zgjidhje shqetësimit të fermerëve, të cilët ankohen për shitjen e produkteve të tyre nën kosto. 

 “Ua kemi qartësuar pikave të grumbullimit që duhet të aplikojnë çmime të drejta. Kjo do garantohet nëpërmjet organeve tatimore. Nëse do aplikojnë çmime spekulative, nën kosto, ne do marrim masat me gjithë fuqinë që na jep ligji.Kjo nuk është kërkesë-ofertë, ne do bëjmë indeksimin e çmimeve, unë kam një projekt për të bërë në nivel të pikave të grumbullimit përcaktimin ditor të çmimeve të shitjes, do bëhet me ankandet në fillim. Nuk kemi bursë bujqësore, por do bëjmë elementët fillestarë. Ne do e bëjmë përmes ankandeve dhe përcaktohet çmimi i blerjes për atë ditë apo atë javë. Çmimet do të bëhen publike përmes televizioneve. Vetë spekuluesit do dalin jashtë loje. Kemi dhe ne instrumentat për ta disiplinuar. Ky është një proçes historik, do ta fusë bujqësinë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, krijimin e një zinxhiri vlerash. Proçesi i formalizimit të bujqësisë është vërtet një proçes që rregullohet me ligj por jo i imponuar, nuk është proçes diskriminues, por shkon vetëm në favor të fermerëve. Fermerët nuk kanë më leverdi të jenë informal. Të jesh informal do të thotë të jesh jashtë vëmendjes, të mos jesh përfitues i mbështjes nga buxheti, subvencionet, të jesh informal do të thotë të mos përfitosh nga fondet e BE që kanë si kriter identifikimin, regjistrimin e fermerit si prodhues”, tha ministri Panariti.
Sigal