Forcat e Armatosura , mes Presidentit dhe Kryeministrit

599
Sigal

PD:Qeveria sulmon sërish Presidentin.  Kodheli: Balancohen kompetencat, forcohen strukturat e Mbrojtjes

Prej disa ditësh, qeveria ka bërë gati disa ndryshime ligjore, duke hapur një tjetër konflikt me presidentin e republikës. Kërkon që t’i heqë kompetencat që Kushtetuta ia atribuon si komandat i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Një pjesë e këtyre kompetencave që do t’i hiqen Kreut të shtetit parashikohet t’i kalojnë Kryeministrit. Projekt-ligji i përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes është ai “Për Autoritetet dhe Pushtetet e Drejtimit dhe Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i cili synohet që të zëvendësojë ligjin ekzistues të 2004-s “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Draft-ligji parashikon t’i heqë presidentit dhe t’ia kalojë kryeministrit këto kompetenca:

KOMPETENCAT

1- Kompetencën për miratimin e planit të vendosjes dhe përhapjes së forcave të armatosura në kohë paqeje.

2- Kompetencën për emërimin, gradimin, shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë, në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, të oficerëve me grada madhore.

3- Presidentit do t’i lejohet të emërojë apo të lirojë nga detyra me propozim të ministrit të Mbrojtjes vetëm komandantët e forcave tokësore, detare e ajrore, ndërsa emërimin e atyre me gradë madhore gjeneral e lart do t’i firmosë kryeministri.

4- Shfuqizohet kompetenca e presidentit për delegimin e autoritetit të komandimit operacional të njësive ushtarake të madhësisë ushtar-skuader-togë-kompani-batalion të Forcave të Armatosura, te Komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë misione të përbashkëta, sipas marrëveshjeve dhe traktateve të ratifikuara nga Kuvendi.

5- Shfuqizohet edhe neni, me anë të të cilit presidenti nxjerr urdhra dhe udhëzime në ushtrimin e detyrave dhe të përgjegjësive që ka.

6- I hiqet dhe e drejta ligjore e rekomandimit të ndryshimeve në buxhetin për Mbrojtjen.

Propozimi

Dekretet e gjeneralëve, brenda 30 ditëve. Projektligji i ri i qeverisë i vendos afate konkrete Presidentit për dekretimin e propozimeve që vijnë nga ministri i Mbrojtjes dhe Kryeministri për pozicionet e larta në Forcat e Armatosura. Kreu i shtetit, në cilësinë e komandantit të Përgjithshëm të këtyre Forcave, do të ketë 30 ditë kohë për të dekretuar ose rrëzuar propozimet për gjeneralët, shefin e Shtabit dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare e Ajrore. “Në rastet e përcaktuara në shkronjat “a” (Presidenti jep gradat madhore me propozim të ministrit të Mbrojtjes), “b” (Presidenti emëron, gradon, liron nga detyra dhe nxjerr në rezervë ose në lirim me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit) dhe “c” (Presidenti emëron dhe liron nga detyra me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore), të pikës 3 të këtij neni, Presidenti i Republikës shprehet brenda 30 ditëve kalendarike nga paraqitja e propozimeve, duke miratuar ose refuzuar propozimin. Refuzimi në çdo rast bëhet i motivuar”,-thuhet në pikën 5 të nenit të projektligjit të propozuar nga ministrja Kodheli. Në relacionin e ministres së Mbrojtjes thuhet se, kreu i qeverisë do të jetë përgjegjës para kreut të shtetit dhe Parlamentit për drejtimin e Ushtrisë në kohë paqeje. Kreu i qeverisë ka të drejtë gjithashtu t’i propozojë Presidentit emërimin dhe shkarkimin e shefit të Shtabit. Mësohet se institucioni i presidentit nuk është ftuar të marrë pjesë në hartimin e një projekt-ligji të tillë që prek detyrat dhe përgjegjësitë e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pasi draft është përgatitur nga ministria i është dërguar në zyrë përmes një shkrese më 31 mars, ku i kërkohet që të japë sa më shpejt mendim.

Kodheli: Karriera e gjeneralëve, monopol i Presidentit

Kompetencat për menaxhimin e karrierës së gjeneralëve në ushtri do të ndahen mes Presidentit dhe Kryeministrit. Ky është thelbi i relacionit që i bashkëngjitet projektligjit të ri që ka hartuar Ministria e Mbrojtjes “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Sipas këtij relacioni që mban firmën e ministres Kodheli, aktualisht karriera e gjeneralëve në Ushtri ishte “monopol” i Presidentit. “Ndër ndryshimet e sjella vlen të theksohen edhe kompetencat e Presidentit në raport me emërimet, shkarkimet etj., të ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët). Aktualisht, çdo gjë që ka të bëjë me sistemimin e karrierës së gjeneralëve është prerogativë e Presidentit, pra që nga gradimi, emërimi, lirimi nga detyra e deri te nxjerrja në rezervë ose lirim. Në këtë mënyrë, karriera e oficerëve me grada madhore në Forcat e Armatosura ishte ‘monopol’ i Presidentit të Republikës”,-thuhet në relacion. Sipas ministres së Mbrojtjes, ndryshimi i menaxhimit të karrierës së ushtarakëve me gradë madhore do ta demokratizojë këtë proces, që në relacion konsiderohet si delikat. “Në projektligjin e ri është menduar që të bëhet një balancim dhe baraspeshim i menaxhimit të karrierës së oficerëve me grada madhore të Forcave të Armatosura, duke i ndarë kompetencat mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Kuptohet që peshën kryesore sërish do e ketë Presidenti në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, megjithatë një sërë kompetencash do t’i kalojnë Kryeministrit. Ky ndryshim do të sjellë një menaxhim më eficient të karrierës së gjeneralëve, si dhe do të rrisë demokratizimin e këtij procesi sa delikat, aq edhe të rëndësishëm të drejtimit të Forcave të Armatosura”,-vijon më tej shpjegimi i neneve të projektligjit të ri.

Reagimi i Presidentit Nishani

Lidhur me heqjen e kompetencave ka patur dhe një reagim nga Presidenti Nishani, në një intervistë të dhënë në një media shqiptare. Nishani e ka quajtur këtë vendim një të vërtetë të hidhur. “Kjo është e vërteta e parë, e hidhur, që edhe unë si President i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të FA, jam njohur vetëm para pak ditësh me hartimin e një projektligji të ri, për strukturën dhe zinxhirin komandues dhe pushteteve të komandimit të FA, një ligj, i cili në fakt përfshin autoritetin, detyrat dhe kompetencat e disa pushteteve të komandimit në FA: të Kuvendit, të Presidentit dhe të Qeverisë. Hartimi i një projektligji të ri pa asnjë lloj argumenti që përse duhet që, një vend, i cili tashmë është anëtarësuar në NATO me ligjin ekzistues, të ketë nevojë për të ndryshuar dhe hartuar një ligj të ri të pushteteve komanduese pa përfshirë në këtë hartim, në këtë proces asnjë ekspert apo përfaqësues të Institucionit të Presidentit të Republikës, kompetencat, e të cilit ishin në ndryshim dhe në diskutim. Shqetësues është fakti se përmes këtij projekt-ligji, këputet zinxhiri i hierarkisë komanduese në kohë paqeje, çka krijon një shqetësim serioz në tërë strukturën dhe zinxhirin komandues të FA më pas. Ky projekt-ligj bën një zhbalancim të harmonisë kushtetuese të pushteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, pra të Parlamentit, të Presidentit dhe të Qeverisë, çka demonton një standard të detyrueshëm për një vend anëtar të NATO-s, siç është dhe Shqipëria. Ajo që është më shqetësuesja ka të bëjë me faktin e heqjes së kompetencës së Presidentit të Republikës të miratimit të Planit të Përhapjes të FA dhe për më tepër dhënies së kësaj kompetence Kryeministrit të vendit, çka zhbëhet monitorimi dhe kontrolli i menaxhimit të pronave të ushtrisë, një cikël i cili tashmë me projekt-ligjin e ri mbyllet brenda qeverisë; Ministër-Kryeministër”,është shprehur ndër të tjera Presidenti. Në lidhje me mospranim e një eksperti, ai tha se: “Edhe vetë procedura, madje edhe përtej etikës normale të komunikimit, adresuar Presidentit të Republikës për të dhënë mendime ndaj një projekt-ligji është një provokim tjetër ndaj kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës”. Sipas tij ndërmarrja e një hapi të tillë është tërësisht i panevojshëm.

 REAGIMI I SPECIALISTËVE

 Projektligji për ngushtimin e disa kompetencave të Presidentit, i transferuar në luftë mediatike mes qeverisë e opozitës, ka sjellë dhe reagimin e specialistëve dhe ekspertëve të fushës së mbrojtjes e ligjshmërisë. Ja prononcimet e tyre për këtë konflikt…

 Sulejman Abazi

Jam plotësisht dakord që një pjesë e 11 kompetencave të propozuara nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli t’i kalojnë Kreut të Qeverisë. Sipas meje, këto ndryshime duheshin bëre prej kohësh, në mënyrë që ne t’i paraprijmë dhe t’i përshtatemi kërkesave të NATO-s. Mendoj se, këto kompetenca që Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar të ndryshohen, janë bërë në konsultim të plotë me partnerët tanë. Duhet kuptuar se, disa  kompetenca kalojnë nga Presidenti tek Kryeministri, jo për qëllime politike, por duhen bërë për të lehtësuar burokracitë në marrjen e veprimeve sa më të thjeshta dhe praktike për vetë efikasitetin që kërkon organizmi i NATO-s, partner i së cilës është edhe ushtria jonë.

 Idajet Beqiri:

Mendoj se, veprimtaria e ushtrisë dhe qenia anëtare e NATO-s kërkon jo vetëm lehtësira, por edhe mbështetje ligjore. Nuk e kuptoj se, përse e bëjnë kaq tragjike këtë situatë, kur para pak vitesh u ndryshua kushtetuta dhe nenin që përcaktonte mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Presidenti sot zgjidhet me 50 plus 1 të votave, kurse një anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë, zgjidhet me 84 vota. Kjo tregon se, nëse vërtetë do ishin të shqetësuar për kompetencat e Presidentit, do ishte respektuar zgjedhja e tij me shumicën e cilësuar dhe jo të na nxjerrin tani lloje –lloje justifikimesh pa vlerë dhe të karakterit politik.

 Zyhdi Kroi

Në parim unë e quaj normal ndryshimin në lidhje me heqjen e kompetencave Presidentit, kjo është në përputhje me ligjin. Parlamenti ka hartuar shumë ligje dhe mendoj se, dhe kjo gjë bëhet për të lehtësuar më tepër Presidentin Nishani, pasi nuk mund të merret njëherësh me të gjitha. Unë e quaj normal këtë nismë edhe për të evituar disa keqkuptime dhe përplasje që kanë lindur midis Forcave të Armatosura, Presidentit dhe Qeverisë. Përmendim këtu rastin e konfliktit të kundëradmiralit, Kristaq Gërvenit, i cili ishte një debat që mund të evitohej. Kalimi i disa prej kompetencave Kryeministrit, do të çonte në riorganizim, saktësim të Forcave të Armatosura. Theksoj se, Shqipëria nuk ka FA të mirëfillta. Ne kemi anije patrullimi dhe jo anije luftarake, ashtu sikurse helikopter shërbimi. Heqja e kompetencave çon në riorganizimin e shërbimeve të emergjencave në rast përmbytje apo fatkeqësi të tjera natyrore.

  Rexhep Mejdani

Çdo përpjekje e hapur ose e fshehtë për akumulim pushteti e rritje kompetencash në kurriz të zvogëlimit të kompetencave të personave dhe pushteteve të tjerë, pa argumente ligjore, por me pretendime të llojllojshme, bëhet jo vetëm e rrezikshme për demokracinë, por dhe e ushqen vendimmarrjen autokratike. Kundër çdo tentative të tillë të djeshme dhe të sotme, duhet qëndruar gjithmonë zgjuar!