FMN “shuplakë” qeverisë. Ulet ndjeshëm rritja ekonomike për 2018-2019

501
Fondi Monetar Ndërkombëtar përkeqësoi ndjeshëm parashikimet për ekonominë shqiptare duke i dhënë një shuplakë të fortë pretendimeve të qeverisë. Në raportin e fundit të prespektivës globale, FMN uli me 0.4 pikë përqindje parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, jo vetëm për vitin 2018, por edhe për 2019-ën.
Më konkretisht, në prill të këtij vitit FMN parashikonte se ekonomia shqiptare do të rritej me 4.1 për qind vitin e ardhshëm dhe 4.2 për qind në 2019-ën. Por në raportin e publikuar një ditë më parë, normat e rritjes janë rishikuar për të dy vitet respektivisht në nivelin 3.7 për qind dhe 3.8 për qind..
Sipas FMN, arsyet për përkeqësimin e parashikimeve për ekonominë shqiptare janë të lidhura më rënien e investimeve të huaja. Dy projektet kyç, gazsjellësi Transadriatik dhe Kaskada e Devollit po shkojnë drejt përfundimit të tyre, ndërkohë që qeveria nuk ka arritur të kontraktojë asnjë investim të ri madhor në horizont.
Qeveria është zotuar se në dy vitet e ardhshme rritja ekonomike do të përshpejtohet në 5.5 deri në 6 për qind. Por parashikimi më i fundit i FMN është një shuplakë e fortë, e cila dëshmon dështimin e qeverisë për të thithur investime të mëdha në ekonomi.
Të gjitha vlerësimet të zymta
Pak ditë më parë edhe Banka e Shqipërisë shfryu pretendimet e qeverisë për rritjen ekonomike. Në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e IV-t të vitit, Banka deklaroi se edhe sikur të operonte në kapacitet të plotë, ekonomia shqiptare nuk mund të rritet më shumë se 3.5 për qind në vit.
“Vlerësimet tona të përditësuara në rishikimin e radhës së prodhimit potencial të ekonomisë, sugjerojnë se ritmi vjetor i rritjes potenciale të ekonomisë është përshpejtuar nga 3.2% në 3.5%,” shkruhet në raport.
Prodhimi Potencial nënkupton një situatë ku ekonomia shfrytëzon në masën 100 për qind kapacitetet e saj prodhuese. Teorikisht ai është maksimumi i prodhimit që mund të mbështesë një ekonomi në mënyrë të qëndrueshme.
Rrjedhimisht deklarata e Bankës së Shqipërisë nënkupton se rritja ekonomike nuk mund të jetë më e lartë se 3.5 për qind në vit, pa rritje të borxhit publik ose shpërthim të inflacionit.
Sigal