Florjon Mima: “ Privatizimi i “Albpetrol”-it, i suksesshëm, shkëmben një zë të bilancit kombëtar”

523
Sigal

INTERVISTA/Deputeti i PD-së: “Koha punon për ne shqiptarët, e ardhmja jonë është e sigurt”

Florian Mima, deputeti i PD-së, në intervistën për “Telegraf” shprehet se përcaktimi i borxhit me një amendament në Kushtetutë nuk do të përmbysë situatën në trajtimin e borxhit. Më tej, zoti Mima argumenton se privatizimi i “Albpetrol”-it është sukses, sepse shkëmben një zë në aktivin e bilancit kombëtar, asete dhe të drejta. Zoti Mima, shpjegon thjesht e qartë përparësitë e taksës së sheshtë ndaj asaj progresive, për të cilat kohët e fundit, me sfond edhe zgjedhjet, zhvillohen debate të ashpra politike.

– Zoti Mima, Kryetari i KLSH-së, propozoi  në Komisionin e Ekonomisë, që të ketë një amendament në Kushtetutë, ku të përcaktohet kufijtë e borxhit deri në 60 %. A duhet që niveli i borxhit të përcaktohet me Kushtetutë?

– Propozimi në fjalë ishte pjesë e rekomandimeve që KLSH-ja ka bërë për përmirësimin e administrimit të financave publike të vendit. Ndryshe nga e kaluara, kur KLSH-ja më shumë e perceptonte veten, apo edhe i atribuohej nga të tjerët, si një shkop për represion ndaj njësive që administrojnë të hyrat apo shpenzimet buxhetore, këtë radhe ai filloi të trupëzojë tipare të një auditi të jashtëm modern, bashkëkohor dhe në ndihmë të operatorëve të buxhetit, duke dhënë më shumë garanci se sistemi funksionon, se ai mund të ketë nevojë për përmirësime, apo përditësime dhe në këtë rast kjo u shoqërua edhe  me sugjerimet përkatëse për mbylljen e vrimave nga ku mund të penetrojnë dhe të përfitojnë keqbërësit, apo edhe të shkaktojnë dëme të pakujdesshmit. Për të ardhur te propozimi në fjalë, nuk besoj se vendosja në Kushtetutë do të përmbysë situatën me trajtimin e borxhit, ajo thjesht do të garantojë që ligjet që trajtojnë borxhin të mos kalojnë kufirin që do të vendoset në Kushtetutë. Por, kjo ndodh edhe sot, për sa kohë që rregulli fiskal është vendosur në ligjin organik   të buxhetit dhe ligjet e buxheteve vjetore respektojnë me rigorozitet atë rregull. Ajo që Shqipëria ka nevojë dhe që mund të arrihet me kombinimin me rregulla të tjerë fiskale, është ruajtja e këtij niveli, në mos më të mirë, të shëndetit të borxhit, jetëgjatësisë së tij, raporteve me të hyrat publike, shpenzimet publike, kostot e shërbimit të borxhit etj., por gjithsesi gjykoj se KLSH-ja tani po vjen natyrshëm në fushën e tij të lojës dhe mendoj se nga integriteti profesional i tij, vendi vetëm mirë do të ketë.

– Për transparencë, a nuk duhet që niveli i borxhit të publikohet përditë? Në shumë vende të botës, treguesi i borxhit publikohet përditë, sikurse treguesit e bursës.

 – Mundet që, në këto kohëra krizash, mjaft vende të bëjnë publikime ditore të nivelit të borxhit, për shkak të ndjeshmërisë së tij. Kjo që thoni ju, lidhur me publikimin ditor edhe në Shqipëri, ka kohë që ndodh, pasi në faqen on-line të Ministrisë së Financave mund të gjeni në terma reale të dhëna mbi arkëtimet dhe shpenzimet publike dhe diferenca mes tyre s’është gjë tjetër veçse treguesi i deficitit korrent i dhënë në terma reale, i cili i shtohet stokut të borxhit të akumuluar në vite. Unë gjykoj se, përsa i përket transparencës, kjo maxhorancë është dukshëm në distancë me paraardhëset e saj dhe parimi bazë i saj ka qenë transparencë, dritë dielli në çdo skutë burokratike që mund të gjenerojë perceptim për keqadministrim.

– Kryeministri ka bërë fjalë që ecuria ekonomike e vendit tonë, për 2013-n do të jetë me ritmet 3 %. Kjo sa realisht mund të jetë, duke patur parasysh, qoftë kapacitetin e ekonomisë tonë, ecurinë e saj, por edhe ndikimin e drejtpërdrejtë e të tërthortë të krizës globale?

– Unë besoj se rritja ekonomike do të jetë mbi nivelin që ju përmendët dhe dukshëm mbi nivelin që sugjeron FMN-ja. Ekonomia shqiptare është entuziaste, optimiste dhe kurajoze. Të tillë janë edhe shqiptarët. Në treguesit e FMN-së tipare të tilla nuk dalin, nuk llogariten, por ato janë themeli i një ekonomie që prodhon, investon dhe konsumon, duke rritur përditë të ardhurat për frymë të shqiptarëve, të cilët janë të etur për të kapur kohën e humbur për gjysmë shekulli nën një diktaturë, ndër të tjera, edhe ekonomiko-psikologjike, e cila i detyronte të kursenin, kudo, kurdo dhe në çdo gjë. Besoj se ky ka qenë kapërcimi më i madh që shqiptarët kanë realizuar, pra që investimi dhe konsumi janë dy arteriet kryesore, që çojnë gjak në zemrën e ekonomisë së tregut. Besoj se ata do të vazhdojnë të investojne dhe konsumojnë edhe në 25-30 vitet në vazhdim, çka më bën optimist se ritmet e rritjes do të jenë gjithmonë të larta. Të gjitha indekset e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve po u kthehen niveleve të larta dhe kjo është garanci më e madhe për rritje, sesa formulat burokratike.

 -Flitet shumë për politikat e taksave, të sheshtë dhe progresive, me një gjuhë politike abstrakte. Ju mund të na i thoni, me fjalë më të kuptueshme, anët pozitive  dhe negative të takës së sheshtë e asaj progresive?

– Le të ndalemi pak këtu. I madhi Ronald Reagan, ka thënë: “A e kemi ne kurajon dhe vullnetin për t’u përballur me imoralitetin dhe diskriminimin e tatimit progresiv dhe të kërkojmë rivendosjen e sistemit tradicional të taksimit proporcional? Sot, pjesa e taksambledhësit është 37 cent për çdo dollar të fituar dhe liria kurrë nuk ka qenë më fraxhile  dhe më e kërcënuar për të na rrëshqitur nga duart’. Ndërsa Karl Mark thotë në Manifestin e tij komunist, në kreun e II: “Proletarë e Komunistë”, se një prej dhjetë hapave për të shkatërruar shoqërinë kapitaliste është, citoj “…një sistem thellësisht progresiv apo i përshkallëzuar mbi të ardhurat. Vetëm në këtë mënyrë, thotë ai, borgjezia do të zhvishet nga kapitali dhe mjetet e prodhimit do të kalojnë në duart e shtetit”.  Dhe të gjithë e mbajmë mend se ç’vjen pas kësaj, dhe këtë jo vetëm nga Manifesti por edhe nga jeta jonë, nga përvoja jonë e dhimbshme e 50 viteve, nën një regjim kopjac të keq të filozofisë marksiste: shtetëzim i tokës, konfiskimi i pasurisë së shqiptarëve, centralizimi i kreditit në duart e shtetit, centralizimi i mjeteve të komunikacionit dhe transportit në duart e shtetit,  etj., etj., dhe rrënim deri në skamje i jetës së një populli të tërë. PS-ja thotë në Programin e saj për një Rilindje Kombëtare: “Politike e re fiskale në funksion të zhvillimit ekonomik e social, ulje e kostos së jetesës për 95% të popullsisë duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke vendosur drejtësi sociale përmes taksimit progresiv…”. Ngjashmëria është pothuaj si dy pika uji, mes këtij kuotimi dhe atij të Marksit. Dallimi i vetëm mes tyre është se, ndërsa Rama rreket të aplikojë sistemin marksist të taksimit por duke ruajtur rendin kapitalist të zengjinëve socialistë, Marksi ishte më i sinqertë, ai e pranonte se ky sistem taksimi duhej thjesht për të zhvatur kapitalin nga duart e kapitalistëve, pra për të vjedhur atë që ata kishin vënë me mundin, djersën e gjakun e tyre. Dhe përsëri në mendje na vjen imoraliteti dhe diskriminimi i  taksimit të jashtëzakonshëm të 1945-46, aplikuar me cinizëm klasor nga kopjaci fanatik i Marsit, i cili jo rastësisht është edhe themeluesi i parë i partisë që sot quhet socialiste. Po Kushtetuta jonë çfarë thotë? Ajo thotë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Po si mund të jenë të barabartë dy individë kur njëri sa vjen e paguan pak e me pak e deri në 0, e tjetri sa vjen e paguan deri në 90% të të ardhurave (siç ka ndodhur edhe në USA në 1950)? Kush do të caktojë caqet maksimale e ato minimale, kur dihet që nuk ka mënyrë objektive për matjen e drejtësisë sociale? Taksimi progresiv nuk është virtyt, në të kundërt ai është ves. Ai rreket të na thotë se pasuria dhe të ardhurat e të pasurit nuk janë njëlloj të shenjta, si te të varfrit, madje ai është konsakrim i pabarazisë, i diskriminimit dhe parazitizmit. A e mendojmë dot sesi do të ishte Shqipëria sot, në këto kohëra krizash tektonike financiare e ekonomike, nëse do të kishte në fuqi taksimin progresiv me shkallë deri në 25%?

– Faleminderit!

_____________________________________________________________________________________

PRIVATIZIMI I “ALBPETROL”-it, I SUKSESSHËM

Sipas jush, përse dhënia me koncesion e “ALBPETROL”-it mund të quhet pozitive dhe sukses?

 – Nuk është thjesht dhënie me koncension, por privatizim i aseteve të “Albpetrol”-it dhe dhënie me koncesion e të drejtave të shfrytëzimit të naftës së nëntokës shqiptare. Nuk besoj se ka vend pyetja juaj, nëse është apo jo sukses, pasi, nëse nuk do ishte sukses, do të ishte dështim. Por, si mund të jetë dështim një koncesion dhe privatizim, i cili shkëmben një zë në aktivin e bilancit kombëtar, asete dhe të drejta, i cili nuk kontribuon pothuaj fare në prosperimin e jetës së shqiptarëve, thjesht fle në këtë bilanc në mënyrë parazitare, me një zë tjetër, të ardhura likuide nga privatizimi, të cilat mund të ndërrojnë për mirë jetën e të gjithë shqiptarëve? Pra, jo vetëm është sukses, por do të thoja se është sukses i madh dhe sigurisht një meritë të madhe këtu ka edhe ekzekutivi, i cili nuk hodhi thjesht në shitje një pakete asetesh, por e blindoi, e miksoi atë me një paketë të drejtash, çka rriti edhe vlerën në treg.

 – Fondet që do të sigurohen nga “Albpetrol”-i duhet të përdoren për shlyerjen e borxheve, apo për të nxitur investimet  dhe për të kontribuar në politikën sociale?

 – Ekzekutivi ka bërë të qartë se të ardhurat do të përdoren në të mirë të gjithë shqiptarëve dhe mesazhi që unë marr nga ky synim i shpallur është se ato do të përdoren për më shumë rrugë, më shumë shkolla, më shumë spitale dhe sigurisht edhe më pak borxh. Kjo maxhorancë ka treguar se është e përgjegjshme në maksimum përsa i përket nikoqirllëkut me paratë e shqiptarëve dhe kjo është ajo që unë pres edhe në rastin e shpenzimeve të këtyre të ardhurave ekstra.