Florion Mima: Socialistë, duhet të çliroheni, urgjentisht, nga Rilindja!

508
Sigal

Ju po diskutoni për heqjen e aksesit në një portal dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, siç është e rëndësishme heqja e aksesit të 30 mijë familjeve, që janë përzënë nga skema e ndihmës ekonomike dhe nuk kanë mundësi për një kothere bukë, nuk kanë akses për të njomur buzën me ujë. Kjo është po aq e rëndësishme, sa heqja e aksesit të 380 mijë vetave, që nuk u lejohet të vijnë në atdheun e tyre, por përzihen me shkelma. Po aq sa është e rëndësishme mbyllja e 5 mijë bizneseve në vetëm tre muaj. 5 mijë biznese janë minimalisht 10 mijë të punësuar, sot nuk kanë akses të marrin rrogën e tyre. Njësoj sa mungesa e hapjes së negociatave. Është e qartë për të gjithë tashmë, që negociatat nuk hapen se nuk do PS, se nuk do PD, jo. Unë kam bindjen se mes jush kolegë të mazhorancës ka njerëz, që duan ta mbajnë kokën lart. Një pjesë fare e vogël dhe ajo e lidhur specifikisht me Rilindjen, ata mund të kenë arsye për të mbajtur kokën poshtë. Le ta mbajnë për këtë zarar të madh, që i bëjnë vendit.

Kush janë klanet? Shihni rotacionin e klaneve në Ministrinë e Brendshme.

Klani i marijuanës iku. Erdhi, kreu misionin e vetë e kanabizoi vendin dhe në xhiro vjetore thotë EUROPOL, 9 miliardë euro, 4 miliardë është buxheti i shtetit i Shqipërisë. 9 miliardë euro dhe pjesa më e madhe vjen nga Shqipëria, thotë EUROPOL.

Në ikje e sipër është klani i kokainës. 2 miliardë e gjysmë euro, thonë Kombet e Bashkuara. Por krimi më i madh nuk është ky, krimi më i madh është se 2.5% e popullsisë është “addicted” (të varur) tek kokaina. Janë 80 mijë shqiptarë, që nuk e dinë, a e kanë jetën e sigurt, apo jo. Kanë rënë në kthetrat e kësaj droge dhe vështirë të dalin pa një përpjekje serioze të të gjithë ne.

Ka edhe një klan tjetër.

Klani i heroinës, siç do vijë shumë shpejt e do ikë edhe ai.

Prandaj nuk hapen negociatat. Lexoni raportin e OSBE-së. Janë ulëritëse. Klithmat e tyre për një vend, që do të anëtarësohet në BE, por nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka Gjykatë të Lartë. Në Partinë Socialiste ka njerëz të mirë, të ndershëm, që e duan këtë vend, duan edhe integrimin. Ju duhet të çliroheni, urgjentisht, nga Rilindja!