Florian Raunig/ Menaxhimi i mirë i kufirit duhet të mos i ndajë njerëzit, por t’ua lehtësojë afrimin

395
Sigal

* Ambasador i OSBE-së

Prezantimi i sotëm përbën një gur të rëndësishëm themeli dhe një festim me vend të bashkëpunimit tonë në hartimin e Strategjisë së re për Menaxhimin e Integruar të Kufijve. Kufijtë janë një faktor kyç në peizazhin tonë të sigurisë dhe menaxhimi i tyre është thelbësor për bashkëpunimin e kënaqshëm mes fqinjëve; nuk është habi që menaxhimi i kufijve ka qenë gjithmonë një temë kaq e rëndësishme për OSBE-në. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë e angazhuar me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në çështje të sigurisë së kufijve për shumë vite tashmë. Prandaj, ishim shumë të gëzuar që asistuam Policinë e Kufirit dhe Migracionit në hartimin e Planit të Veprimit të kësaj Strategjie. Megjithatë, suksesi përfundimtar i Strategjisë dhe Planit të saj të Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve do të varet nga rivlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm. Koncepti i OSBE-së për Menaxhimin dhe Sigurinë e Kufijve, miratuar në vitin 2005, jep orientime për përmirësimin e bashkëpunimit në çështjet ndër-kufitare dhe marrëdhëniet midis Shteteve. Ai ka qenë në thelb të shumë përpjekjeve të përbashkëta dhe praktikave të mira në gjithë rajonin e OSBE-së për rritjen e sigurisë së kufijve. Në këtë kuadër, Prezenca ka mbështetur nismat për hapjen e Qendrave të Përbashkëta të Bashkëpunimit Policor midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, ka ofruar trajnime të përbashkëta gjatë procesit të punës për personelin, duke sjellë përmirësime në procesin e bashkëpunimit ndërkufitar që filloi në vitin 2002. Jemi veçanërisht të kënaqur me arritjet e kohëve të fundit në këtë fushë. Mbi të gjitha, ky progres është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Unë përgëzoj jo vetëm arritjet e institucioneve shqiptare, por edhe partneritetin e bashkëpunëtorëve të saj ndërkombëtarë: Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara përmes misioneve të tyre të ndërtimit të kapaciteteve dhe partnerët strategjikë kyçë si Gjermania. Prandaj, ofrojmë mbështetjen tonë në zhvillimin e mëtejshëm të strategjisë, harmonizimin e legjislacionit dhe ngritjen e kapaciteteve. Kufijtë janë fokusi i marrëdhënieve midis shteteve; për shkak të pozicionit strategjik të këtij rajoni, kufijtë rregullojnë lëvizjen e njerëzve në gjithë Europën. Një strategji kufijsh nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e pikave të kontrollit; ajo ka të bëjë me menaxhimin e rrymave ekonomike dhe të sigurisë së një rajoni – të një kontinenti. Një strategji e tillë ka si qëllim ruajtjen e sigurisë, duke mundësuar në të njëjtën kohë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve që sjell zhvillim ekonomik. Siguria moderne e kufijve ka të bëjë në thelb me garantimin e lirive, si lirinë e lëvizjes, që i ka sjellë kaq shumë përfitime hapësirës evropiane. Një nga çështjet më të rëndësishme në mendjet e politikanëve evropianë është lëvizja e mundshme e njerëzve nga jashtë brenda këtij kontinenti dhe nëpër gjithë kontinentin. Ky rajon ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces. Dhe çështja duhet të adresohet nga këndvështrimi i gjithë rajonit. Lëvizja e qytetarëve të vendeve të treta nëpër rajon nuk mund të jetë çështje paragjykimesh lokale. Një kuadër rajonal migrimi është thelbësor. Kjo frymë duhet të vazhdojë që t’i japë formë punës. Më lejoni, edhe një herë, që t’u bashkohem përgëzimeve të institucioneve të Shqipërisë për angazhimin dhe progresin e tyre në menaxhimin e kufijve dhe më lejoni që të falënderoj kolegët e mi ndërkombëtarë për partneritetin e tyre. Kufijtë duhet që, nga njëra anë, të jenë sa më të sigurt që të jetë e mundur dhe, nga ana tjetër, sa më të kalueshëm, pasi një menaxhim i shëndoshë i kufirit duhet që të mos i ndajë njerëzit, por t’ua lehtësojë afrimin me njëri-tjetrin.