Floida, vajza nga Saranda që Meta i besoi rininë e LSI

505
Floida Kërpaçi e ka ende të gjallë në kujtesë ditën kur një miku i saj e ftoi të bëhej pjesë e LRI-së, Forumit Rinor, i cili në atë kohë ishte një trend. Ishte viti 2012, kur gjimnazistja e Petro Ninit kapërceu pragun e zyrave të LSI-së, për tu bërë pjesë e forumit më të madh politik në Shqipëri. Në atë kohë, ajo nuk do ta mendonte kurrë që 5 vite më pas do ishte në krye të këtij organizmi, i konsideruar si motorri i Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Ia them çdo të riu që vjen këtu për herë të parë, mos ta paragjykoj veten sa kohë ka në LRI. Mjafton të ketë dëshirë dhe vullnet për ta bërë këtë gjë, kështu mund t’i arrijë ëndrrat e tij. Të rinjtë nuk vijnë këtu për të qenë një votë më shumë, por për t’u bërë pjesë e ndryshimit,”-më tregon, ndërsa qepallat e syve i rëndojnë nga lodhja e aktiviteteve të fundjavës. I ka të lehta fjalët, gjestet, hapin. Nuk pi kafe, as alkool. Pa kuptuar, ajo ka krijuar një nga ato varësitë e ëmbla, që zor se shkëputet dot; forumin e të rinjve.

Fillimet
Lindi në Sarandën e kaltër, më 17 maj të vitit 1994. Ishte e motra, Valbona që bashkë me të atin, pas disa “negociatash” vendosën ta quanin Floida. Ajo u largua nga qyteti bregdetar në moshën 6- vjeçare, për të filluar shkollën “Edit Durham” në kryeqytet. Kur studentja ekselente, që prej fëmijërisë ëndërronte të bëhej mjeke u fut në politikë, i ati ishte skeptik, pasi druhej se ky angazhim do ta shkëpuste të bijën nga mësimet .“Prindërit e mi kanë pasur një ideal: mëso shumë, dil nxënëse ekselence, sepse nxënësve të mirë, gjithmonë iu hapen shumë dyer. E mbaj mend ditën kur unë u kam komunikuar prindërve të mi që do isha kandidate për këshilltare të këshillit Bashkiak. Atë ditë babi më tha: “Nuk ta kam shprehur, por gjatë gjithë kësaj kohe, kam menduar diçka. Më vjen mirë që nuk më dëgjove dhe more një vendim të tillë. Jam shumë i lumtur për angazhimin tënd,” – thotë Floida, e kënaqur për guximin dhe këmbënguljen rezultative. Është e thjeshtë , madje, nga pamja i ngjan më shumë ndërkombëtarëve, sesa politikaneve shqiptare. Pa tualet, pa bizhu, si për t’u qëndruar larg ngarkesave, më tregon se shpesh herë vajzat e forumit bëjnë shaka kur ajo ndihet shumë e lyer, vetëm me pak rimel. Motra, vëllai, prindërit, dy nipërit dhe mbesa janë prehja e ditës. Lutjet e nipit të madh, Erikut, janë të vetmet që e tundojnë tezen Floidën, për të lënë detyrimet politike. “Kur më thotë, të lutëm mos shko në takim, ndihem keq dhe mërzitem. Madje, një ditë, i thashë të vinte me mua dhe ai erdhi këtu.”- shprehet, ndërsa sytë e tezes shkëlqejnë.

Përditshmëria
Më tregon për ditën e saj, që nis si të gjitha bashkëmoshataret e vitit të katërt farmaci dhe mbyllet me angazhimet politike. “Nuk e kam thënë ndonjëherë por dita ime është shumë e bukur. Nis me shkollën e cila është një shkëputje nga gjithçka që unë bëj. Pas shkollës janë gjithmonë takimet me miqtë e forumit, takime me gjimnazistët në njësitë e Tiranës, ose nëpër rrethe. Përpos këtyre ne bëjmë shumë aktivitet sociale e sportive,” – tregon ndërsa në mendje bluan sesi do përballojë fushatën e provimeve dhe atë zgjedhore, që po vijnë. Qesh me habi kur e pyes nëse ka nevojë të arratiset ndonjëherë nga rutina e angazhimet politike. “ LRI është një familje e madhe sepse kemi krijuar një afeksion të madh me njëri – tjetrin. Kemi një grup me të cilin jemi bërë shumë të afërt dhe unë nuk mund ta fik telefonin, pa i takuar një herë në ditë,” shprehet ajo. Nga lumturia e madhe që ata i falin, por edhe meraku prindëror për forumin që e drejton prej gati një viti, ajo e ka të pamundur të rrijë larg. Në darkë një telefonatë, ja zbeh lodhjen e përditshmërisë.
Sigal