Floida Kërpaci: Sot qytetarët shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të varfër. Të rinjtë vazhdojnë të shohin Europën si të vetmen alternativë

596
Sigal

Fjala e Deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi në protestë

Sot në fakt nuk ka ndryshuar asgjë nga çfarë jetuam dje. Sot qytetarët shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të varfër. Të rinjtë vazhdojnë të shohin Europën si të vetmen alternativë për të jetuar dhe mbijetuar. Sot familjet tona janë më të pashpresa. Dhe në të gjithë këtë situatë nuk mund të heshtim dhe ashtu siç e kemi thënë dhe gjithë këto ditë, do të vazhdojmë aksionin tonë me protesta kundrejt një reagimi qytetar për të treguar se situata që Edi Rama e ka vendosur vendin është një situatë e jashtëzakonshme mjerimi. Ku qytetarët shqiptarë të vetmen alternativë për të jetuar dhe mbijetuar nuk shohin Shqipërinë por Europën dhe një vend sa më larg Shqipërisë. Në këtë situatë  të mjerë ku të rinjtë nuk kanë një arsim cilësor, ku punësimi është për një grusht njerëzish, ku shëndetësia nuk ekziston, ku asnjë shërbim nuk i jepet qytetarëve të thjeshtë por vetëm një grupimi njerëzish që i përkasin grupit të oligarkëve të Edi Ramës dhe të qeverisë së tij të inkriminuar, padiskutim që ne vazhdojmë aksionin tonë opozitar për ta refuzuar këtë qeveri. Për ta refuzuar këtë qeveri të inkriminuar dhe të drejtuar nga krimi dhe nga bandat dhe për të dhënë sot një zgjidhje. Një zgjidhje e cila sjell një shpresë. Një zgjidhje ka një vizion dhe ka një mision për të gjithë qytetarët shqiptarë.  Një zgjidhje që flet qartë dhe që thotë sesi qytetarët shqiptarë dhe sesi të rinjtë duhet të qëndrojnë në Shqipëri. Dhe sesi Edi Rama dhe qeveria e tij e inkriminuar të marrë valixhet dhe të iki me një biletë pa kthim për në Shqipëri sepse vetëm kështu mund të ketë një ndriçim të të ardhmes së Shqipërisë, ekonomisë, turizmit, shëndetësisë, të arsimit dhe një të ardhmeje më të mirë. Dhe në këtë synim për të sjellë një vizion më të mirë për një Shqipëri me një demokraci që punon për të gjithë dhe që ka shanse të barabarta për të gjithë, ne sot i bëjmë thirrje Edi Ramës dhe qeverisë së tij të inkriminuar të largohet nga Shqipëria dhe tia lërë vendin të rinjve. Sepse të rinjtë janë ata që kanë vizionin dhe do të punojnë për Shqipërinë. Jo më larg sesa pak ditë më parë bëri përsëri një premtim, për mijëra vende të reja pune që do të hapeshin. A mos vallë është ky premtim si premtimi i dështuar i 300 mijë vendeve të reja të punës ku në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse dëbimi i 300 mijë qytetarëve shqiptarë nga Shqipëria. E në këtë situatë të mjerë ku ndodhet Shqipëria sot që nuk e themi ne, e thotë situata e mjerë ekonomike që jetojnë çdo ditë familjet shqiptare vazhdojmë aksionin tonë opozitar për ta refuzuar këtë qeveri, për ta luftuar këtë qeveri e cila çdo ditë e më shumë është në funksion vetëm të një grupimi njerëzish, të një grupimi oligarkësh. Dhe absolutisht nuk i shërben qytetarëve të thjeshtë, qytetarëve të ndershëm, të rinjve të cilëve nuk i ka bërë gjë tjetër veçse me politikat e tij shkatërruese ky kryeministër antishqiptar i ka larguar nga Shqipëria.