Fleta e votimit me një kandidat në komunizëm. Pas 30 vitesh s’ka ndryshuar asgjë

643
Sigal

Nga Kastriot Dervishi –

Komunistët erdhën në pushtet në vitin 1944 duke vrarë e duke prerë kundërshtarët e tyre. Vitin e parë në pushtet, u morën edhe në mënyrë zyrtare me goditjen dhe zhdukjen e kundërshtarëve politikë të tyre. Pasi ishin konsoliduar, organizuan “zgjedhjet” e para në 2 dhjetor 1945. Gjatë gjithë kohës së ekzistencës së regjimit të tyre, Partia e Punës nuk konkurroi asnjëherë si subjekt zgjedhor. Ajo fshihej pas Frontit Demokratik. Zhvilloheshin zgjedhje për Kuvendin Popullor (çdo 4 vjet) dhe zgjedhje për pushtetin vendor (këshillat popullore) dhe gjykatat popullore (çdo 3 vjet). Në listat e zgjedhësve ishte vetëm një kandidat, i caktuar në emër i Frontit Demokratik, i miratuar më parë nga strukturat e Partisë së Punës: Byroja Politike për organin legjislativ dhe komitetet e partisë për këshilltarët popullorë. Zgjedhësi nuk bënte asgjë, por vetëm çonte fletën në kutin e votimit. Zgjedhjet çeleshin në orën 7.00. Deri në orën 8.00, të gjitha levat e Partisë së Punës në lagje bënin garë për pjesëmarrjen në votime (e vetmja konkurrencë). Kudo buçiste ahengu dhe radio, çka e jepnin një karakter tragjikomik ditës kur gjoja bëhej shëtitja që quhej “zgjedhje”.