Flet Spartak Topollaj: Fshehtësia e negociatave me grekët në Korçë, me porosi të Ramës. Ku gaboi diplomacia e Tiranës

810
Spartak Topollaj: Fshehtësia e negociatave në Korçë, me porosi të Ramës
Bisedimet Shqipëri-Greqi diplomati renditi arsyet, se përse takimi Bushati-Kotzias u mbajt në fshehtësi
Zoti Topollaj, kanë qenë takime tre ditore, pse pikërisht në këto momente dhe a i përmbushën pritshmëritë, a ka diçka konkrete në këndvështrimin tuaj? 
Topollaj: Politika greke është sunduar në pjesën më të madhe në periudhën e pas Luftës nga disa familje të mëdha politike, natyrisht edhe me interesa të mëdha ekonomike. Siç janë familjet Venizelos, Karamanlis, Papandreu, edhe familje të tjera. Tani këto familje kanë sunduar në pjesën më të madhe në Greqi, duke përjashtuar periudhën e Grushtit ushtarak të Shtetit…. Për sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, e vërteta është se kurrë nuk e kemi sulmuar apo atakuar. I vetmi rast, që grekët këmbëngulin me ligjin paradoksal të luftës, se nga territori shqiptar i pushtuar prej Fashistëve të Musolinit u sulmua Greqia, në tetorin e 1940. Në periudhën demokratike, të viteve të 1992-1997, Marrëdhëniet me Greqinë erdhën në përmirësim të dukshëm. Edhe pse grekët provokuan rëndë, në mënyrë të veçantë me ngjarjen kriminale të Peshkëpisë, ku u vra një oficer dhe një nënoficer dhe u morën peng disa ushtarë tanët. U akuzuan ca paramilitarë, po sesi mund të ndodhë që në një shtet të evropian që të ketë forca ekstreme të të majtës apo të të djathtës, kjo lë për të dëshiruar. Megjithatë, de juro (Ligji i luftës) ka ekzistuar, madje edhe në këto momente ekziston. De facto do të ishte për të qeshur, nëse do thoshim se ne jemi në gjendje lufte me Greqinë, kur jemi të dy, jo vetëm fqinjë të mirë, por edhe dy shtete anëtare të NATO-s. Greqia është në BE, neve aspirojmë për në Bashkimin Evropian. 
Për ta bërë pak më të prekshme situatën ku tashmë jemi, a kemi pasur një lloj acarimi të marrëdhënieve që edhe u lexua qartë nga ana e shtetit shqiptar në vitet e fundit të kësaj qeverie. Duket se ka një lloj ndryshimi në politikë ndaj shtetit Grek, pjesë e përmirësimit të këtyre marrëdhënieve është edhe marrëveshja për varret e ushtarëve grekë. Në ç’kuadër vjen kjo vizitë tre ditore e zotit Kotzias në Shqipëri?
Mendoj se në mandatin e parë të qeverisë socialiste, të qeverisë Rama, marrëdhëniet me Greqinë erdhën duke u ashpërsuar, duke u acaruar, që të mos them, duke u prishur. Pati disa deklarata, qëndrime disa veprime, për të cilat qeveria dhe diplomacia jonë nuk diti t’i kuptojë, të reagojë siç duhet, për t’iu përgjigjur asaj pjese ekstremiste të politikës greke dhe për t’i kërkuar të njëjtën monedhë, ashtu siç grekët kërkojnë, për problemet e minoritetit që, për sa mbaj mend unë, nuk di t’i kemi diskriminuar, përkundrazi, ata në Shqipëri kanë qenë pak edhe më të privilegjuar sesa ne të tjerët. Grekët e dinë shumë mirë që minoriteti ka më shumë të drejta edhe se sa ne vetë, këmbëngulin sikur gjoja i mohohen të drejtat. Mjafton të them se ata kanë pasur historikisht arsimin në gjuhën e tyre deri në të mesme, dhe të lartën, të drejta studimi me shumicë edhe punësime, deri në funksionin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, të nënkryetarit të Presidiumit etj, etj. Sot Greqia nuk lejon hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe, edhe pse atje jetojnë edhe punojnë më e pakta, 600 mijë shqiptarë, që dhe kanë dhënë kontribut të ndjeshëm. 
Në dijeninë tuaj, ka qenë pjesë e negociatave hapja e shkollës shqipe atje dhe a ka pasur rezultate konkrete ky takim tre ditor, me aq informacione sa keni apo ka qenë thjesht një takim kortezie?
Një mjedis disi i errët, një fshehtësi të plotë ka patur për këto bisedime. Si për serinë e parë të filmit “Shqipëri-Greqi” në Kretë, ashtu edhe për këtë të dytën. Ne nuk duhet të harrojnë edhe takimi Nano-Millosheviç u bë në Kretë. Nuk është një koincidencë. Grekët i mendojnë shumë mirë gjërat. Nuk është kot takimi në Kretë me Millosheviçin i kryeministrit socialist të asaj kohe dhe nuk qenë kot edhe bisedimet Bushat-Kotzias në Kretë. Ne iu përgjigjëm me Korçën. Mendoj se është më e gjetur kjo e jona, sepse Korça, është vendi, jo vetëm i kulturës, i traditës dhe i kontribuesve të mëdhenj të Rilindjes, po është edhe vendi ku, de jure, njihet se u hap shkolla e parë shqipe. Ndaj zgjedhja e Korçës është shumë e mirë. Ajo që nuk më pëlqen dhe që u duk qartë edhe në fjalën e ministrit Bushati, është kjo që ai u mundua, pasi iu kujtua se kanë qenë të mbyllur për shumë orë, si dhëndëri me nusen, pothuajse nuk u kuptua asgjë për çështjen që do të diskutohen, nuk është nevoja t’i thotë, as Bushati, askush tjetër.
Pikat që duhen zgjidhur mes dy vendeve?
Sipas meje janë: Çështja Çame, që është me shumë interes për ne, çështja e shkollave shqipe në Greqi që duhet shtruar si kërkesë absolute e jona, dhe janë të dyja shumë të rëndësishme. Ndërsa pala greke ka insistuar si gjithmonë rishikimin e Marrëveshjes së Detit, (Edhe pse gjykata Kushtetuese nuk e njohu atë marrëveshje me vendim të formës së prerë), dhe kërkon varreza, të cilat janë aprovuar, do kërkojë sërish për minoritetet më shumë të drejta, sipas tyre dhe i lidhin këto me Kishën Ortodokse. Një tjetër ndërhyrje absurde, ne jemi shtet laik, feja e shqiptarëve është shteti dhe i zgjidh vetë Kisha Autoqefale problemet. Presidenti bëri një gjest kuptimplotë duke i dhënë nënshtetësinë Kryepeshkopit grek të Kishës Autoqefale Shqiptare Anastas Janullatosit pas 25 vitesh. Grekët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, nuk kanë asnjë shkak, nuk kanë asnjë arsye dhe nuk ka asnjë pretekst që grekët të kenë marrëdhënie të këqija me shqiptarët. Është në dorë të politikës së të dy palëve, po në mënyrë të veçantë të politikës sonë. Por më duhet të them se diplomacia jonë, mbajtja relativisht e fshehtë dhe ulja e toneve, atje ku nuk duhet ulur dhe ngritja e toneve kot për së koti për të bërë zhurmë dhe show, mendoj se nuk janë një sjellje e mençur. Prandaj diplomacia quhet diplomaci, dhe është zgjidhja e të gjitha problemeve me forma të tjera, siç janë format e dialogut dhe negociatave. Mendoj se ka pasur shumë fjalë dhe shumë pak punë. 
U tha edhe pas Kretës, jemi në rrugë të mbarë, tani doli që do presim prillin. Ne po e mbajmë pezull këtë raport dhe nuk po zgjidhet asgjë konkrete. 
A është i rëndësishëm takimi dy palësh mes Shqipërisë dhe Greqisë, tashmë në nivel rajoni?
Unë mendoj se Greqia nuk e ka qejf këtë, pasi ajo e mban veten lider të rajonit, pasi ajo është më e vjetra anëtare e BE-së dhe natyrisht ka edhe influencë. E kanë qejfit të jenë lider, por, se sa janë është gjë tjetër. Por heshtja ndaj atyre që janë arritur, nëse janë arritur, apo është arritur diçka, apo mbajtja e një lloj fshehtësie, dhe dhënia e një rezultati deri në prill, mesa duket, ndoshta do të jetë porosi edhe e kryeministrit Rama, i cili do që këtë sukses mos t’ia njohë kush Bushatit, do që ta ketë për vete këtë kënaqësi, dhe në prill në takim me kryeministrin aktual grek Tsipras, ndoshta mund të arrihet diçka. Ajo që dua të them është se, qëndrimi Çam me deklarata është pozitiv, por edhe herë të tjera të tilla deklarata kanë bërë drejtuesit e PDIU, ama këtej kanë bërë deklarata edhe këtej kanë bërë kompromise. 
Sigal