Flet Prof. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë/ Cënimi i Presidentit shkatërron reformën në drejtësi. Nëse nuk zbatohet dekreti vendi shkon në anarki, pasi vetëm Gjykata kompetente e rrëzon ligjin e Presidentit. Roli i Kushtetueses, Administratives, shfuqizimi i datës së zgjedhjeve dhe pse procesi zgjedhor është nul

608
Sigal

Prof. Asoc. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë

Presidenti me dekretin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve në 30 qershor, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse i ka hapur rrugë partive politike për të shmangur përplasjet civile dhe konfliktet, edhe për të pasur një siguri publike, që partitë të ulen dhe të merren vesh me njëra – tjetrën. Pra, që marrëdhëniet të mos shkojnë duke u acaruar në ekstrem, por të zbuten

Dekreti i Presidentit është në fuqi, derisa nuk është shfuqizuar nga Gjykata kompetente

 

Prof. Asoc. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë në intervistën për gazetën “Telegraf” vlerëson se dekreti i Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve është bërë për interes kombëtar, për të shmangur trazirat civile, por edhe një mundësi që palët politike të gjejnë zgjidhjen në marrëveshje. Prof. Muçi pohon se, çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve, qoftë edhe me marrëveshje politike është shkelje e Kushtetutës. Prof. Muçi thotë se dekreti i Presidentit të Republikës, derisa u shpall në gazetën zyrtare është i detyrueshëm si çdo ligj, që të respektohet e të zbatohet, deri sa gjykatat të marrin vendim për të. Nëse institucionet shtetërore nuk e zbatojnë dekretin e Presidentit të Republikës, kjo është anarki. Prof. Muçi pohon se vetëm Gjykata Kushtetuese ka tagrin kushtetues të gjykojë dekretin e Presidentit. Prof. Muçi argumenton se sulmi ndaj Presidentit të Republikës, vështirësia që Ai të kryejë detyrën ka pasoja katastrofike, sepse paralizon gjithë reformën në drejtësi, ngaqë nuk mund të zgjidhen dot Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese etj.

  1. Interesi kombëtar

-Prof. Muçi, si do ta vlerësonit Dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore?

– Po ta shikosh strikt nga pikëpamja kushtetuese, unë mendoj se ndodhemi përpara një shkeljeje të Kushtetutës, sepse Presidenti i Republikës, nga Kushtetuta është i ngarkuar të bëjë shpalljen e ditës së zgjedhjeve dhe këtu mbaron detyra e tij dhe nuk ka më problem me zgjedhjet. Kushtetuta nuk i jep kompetenca Presidentit që të kryejë më veprime të tjera, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve. Por, ne ndodhemi në një situatë të tillë, ku të mençurit dhe të urtët nuk dëgjohen, por brohoriten ata që bëjnë sherr. Presidenti e ka vlerësuar, si Kryetari i Shtetit që është, se ne ndodhemi në një situatë të turbullt, që mund të krijohen shqetësime për sigurinë publike. Duke shfuqizuar dekretin e lidhur me ditën e zgjedhjes, veproi drejt, apo jo, është çështje e vlerësimit politik, nuk mund të jap një vlerësim. Por unë mund të them: A është nisur Presidenti edhe nga praktika e mëparshme dhe ka pasur ndryshim të datës së zgjedhjes? Problemi shtrohet se Presidenti e bëri ndryshimin e datës së zgjedhjes pa miratimin e partive politike të interesuara, siç pretendohet. Madje, justifikohen me rastet e mëparshme të ndryshimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti, se vendimi i Presidentit atëherë është bërë me kërkesën e partive politike. Tani unë shtroj pyetjen: Në qoftë se mazhoranca dhe opozita kërkojnë Presidentit ndryshimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti, e shkel apo nuk e shkel edhe në këtë rast Kushtetutën? Presidenti e shkel Kushtetutën, për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, edhe kur e bën këtë me kërkesën e partive politike, edhe kur e bën pa kërkesën e partive politike. Pra, nuk është justifikim që të thuhet, se Presidenti shkeli Kushtetutën, sepse shfuqizimin e datës së zgjedhjeve e bëri pa marrëveshjen e partive politike. Mirë, do ishte, që të kishte një konsensus, por Presidenti dha sqarimet, se partitë politike nuk e dëgjuan apelin e Tij.

– Mos vallë Presidenti u nis më shumë nga interesi kombëtar, sepse gjykoi që cenohet rendi publik, sesa nga marrëveshja dhe interesat e partive politike…?!

– Presidenti me dekretin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve, në 30 qershor, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse i ka hapur rrugë partive politike për të shmangur përplasjet civile dhe konfliktet, edhe për të pasur një siguri publike, që partitë të ulen dhe të merren vesh me njëra – tjetrën. Pra, që marrëdhëniet të mos shkojnë duke u acaruar në ekstrem, por të zbuten. Presidenti këtë ka vënë prioritet. Presidenti i ka hapur rrugë opozitës, i ka thënë: “Thirri mendjes, sepse opozita, duke dalë nga Parlamenti ka krijuar një situatë të tillë, që gjerat tani nuk mund të zgjidhen më në rrugë ligjore, që të zgjidhen gjërat sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, sepse opozita duhet të ishte në Parlament, që të nxirrnin ligje, rregulla, të ndryshonin Kodin Zgjedhor. Presidenti i Republikës ndodhet përpara një situate të tillë: Ose nuk duhet të merret në konsideratë fare kjo opozitë e t’i thuash, që derisa ike nga parlamenti asgjësohu, ose, duhet që palët të bien në marrëveshje dhe t’i zgjidhin krizat në mënyrë konsensuale dhe me marrëveshje politike. Ndryshe, nuk ka rrugë tjetër. Presidenti u jep mundësi me shfuqizimin e datës së zgjedhjes, që palët të ulin gjakrat, të bëhen më të matura, të urtë dhe të venë interesin kombëtar, mbi interesin e partisë. Mua nuk më duhen arsyet partiake që thonë se Presidenti është nisur nga ajo e nga kjo. Mua më duket se dekreti që ka marrë, e realizon këtë qëllim në interesin kombëtar të mirëkuptimit. Në qoftë se partitë politike nuk i nënshtrohen logjikës dhe nuk ulen në tavolinë për zgjidhjen e krizës, kjo do të jetë një fatkeqësi për vendin tonë.

  1. Anarki

– Dekreti ka hyrë në fuqi, derisa u botua në Gazetën Zyrtare. A mundet që institucionet shtetërore, KQZ-ja apo partiake, subjektet elektorale, të mos e zbatojnë?

– Tani çdo njeri që ka mbushur 18 vjeç dhe është i përgjegjshëm dhe e di shumë mirë që ligjet, dekretet e Presidenti, vendimet e gjykatave janë të detyrueshme, edhe kur ndokush i gjykon se ato janë të gabuara. Nëse dekreti i Presidentit ose edhe një akt tjetër, është i drejtë apo i padrejtë, është i ligjshëm, apo i paligjshëm, është i vlefshëm apo i pavlefshëm, nga pikëpamja e vlefshmërisë juridike, nuk është në vlerësimin e kujtdo që të gjykojë, që dekreti është… i pavlefshëm dhe unë nuk e zbatoj. Ky qëndrim të çon në anarki. Ka një procedurë të caktuar, që ndaj një akti, cilido akti, ndaj një ligji, të gjitha janë të detyrueshme të zbatohen, ndërkohë, paralelisht, edhe pse cilido ka të drejtën e animimit në organin kompetent. Në qoftë se palët e interesuara gjykojnë, se ligji apo ligjet nuk janë në përputhje edhe me Kushtetutën, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e ligjit. Organi që pretendon, se dekreti i Presidentit është i gabuar, është i detyruar t’i nënshtrohet procedurës së ankimimit kundër këtij dekreti dhe dekreti është i detyrueshëm të zbatohet deri sa organi kompetent të marrë vendim, nëse e shfuqizon ose jo. Në momentin kur organi kompetent e shfuqizon, edhe sikur të jetë shfuqizuar gabimisht, prapë është i detyrueshëm të zbatohet vendimi i organit kompetent. Ky është shteti ligjor, ky është shteti i së drejtës. Po ju përmend një analogji. Në çështjen e 21 janarit 2011. Qeveria e Berishës në ato kohë nuk zbatoi urdhrat e Prokurorisë në ato kohë, për ndalimin e personave që pretendohej nga organi i akuzës, se kishin kryer vepër penale. U shqetësuan që të gjithë, si ka mundësi që në një shtet demokratik, Ekzekutivi të mos zbatojë vendimet e Gjyqësorit?! Edhe tani, është e njëjta gjë, nëse nuk zbatohet dekreti i Presidentit nga KQZ-ja dhe partitë politike për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. Duhet të jemi konsekuentë dhe të jemi me të njëjtin standard. Të gjithë janë të detyruar të zbatojnë ligjin, dekretin, deri sa kohë ky dekret e ligj nuk është shfuqizuar nga organi kompetent.

  1. Shkarkimi i Presidentit

– Prof. Muçi, a mundet një dekret i Presidentit të Republikës të përbëjë precedent për të kërkuar shkarkimin e Tij, sipas kushteve që përmban Kushtetuta, nëse ky dekret gjykohet nga Gjykata Kushtetuese, se bie ndesh me Kushtetutën?

– Presidenti, sipas Kushtetutës, shkarkohet në 3 raste: Kur shkel rëndë Kushtetutën, kur kryen krim të rëndë dhe kur është i paaftë të kryejë detyrën. Supozojmë, se ndodhi shkelja e Kushtetutës. Është Gjykata Kushtetuese ajo që do vlerësojë përfundimisht, nëse është shkelje e rëndë, nga ato që përbën shkak për shkarkimin e Presidentit. Nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon dekretin e Presidentit, që nuk shprehet më tej, atëherë, nuk përbën precedent që të kërkohet shkarkimi i Presidentit.

– A mundet Parlamenti të diskutojë rezoluta për shkarkimin Presidentit, kur Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendime për shkelje të rënda të dekretit, ligjit apo veprimeve të tjera nga Presidenti?

– Kuvendi ka të drejtën të fillojë procedurën për shkarkimin e Presidentit, nëse Kuvendi mendon se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën apo ka bërë një krim të rëndë. Nëse 2/3 e Kuvendit votojnë kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, ata vendimin ia dërgojnë Gjykatës Kushtetuese, e cila përfundimisht është organi kompetent që vendos shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës. Shkarkimi i Presidentit kërkohet kur ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe jo në rastet kur ka shkelur Kushtetutën.

– Shfuqizimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti, a është shkelje e rëndë e Kushtetutës?

– Nuk e di. Këtë gjë e gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Por, kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Republikës ka shfuqizuar datën e zgjedhjeve dhe, derisa nuk është hera e parë, është vështirë që ta quash “shkelje e rëndë e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës”.

  1. Procesi Zgjedhor, NUL

– Po nëse kjo kohë e ankimimit kundër dekretit të Presidenti të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve nuk bëhet brenda 30 qershorit, a mund të zhvillohen dot zgjedhjet vendore?

– Sipas gjykimit tim, pa u shfuqizuar dekreti i Presidentit, nuk mund të kryhen veprime të mëtejshme në procesin zgjedhor. Pasandaj, është i drejtë apo është shkelje e rëndë e Kushtetutës dekreti i Presidentit të Republikës, e gjykon Gjykata Kushtetuese.

  1. Gjykata Kushtetuese, kompetente

– Gjykata Administrative a merr dot atributet e Gjykatës kushtetuese?

– Asnjë gjykatë nuk merr dot atributet e asnjë gjykate tjetër. Këtu çështja është, nëse me dekretin e Presidentit të Republikës kemi akt normativ, akt individual dhe tek cila gjykatë do kundërshtohet. Nëse është akt normativ i Presidentit do gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Nëse është akt individual, do gjykohet në Gjykatën Administrative. Unë dekretin e Presidentit për shfuqizimin e datës së Zgjedhjeve e quaj akt deklarativ dhe gjykohet në Gjykatën Kushtetuese.

– Prof. Muçi, a mund të ngrihet me emergjencë Gjykata Kushtetuese me këto kushte që jemi, kur nuk kemi Gjykatë të Lartë, kur Presidenti kërkohet të shkarkohet?

– Nuk e besoj se e ka shtruar këtë problem të emergjencës së Gjykatës Kushtetuese, sepse ka një procedurë që duhet respektuar kushtetueshmërisht. Janë 9 anëtarë që duhet të ketë Gjykata Kushtetuese, nga këta 3 i zgjedh Kuvendi, 3 Presidenti i Republikës dhe 3 Gjykata e Lartë. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk i ka 9 anëtarë, por ka mbi 5 veta, nuk është ndonjë shkelje, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kaq anëtarë, sa të paktën, duhet të funksionojë, që të japë vendime të vlefshme.

– Prof. Muçi, në kushtet aktuale të Shqipërisë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, KQZ vetëm me anëtarë të PS-së, Parlament pa opozitë, nëse rrëzojnë edhe Presidentin e Republikës, cilat janë pasojat?

– Argumentuam, që nuk e shkarkojnë dot, pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese…

  1. Rënia e Shtetit, cenimi i Presidentit

– E zëmë, se gjejnë mënyrën procedurale dhe e shkarkojnë Presidentin, sikurse në kundërshtim me Kushtetutën, emëruan Kryeprokuroren e Përkohshme, që ka 2 vjet që ushtron pushtet…

– Nuk e zëmë, sepse unë flas si jurist, unë flas për shtet Ligjor, unë fals për shtet të së Drejtës e nuk flas për anarki…Kuvendi ka të drejtën kushtetuese të fillojë procedurën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, e kur të krijohet kjo gjykatë, të shprehet… Çfarë mund të ndodhë, nëse në këto kushte ku jemi, shkarkohet edhe Presidenti i Shqipërisë, unë nuk e parashikoj dot, por që nuk do të ndodhin gjera të mira, këtë unë e them me bindje.

– Pasojat, cilat do të jenë?

– Po pasojat do të jenë në fusha të ndryshme, prandaj nuk mundem dot ta parashikoj dot. Për sa i përket pasojave në Reformën në Drejtësi, mund të jem më konkret. Presidenti i Republikës ka kompetencën kushtetuese të emërojë Gjykatën Kushtetuese mbi propozimin e KLGJ-së. Unë mendoj se goditja e Presidentit të Republikës, qoftë edhe vënia e tij para një pozite, që të mos mundet dot ta kryejë detyrën kushtetuese në kushte normale, do ndikonte negativisht. Një nga pasojat e rënda, do të ishte së pari në reformën në Drejtësi. Presidenti i Republikës ka kompetenca kushtetuese të emërojë anëtarët e Gjykatës së Lartë, me propozimin KLGJ. Gjykata e Lartë, zgjedh 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, njëkohësisht, 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i zgjedh Presidenti i Republikës. Nëse nuk funksionon Presidenti i Republikës, mbetet pa u ndërtuar Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, e me radhë, SPAK. Kështu paralizohet e tëra reforma në Drejtësi.