Flet për herë të parë, Klement Balili: “Eskobari i Ballkanit”, mohon akuzat, skenar për dëmtimin e kryeministrit

451
Sigal

Flet për herë të parë Klement Balili, shqiptari i cilësuar nga policia dhe mediat greke si “Escobari i Ballkanit”. Ish-drejtori i Transportit në Sarandë, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, në një intervistë për mediat greke, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet greke. Balili i ka cilësuar ato si një rast që duhet për t’u shfrytëzuar politikisht dhe me qëllim që të dëmtojë kryeministrin Edi Rama, shrkuan panorama.

“E gjithë historia, siç mësova nga avokati im Alexis Kougias, është e sajuar dhe nuk ka prova kundër meje, por vetëm një skenar i ndërtuar në mënyrë arbitrare nga policia duke u bazuar në një kontakt timin me anë të telefonit për një çështje krejtësisht pa lidhje me një nga personat që aktualisht është i përfshirë në këtë rast. Unë e dija se ai person kishte sjellje të jashtëligjshme. Jam i sigurt se disa anëtarë të policisë e ndërtuan këtë hetim ndaj meje së bashku me ishkryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për shkak se nipi im, i cili është avokat, është anëtar i rëndësishëm i Partisë në pushtet në Shqipëri dhe për këtë arsye ata krijuan këtë rast për shfrytëzuar atë politikisht dhe të dëmtojnë kryeministrin Edi Rama”, thotë Balili, shkruan “Ethnos.gr”.

Klement Balili, ish-drejtori i Transporteve në Sarandë, që prej muajit maj të këtij është shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në Evropën Qendrore dhe Evropën Perëndimore.

Nga hetuesit e huaj ka rezultuar se gjatë veprimtarisë së 44-vjeçarit në këtë organizatë, ai përdorte pseudonimin “Keli”. Ndërkohë, në një intervistë për mediat, Balili mohoi të kishte lidhje me drogën, duke sqaruar se emri i tij ishte duke u përdorur politikisht dhe se kjo nuk është hera e parë që po sulmohej nga opozita.