Flet Oerd Bylykbashi: Protesta e opozitës, deputetët dhe kryebashkiakët e inkriminuar, çështjet Tahiri, Xhafa dhe ambasadori i SHBA

704
Sigal

Shqipëria ka një detyrim në rrugën drejt demokracisë, të largojë Edi Ramën nga pushteti

Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së: Protesta e opozitës, denoncimi i deputetëve kriminelë dhe kryebashkiakëve  me dosje që janë ende në drejtim, çështja Tahiri, skandali Xhafaj, deklarata e ambasadorit amerikan dhe 200 kriminelët e 21 Janarit

Oerd Bylykbashi, deputeti i PD-së, në intervistën te “Aktualiteti” edhe një herë pohon, se Edi Rama erdhi në pushtet, më 2013-n përmes marrëveshjes që bëri me njerëzit e botës së krimit, dhe kjo u duk menjëherë kur bëri deputetë persona me rekorde kriminale dhe, paskëtaj, në 2015-n bëri kryebashkiakë njerëz që ishin dënuar për krime. Më vonë, thotë zoti Bylykbashi, Edi Rama si kryeministër hashashizoi gjithë Shqipërinë me Saimir Tahirin, duke kriminalizuar gjithë ekonominë, ndërkohë që shqiptarët detyrohen të braktisin Shqipërinë, për shkak të mjerimit dhe papunësisë. Zoti Bylykbashi thotë gjithashtu, se sot  jemi para  një realiteti absurd, ku ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj,  bën çmos që të vëllanë e tij trafikant droge ta mbrojë me çdo kusht, madje edhe nëpërmjet falsifikimit të ligjit.

-Zoti Bylykbashi, në aksionin tuaj politik, çfarë ishte protesta e opozitës më 26 maj 2018?

-Ju e thatë vetë ishte një protestë, e cila u dëshmoi të gjithë shqiptarëve në mënyrë shembullore, së pari, cila është partia demokratike, cila është opozita, dimensionin e saj krejtësisht evropian, por nga ana tjetër, pikërisht për këtë dimension opozita dhe shqiptarët nuk pranojnë lidhjen e qeverisë me krimin. Ajo protestë ishte dëshmi e pastër dhe e qartë e këtij mospranimi.

-Keni 5 vjet që denonconi, keni filluar me Albert Frrokun dhe ja ku kemi mbërritur tek Fatmir Xhafaj. Në fakt, jeni e vetmja opozitë në historinë e të gjitha demokracive evropiane që po luftoni dhëmb për dhëmb me krimin ?

-Ajo që ndodh sot, dmth fakti që ne sot kemi Fatmir Xhafën ministër të Brendshëm, kur i vëllai i tij, jo vetëm që është një trafikant droge i dënuar me vendim përfundimtar dhe që duhet të bëjë burgun që s’e ka bërë ende, ndërkohë që kuksianët mbahen edhe sot  në burg duke iu dhunuar të drejtën e tyre elementare, lirinë për të shkuar në shtëpi. Por edhe më e rëndë bëhet situata, kur në mënyrë absurde janë policët e Fatmir Xhafës, ata që i kanë arrestuar për gjithë natën. Pra, nuk jemi vetëm te ky fakt abuzues, jemi më shumë se sa kaq, jemi tek një ministër i Brendshëm me dy standarde, që bën çmos që të vëllain e tij trafikant droge ta mbrojë nëpërmjet edhe falsifikimit të ligjit. Por jemi akoma prapë më shumë se kaq, kemi dy ministra rresht të brendshëm, (posti më i fuqishëm në qeveri në kushtet  e Shqipërisë), të cilët janë kokë e këmbë të lidhur me aferat e trafiqet e drogës. Saimir Tahiri në 4 vite bëri gjëmën më të madhe, dhe e bëri me lejen e Edi Ramës, me planin e Edi Ramës; kanabizoi totalisht vendin, kriminalizoi policinë e shtetit, kriminalizoi më tej edhe ekonominë. U kriminalizua edhe shoqëria, djem të rinj, të cilëve iu ofrua mundësia dhe lehtësira për t’u përfshirë në një botë kriminale nën mbrojtjen e shtetit dhe këto dukuri janë me pasoja të rënda; të cilat po i shohim edhe sot. Djem të rinj nga Shqipëria gjenden të përfshirë rregullisht në operacionet e goditura anti-drogës në Evropë. Gjenden djem nga Shqipëria – jo emigrantë, djem nga Shqipëria që kanë shkuar atje për t’u bërë pjesë e këtyre trafiqeve nëpër vende të ndryshme të Evropës. Pra, praktikisht kjo platformë kriminale e Edi Ramës u përdor për të ardhur në pushtet dhe për të qëndruar, është sot ajo që, jo vetëm po shkatërron Shqipërinë këtu brenda, por po shkatërron çdo lloj imazhi dhe mundësie në procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë. E gjitha kjo ka të bëjë me atë paktin që ne denoncuam që në fillimin e parlamentit në 2013-n, kur ne sapo dolëm në opozitë: Edi Rama erdhi në pushtet në koalicion me krimin. E bëri marrëveshjen më herët, 21 janari ajo tufë prej 200 kriminelësh, trafikantësh, edhe të lloj lloj skutash të tjera të krimit, ishin ata, të cilët  goditën me dhunë policinë e shtetit  dhe institucionet, si prova e parë e kësaj marrëveshje, që Edi Rama kish bërë me krimin për të ardhur në pushtet me çdo kusht. Marrëveshjen e nënshkruan qartazi mbi ndarje aferash të mëvonshme në vitin 2013, të cilën përsëri e denoncuam në atë kohë që ishte kriminalizimi i parlamentit shqiptar, 19 kriminelë në parlament. Parlamenti shqiptar u detyrua që të miratonte një ligj për dekriminalizimin, e kjo situatë nuk ishte produkt i PD-së. Ky nuk ishte produkt i një qeverisje 8-vjeçare, që me gjithë problemet e veta, përfshirë edhe problemet e korrupsionit brenda, sepse Shqipëria s’ka shpëtuar nga kjo e keqe, siç nuk kanë shpëtuar edhe vende të tjera. Por në 8-vjeçarin e qeverisjes së PD-së u nënshkrua Marrëveshja  e stabilizim asociimit, u bë anëtarësimi në NATO, u pranua kërkesa e Shqipërisë për aplikim për anëtarësimin në BE, madje iu dha edhe pyetësori, i cili mori gati një vit punë të jashtëzakonshme, u liberalizuan vizat dhe u bëmë gati për të hyrë në BE. Të gjitha këto nuk do të ndodhnin, nëse ne do të kishim, jo 19, po 5 kriminelë në parlamentin shqiptar; nuk do të na toleronte dhe nuk do të na e falte njeri. Pra, ai kriminalizim i menjëhershëm nuk ishte produkt i qeverisjes sonë, që me gjithë këto probleme e çoi Shqipërinë nga një pikë, ku e kishte lënë qeverisja e PS-së në 2005-n,  në një moment tjetër, ku Shqipëria tashmë po ndjehesh e barabartë, të paktën në rajon me vendet fqinje. Kështu, që është rezultat i platformës kriminale të Edi Ramës; e nisur me 21 janarin, e vazhduar me 2013-n me parlamentin  e kriminalizuar dhe më pas me mbushjen e bashkive me kriminelë; Elvis Rroshi është shembull dhe kryetarë të tjerë bashkish, për të vazhduar me ministrat e brendshëm të përfshirë drejt për drejt me krimin, e gjitha kjo tregon një gjë: Edi Rama i ka këmbët dhe duart të zhytura thellë në marrëveshje me krimin dhe me bandat, të gjitha këto të tjerat janë simptoma.

-“Jam i bindur që Habilajt ia lanë me inventar Agron Xhafajt të gjithë Vlorën. Këtë bindje kemi, thotë ky shtetas, për arsye se magazinat i dinte shumë mirë Agron Xhafaj dhe emërimet i bënte Agron Xhafaj”. Sa qëndron kjo për opinionin e Oerd Bylykbashit?

– Një gjë është sigurt, iku një bandë ka ardhur një bandë tjetër. Ikën Habilajt që dominonin Vlorën, sot është Agron Xhafaj, audiopërgjimi është një provë për të dhe këtë e dinë qytetarët vlonjatë, rasti në fjalë, teleshikuesi është një nga ata qytetarët e thjeshtë vlonjatë, të cilët nuk pranojnë këtë fakt. Një Vlorë, një qytet që ka një krenari të lindur nuk mund të pranojë që t’i nxihet imazhi nga një tufë banditësh, të cilët kërkojnë të marrin pushtet me çdo kusht; nëpërmjet trafiqeve  bizneseve ricikluese të parasë së pisët dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet pushtetit politik. Kanë projektuar deri në nivelin e ministrit.

– Audiopërgjimin e dëshmitarit X shumë vlonjatë që e dëgjuan dhe që e njihnin protagonistin mendojnë se qëndron. Kur Xhafaj Junior e pranoi vetë që është i dënuar atëherë, sipas jush, çfarë kërkon ministri Xhafaj?

– Besoj që përpjekja për të thënë është falso është pa pikën e vlerës. Fakti që Agron Xhafaj është në krye të këtyre historive e provon çdo qytetar vlonjat, e dinë të gjithë, por nuk është dënuar Agron Xhafaj në vitin 2012 nga gjykata më e lartë Italiane, nuk është dënuar me formë të prerë thjesht se mori një kilogram hashash dhe e çoi prej Barit në Bolonja. Vendimi i gjykatës thotë: Dënohet për faktin që, ndër të tjera, ishte në krye të një rrjeti shpërndarjeje të kokainës me pakicë në Bolonja. Pra kemi një rol prej krye trafikanti dhe, nëse ke hyrë një herë në këtë lloj loje, zor që këta njerëz të shmangen. Bizneset ku janë përfshirë këta sot e kësaj dite, bizneset e lojërave të fatit ku kjo bandë është goxha e përfshirë, janë biznese tipike të riciklimit të parasë së pisët. Jo se të gjitha bizneset janë kështu, por në të gjithë botën njihet risku i lartë që kanë këto lloj biznesesh. Kështu që në këtë aspekt ta marrësh dhe ta përcaktosh një trafikant si ky për faktin se e ke vëlla siç bëri Fatmir Xhafaj e të thuash që ishte rast fatkeq, ishte moment i keq, moment i pa duhur, rrethana të këqija, shoqëri e keqe që i prishën të vëllain. Sapo u ndryshua kodi i procedurës penale në mënyrë të një anshme nga kjo qeveri,  pra nga socialistët dhe me votat e veta, të gjithë thanë Fatmir Xhafaj e bëri për vëllain e vet. Kjo gjë dihej që në momentin kur u mblodhën të dhënat bazë bashkë, përfshirë edhe momenti kur na erdhi në dispozicion edhe vendimi i gjykatës së lartë Italiane, atëherë të gjitha këto ishin prova një për një për atë çfarë ishte bërë. Tani që një ministër i Brendshëm, kryetar i reformës në drejtësi, kryetar i komisionit të ligjeve të bëjë këto veprime për të mbrojtur një trafikant e, bashkë me të, ka mbrojtur edhe trafikantë të tjerë, ka penguar tashmë marrëveshjen e ekstradimit me Italinë, me Anglinë dhe me Amerikën, që kanë dalë nga loja, sepse nuk mund të ekstradohen më. Po ata të dënuar, të cilët dënohen në këto vende dhe arratisen për t’u fshehur këtu, ky është një nga veprimet jo thjesht më dëmtuese, por është nga më të turpshmet që mund të bëjë edhe një ministër siç e thatë edhe ju, çfarë pret nga Fatmir Xhafaj?! Fatmir Xhafaj duhej të kishte ikur, nëse del edhe me atë teorinë; jo po kishte kaq njerëz apo kishte aq njerëz në protestën e opozitës, çfarë do Fatmir Xhafaj? Sa do një milion banorë qytetarë që protestojnë përpara zyrës së tij?!

– PD-ja ka për qëllim t’i marrë pushtetin Ramës apo kërkon që të eliminojë narkotrafikantët nga qeveria?

Momentin kur Rama e ka paktin me narkotrafikantët, ikën Rama. Në fakt Rama duhet të ikë, jo vetëm për demokratët, Rama duhet të iki edhe për socialistët gjithashtu. Besoj që në atë vetminë e gjithsekujt kur mendon me veten e vet edhe socialisti më i bindur, por nga ana tjetër i drejtë në vetvete i ka bërë vetes të njëjtën pyetje si ajo që gazetarja i bëri  Edi Ramës: O zotëri nuk ke ti një ministër të Brendshëm nga radhët e parisë socialiste që të mos jetë i lidhur me krimin?! Jo vetëm që e kanë zënë për gryke Ramën ata, sepse në këtë moment kur bën ligjin djalli, djalli përfiton më shumë, mafia sot përfiton më tepër, por marrëveshja është e pastër dhe e qëllimshme, sepse Edi Ramës në fund fare i intereson diçka: Ta marrë pushtetin, ta mbajë pushtetin sa më gjatë, ai ka provuar ta bëjë këtë në bashkinë e Tiranës kur u lidh  me kriminelë dhe banda.

– Thuhet me bindje se nuk e  ka regjistruar zërin fare Agron Xhafaj, por është një zë tjetër dhe jo i Agron Xhafës, prokuroria e ka pranuar këtë kompromis të fëlliqur, nuk besohet që të ketë qenë atë natë në prokurori, por vazhdojnë me këto kalkulime me një prokurore të përkohshme

– Në të gjitha përpjekjet e Ramës dhe të Xhafajt për t’u marrë me këtë çështjen është në të vërtetë si si të kacavirresh në xham dhe këto manovra nuk ngjisin, dhe mirë e thatë, me këtë prokurore provizore e cila duket se do të jetë më afatgjatë se ç’e mendonim, madje nga çdo ish prokuror tjetër, sepse ajo i duhesh Ramës atë zgjodhi, ajo për turp të saj pranoi të bënte betimin mbi kushtetutë në institucionin e Parlamentit në një situatë antikushtetuese. Kështu u bë zgjedhja e saj, por pasojat janë në fakt mbi të gjithë sistemin dhe mbi të gjithë drejtësinë shqiptare dhe mbi të gjithë shqiptarët. Cili shqiptar e beson që kur të dalë Edi Rama të thotë “Ja unë kam certifikatën e Arta Markut provizores sime të përkohshme që Fatmir Xhafaj dhe Agron Xhafaj janë të pastër, cili shqiptar e beson këtë? Unë nuk e besoj këtë, edhe socialistët e vet nuk kanë për ta besuar. Pra, tashmë do të bëhet çmos që të çmontohet e të fillojë presioni, qoftë për personin mbi atë dëshmitarin, që për arsyet e tij e nisi këtë histori, ish-trafikant, ish-shok armësh i Agron Xhafajt. Dimë fort mirë se nuk do të kishte maksiproces në Itali, nëse nuk do të kishte pasur të penduar të mafias dhe, nëse një dëshmitari të tillë do të marrim t’i shohim certifikatën morale, më pas ne sot duhet të kishim Toto Rinën jashtë burgut, më saktë sot ai ka vdekur, por do të kishim atë bandën e tij, kupolën e mafias duhet ta kishim jashtë burgut, pse-sepse ata që e çuan në burg ishin bashkëpunëtorët e këtyre mafiozëve. Kështu që nuk ka asnjë gjë në këtë histori, këtu çështja është krejt tjetër, janë fakte të cilët thjeshtë, i vërtetojnë më tej shqiptarëve faktin e kooluzionit dhe përzierjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafës, Saimir Tahirit më herët në këto afera kriminale për ta mbajtur në pushtet. Ne e dimë shumë mirë se kanë ardhur në pushtet nëpërmjet shitblerjes së votës, e thotë rekomandimi numër 2 prioritar i OSBE ODIHR-it thotë: shit-blerja e votës është problem i rëndë, ishte problemi numër: 13 në 2015-n e shkoi te numri 2. Pse, sepse e kanë parë dhe e kanë provuar edhe nga Bashkimi Evropian nëpërmjet atij sondazhi që thotë: 20% e votës është blerë. Një sondazh tjetër shumë prestigjioz, thotë 30% e votës është blerë, pra nuk blihet kjo sasi votash vetëm me para korrupsioni, kjo blihet me paratë e drogës, me paratë e asaj drogës së 2016-s që mbyti Shqipërinë, dhe po mbyt Evropën sot e kësaj dite, edhe pse këtu nuk mbillet më.

– Në reagimin e ambasadorit amerikan thuhet, se Saimir Tahiri po blen gjykatat, si e komentoni ju këtë? Çfarë ndodh?

– E kemi denoncuar që në fillimet kur filloi reforma në drejtësi e udhëhequr nga Fatmir Xhafaj, ai që ndryshoi kodin e procedurës penale për vëllain e vet trafikant, mori porosi nga Edi Rama, porosia ishte shumë e thjeshtë, unë dua të kapet sistemi i drejtësisë e dua unë për dy arsye. Godas atë që dua dhe mbroj veten time për 20-30 vitet e ardhshme. Si? Duke kontrolluar sistemin e drejtësisë ,jo thjesht duke qenë unë një kryeministër i fortë, por duke vënë njerëzit e mi në sistemin e drejtësisë, si rezultat u shkërmoq sistemi dhe do të mbushet me militantët e tij vetëm për këtë arsye.  Që Edi Rama të ketë një mbrojtje afatgjatë. Ky është momenti që shpjegon mbrojtjen që iu bë Saimir Tahirit. Ai e filloi betejën duke përdorur parlamentin si gjykatë, duke i mohuar provat për arsyen e arrestit të Saimir Tahirit, më pas u lirua Orest Sota, e të tjera me radhë, kështu që të tentohet për t’u blerë gjyqtarët, të cilët janë në një presion të jashtëzakonshëm nga Edi Rama tashmë, këto janë vetëm provat në sytë e publikut shqiptarë dhe ambasadori ka vendosur tashmë ta thotë këtë gjë që përbën çështje, është kjo lloj drejtësie ku duket se Gjykata Kushtetuese nuk ekziston më, Gjykata e Lartë po jep grahmat e fundit, gjyqtarët që vijnë nën to, nëse atje sipër bën kaq kohë e keqe, ç’duhet të bëjmë ne? Çfarë kërkon, e për rrjedhojë çfarë drejtësie presin shqiptarët?!  Kuksianet sot janë në burg, vëllai i Fatmir Xhafës i dënuar e kaloi në një konvalishencë shumë të rehatshme të gjithë dënimin e tij duke vazhduar të bëjë biznesmenin dhe, sot e kësaj dite, nuk e dimë ende, nëse ka filluar ta vuajë dënimin  apo rasti i Saimir Tahirit që sapo u lirua nga  arresti i shtëpisë.

– Kjo beteja e protestave, është një shpresë apo duhet të jetë një front akoma më i madh i opozitës?

– Protesta e fundit ishte ajo e cila i drejtohej largimit të ministrit të Brendshëm Xhafaj, por Fatmir Xhafaj është menteshë në portën e Edi Ramës. Në qoftë se në një vend si Shqipëria ku katër oficerë policie, të cilët janë të përfshirë tashmë qartazi në proces për këtë gjë, zhduken sa hap e mbyll sytë është qartazi, se çfarë lloj shteti është ky. Kemi Fatmir Xhafën i cili doli i pari, të nesërmen e skandalit të Saimir Tahirit dhe e mbrojti; mundet nuk e  duron dot, mund të mos dojë ta shohë me sy Saimir Tahirin, por ata i lidh me njëri tjetrin halli që kanë. I kanë zhytur duart në krim dhe korrupsion aq shumë sa që, nëse nuk do të jenë në pushtet, halli për ta do të jetë shumë i madh. Jo më kot ata sot e kësaj dite mbajnë të bllokuar një nga  elementet  kyç të reformës në drejtësi, që është SPAKU, pra prokuroria dhe gjykata e posaçme anti-korrupsion dhe krimit të organizuar. Nëse ne sot do të kishim reformën në drejtësi, siç ishte në 22 korrik, të zbatuar, se kanë kaluar 2 vjet nga koha kur firmosëm dhe votuam ato ndryshime ne do të kishim SPAK-un i cili është i pavarur nga prokurori i përgjithshëm qoftë edhe nga Arta Marku, dhe do të ishte ai që do të vendoste me prangat në dorë ministrave, vëllezërve të ministrave drejtorëve etj., dhe ndoshta mund t’i vinte radha edhe Edi Ramës.