Flet Nard Ndoka: PS ka blerë vota me eurot e drogës dhe korrupsionit qeveritar. Si po kopjohet Erdogan dhe Putin

686
Jakup B. GJOÇA

PS-ja është financuar nga eurot e drogës, kjo e vërtetuar nga antimafia italiane
Oligarkët janë krijuar kryesisht nëpërmjet financimit të partive në pushtet, financojnë fushatat dhe kërkojnë “haraçet” nga qeverisja e tyre, në dëm të konkurrencës dhe taksapaguesve shqiptarë. Rasti i koncesioneve, është një fakt i dukshëm, i prekshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm
Nard Ndoka, deputet dhe kryetar i PDK-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se oligarkët në Shqipëri u krijuan nga financimet e partive politike dhe paskëtaj financojnë fushatat e tyre elektorale. Ndërsa KQZ-ja formalisht bën auditin e financimit të partive politike dhe nuk kontrollon fushatën, shpenzimet reale, kostot mediatike, logjistikën, kompanitë, postera, flamuj dhe shpenzime pafund dhe të frikshme për realitetin shqiptar. Zoti Ndoka thotë se PS-ja është financuar nga eurot e drogës, ndërsa PD-ja nuk u financua, ndaj edhe humbi zgjedhjet parlamentare. 
– Zoti Ndoka Komisioni i Ligjeve do shqyrtojë raportin e veprimtarisë të KQZ për 2017. Por edhe KQZ publikoi auditin e saj për shpenzimet e partive për 2017. KQZ konstatoi se nuk ka një shkelje nga partitë për shpenzimet jashtë ligjit edhe pse në raporte të OSBE u shkrua se vota u shitble. Ju mendoni se është objektiv auditi i KQZ për financimin e partive në 2017?
– KQZ-ja kontrollon formalisht me audit privat, ato çfarë partitë vetëdeklarojnë. KQZ nuk kontrollon fushatën, shpenzimet reale, kostot mediatike, logjistikën, kompanitë, postera, flamuj dhe shpenzime pafund dhe të frikshme për realitetin shqiptar. Këto i shikon çdo shqiptarë, por KQZ-ja dhe institucionet kontrolluese jo!

– A është e vërtetë akuzat e PS për financime ruse për PD për lobingje?
– PS është financuar nga eurot e drogës, kjo tashmë e vërtetuar nga antimafia italiane, nga korrupsioni qeveritar, dukshëm i vërtetueshëm dhe flagrant. PS ka blerë votat, ka tjetërsuar vullnetin politik të shqiptarëve dhe ka përmbysur çdo sondazh dhe realitet politik. PD në opozitë është e privuar nga financimet shqiptare, jo më nga ato ruse! Gjithsesi, PD i ka humbur zgjedhjet, nëse do kishte financime, do t’i fitonte. Akuzat janë thjesht tërheqje vëmendje; hajduti bërtet, kapeni hajdutin!

– Zoti Ndoka, ku i gjejnë Financimet Partitë e mëdha që praktikisht shpenzojnë miliona euro e deklarojnë qindarkë?
– Oligarkët janë krijuar kryesisht nëpërmjet financimit të partive në pushtet, financojnë fushatat dhe kërkojnë “haraçet” nga qeverisja e tyre, në dëm të konkurrencës dhe taksapaguesve shqiptarë. Rasti i koncesioneve, është një fakt i dukshëm, i prekshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm. Rama ka futur një model të rrezikshëm në politikën shqiptare, blerje të mediave dhe nënshtrim dhe joshje të bizneseve të mëdha ne vend! Fenomen, alla Erdogan dhe Putin!

– A kanë vullnet politik PS dhe PD të hartojnë ligj elektoral të tillë që asnjë Parti politike të fshehë dhe të mundë të shpenzojnë financa pa dhënë llogari nga ligji?
– Për fatin e keq të dy këto parti i krijojnë vetes privilegje me ligj; për financim, kohë televizive, mundësi financimesh të deklaruara dhe të pista. Financimi duhet të jetë transparent nga buxheti dhe i barabartë për çdo subjekt politik që garon.

– A shikoni a besoni se reforma e re Zgjedhore do të kontrollojë e monitorojë më mirë financimet e partive politike?
– Kjo është një gropë e zezë e hapur, që kërkon vëmendje të madhe nga opozita. Në 2017 ne ramë pre e kurthit të ngritur pabesisht nga kryeministri Rama në zgjedhje. Përballje me grupe kriminale, me lekë droge dhe korrupsioni, duke shantazhuar dhe blerë komisionerë zgjedhjesh, por edhe vota të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë.

– A mund të kemi zgjedhje të lira, kur Administrata Zgjedhore është e politizuar, që nga KQZ e deri te militantët Partisë që numërojmë votat?
– Ky është problemi më i madh i procesit, zgjedhjet duhet të administrohen nga një trupë zgjedhore e depolitizuar. Duhet të marrim një model, që i përshtatet realitetit tonë, por urgjentisht duhet të heqim dorë nga militantët politikë, që i blen pushteti, sa herë që ka zgjedhje.

– Përse nuk depozitohet tani Administrata Zgjedhore?
– Se nuk ka vullnet politik, PS e PD kërkojnë të mbajnë monopolin e menaxhimit të zgjedhjeve, duke krijuar problem me standardet dhe duke tjetërsuar votat e subjekteve të tjera politike, në favor të tyre.

– A do të pranoni ju Reformë të re Zgjedhore pa u ndryshuar Kodi aktual Zgjedhor?
– Qëndrimi i opozitës shpresoj dhe besoj do të jetë i unifikuar, në të kundërt, Partia Demokristiane do mbajë qëndrimin e vet politik, ndaj këtij fenomeni, që përsëritet e përsëritet.

– Nëse PD – PS nuk do ta ndryshojnë Kodin Zgjedhor, ju partitë e tjera si do të veproni?
– Jemi në një aksion dhe bashkëpunim opozitar, po përpiqemi për unifikim qëndrimesh, por vërejmë luhatje dhe pasiguri në komisionin e reformës në Drejtësi. Jemi të vendosur për të evidentuar përgjegjësit dhe për t’u distancuar publikisht nga qëllimet e tyre.
Sigal