Flet Mirela Karabina: Përdorimi politik është dëmi më i madh që po i bëhet mësuesit dhe shkollës

790
Reformat në arsimin Parauniversitar, hipokrizia me arsimin falas dhe problematika me Bordet. Urdhri i kundërligjshëm i ministres Nikolla për Maturën, kaosi me pranimet në universitet dhe bllokimi i qëllimshëm nga administrata e MAS. Kallëzimi për ish-sekretarin e Përgjithshëm – avokati i Tahirit dhe emërimet nga “portali partiak” në DAR dhe ZA 
Si i vlerësoni ju reformat e ndërmarra nga ministrja Nikolla për Arsimin Parauniversitar?
Reforma është ndryshim i gjerë dhe i thellë i sistemit arsimor. Duke qenë e thellë ajo duhet të përmirësojë shkollën në përmbushjen sa më mirë të misionit të saj. Po si mund të besojmë, që po bëhet një reformë, kur menjëherë me marrjen e detyrës, ministrja e arsimit “mbylli në sirtar” një punë tri vjeçare të një grupi të specializuar mbi kurrikulën? Me mbështetjen e Bankës Botërore dhe specialistëve të huaj e shqiptarë për herë të parë u bë vlerësimi i kurrikulës. Dhe, mbi këtë bazë u hartua një kurrikul që i përgjigjej ritmeve dhe kushteve tona. Por, Ministria e Arsimit me fuqinë e pushtetit, “brenda natës” mori një kurrikul të huazuar nga Kosova. A mundet të ndodhë kjo? Ku jemi sot? Asgjëkund! Është shumë e thjeshtë: Kurrikula e huazuar ishte e pazbatueshme për kushtet tona, sepse ishte ndërtuar për kushtet e Kosovës, infrastruktura dhe mungesa e buxhetit të shkollave tona nuk e mundësonte këtë. Por kjo u hodh në treg në mënyrën më absurde të mundshme: 

-Mësuesi i panjohur dhe i pa trajnuar me metodologjinë e kësaj kurrikule; 
-Iinfrastruktura, numri i madh nxënësve në klasë, mungesa e mjeteve mësimore, mungesa e laboratorëve; mungesa e teknologjisë, e cila është domosdoshmëri në aplikimin e kësaj kurrikule; 

-buxheti i munguar i shkollave që e bën të pamundur realizimin e veprimtarive mësimore. 

-Mësuesit nuk i është qartësuar mbi thelbin e zbatimit të kësaj kurrikule; 

-Planet mësimore lëndore hartohen me bazë shkolle dhe jo individuale. Dhe, mësuesi këtë nuk e di akoma, dhe nuk ka se si ta dijë, sepse është aplikuar modeli i deformuar i kurrikulës. Demagogjia rrënuese me shkëlqimin e rremë mediatik ia ka arritur qëllimit: Mësues të hutuar dhe të çorientuar. Mësuesit janë kthyer në burokratë “shkresurinash” duke lënë mënjanë thelbin, mësimdhënien. Ky rrënim është me pasoja afatgjata. Gjithçka është ndërtuar mbi deformimin e modelit, si rasti i kurrikulës, ‘të bëjmë detyrat në shkollë’, “3 lëndë në 6 orë” etj.. Kjo është e keqja e madhe që po i bëhet shkollës, arsimimit dhe edukimit të fëmijëve.

– A mendoni se u rrit cilësie në Universitete pas Reformës në Arsimin e Lartë? 
Universitetet janë në ditët e tyre më të këqija. Reforma është vetëm një retorikë boshe dhe çdo ditë që kalon po dëmton institucionet e arsimit të lartë. Arroganca e pushtetit ka kaluar çdo kufi. A mund të flasim për reformë, kur Ligji i Arsimit të Lartë, i cili do materializonte këtë reformë është i pazbatueshëm? Ministria në një paligjshmëri të pashembullt mban peng IAL-të duke penguar përmbushjen e detyrimit institucional të tyre. Si mund të flasim për cilësi kur: 

-42 akte nënligjore të munguara kanë penguar dhe çoroditur funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë; 

-mbyllja e Shkollën Doktorale ka penguar rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe burimeve financiare; 

-pezullimi i titujve akademikë ka penguar rritjen profesionale dhe cilësinë; 

-pakësimi i fondeve për kërkimin shkencor ka dëmtuar cilësinë ka sjellë mospërmbushjen e detyrimit ligjor të institucioneve të arsimit të lartë. 

Në kushte të tilla paligjshmërie nga ana e ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila ka futur universitetet në një rrugë pa krye, a ka vend të flasësh për cilësi?!

– A është e drejtë që studentët të paguajnë një shumë të madhe financiare edhe në universitetet publike, ndërkohë që për to paguajnë taksapaguesit shqiptarë ?
Në një vend si i yni, ku niveli i të ardhurave për frymë, konsumi aktual individual, i cili është tregues i mirëqenies materiale të familjeve shqiptare, është më ulëti, jo vetëm ndër vendet e BE-së, por dhe në rajon, të guxosh tek tarifa e studentëve, vetëm një qeveri antikombëtare mund ta bëjë. Ne jemi një popull arsimdashës, familjet shqiptare kursejnë “bukën e gojës” për shkollimin e fëmijëve të tyre. Absolutisht është e papranueshme rritja e tarifave, por me vullnetin dhe dëshirën e mirë, me përgjegjshmërinë institucionale për të bërë më të mirën, me menaxhimin e buxhetit dhe sigurimin e burimeve financiare, tarifat, jo vetëm që nuk ngrihen, por mund të gjenden alternativat më të mira lehtësuese për familjet dhe studentët shqiptarë. Por, as vullneti dhe dëshira e mirë dhe as përgjegjshmëria institucionale nuk kanë qenë në objektivat e kësaj ministrie, e cila nuk ka kurajën të përballet me studentët, por i drejton në universitetet përkatëse, duke e spostuar fajin tek ato. Ndjej dhimbje dhe një revoltë të brendshme për studentët e mi, studentët më të varfër në Evropë, të cilët për kushtet që iu ofrohen janë larg së qeni brenda standardeve studentore të hapësirës së madhe evropiane. 

– Pse ende universitetet tona janë shumë poshtë në klasifikimet/rankimet ndërkombëtare për universitetet? Ndërkohë që kaosi, i cili përfshiu Universitetet Shtetërore tregoi se ndërhyrja juaj paska qenë plotësisht e drejtë edhe pse ministrja pasardhëse i zhbëri urdhrat tuaj? 
Me problematikat e listuara më lart si mundet të flitet për cilësi e rankim krahas universiteteve ndërkombëtare? Në fakt, sapo mora detyrën si ministër jam njohur me problematikat e institucioneve të arsimit të lartë, si ato shtetërorë, ashtu dhe ato privatë, të cilët kërkonin mbështetje dhe zgjidhje të problematikave të ndryshme. Çfarë duhet të bëjë një ministër i arsimit kur përballet me fakte dhe problematika të universiteteve? Do bëjë më të mirën për të qenë pjesë e zgjidhjes. Bordet e administrimit të universiteteve ishin bërë ‘nyja” që kërkonte zgjidhje. Dukshëm, interesi ishte tek ana financiare, dhe jo tek mësimdhënia apo cilësia. E gjendur përballë fakteve, të cilat qartësisht tregonin se si bordet pengonin qëllimisht funksionimin e institucioneve duke u bërë pengesë serioze, hapi i parë në mbështetje të tyre dhe si pjesë e zgjidhjes ishte ndryshimi i anëtarëve përfaqësues të ministrisë së Arsimit në bordet e administrimit. Ministria e arsimit, jo vetëm që nuk kishte qenë mbështetëse për zgjidhje të problematikave në universitete por, përkundrazi, ishte bërë palë me bordet penguese. Dhe kjo është e vërtetuar tashmë. Problemin që gjeta (megjithëse koha ishte e shkurtër u mundova të bëhesha pjesë e zgjidhjes) me rikthimin ne detyrë, ministrja e vazhdoi dhe e thelloi, duke treguar më së miri që ishte pjesë e kësaj loje të “shëmtuar” me institucionet e arsimit të lartë. Pse duhej që sapo u rikthye në detyrë të zhbënte bordet? Pra, ishte në urgjencë veprimesh dhe palë me problemin. Ngjarjet e ndodhura më pas vërtetuan më së miri, se cili është roli i ministrisë së arsimit. Cilësia dhe mësimdhënia është larg së qeni pjesë e proriteteve të saj për institucionet e arsimit të lartë. Por, shpejt duket që do dalë në dritë e vërteta e gjithë këtij absurdi me universitetet, i cili do të mbajë “vulën e zezë” të skandalit të ministrisë përgjegjëse për arsimin.

-Zonja Karabina, ju ndërmorët disa reforma si ministre e Arsimit. A Mundët të bënit ato që ju besuat, që kur morët detyrën e Ministres?
Do të dëshiroja të ndërmerrja reforma, por koha e shkurtër dhe mbështetja e munguar ma kufizonin këtë iniciativë të rëndësishme me impakt të madh. Marrja e detyrës ishte në një moment të veçantë dhe në një situatë të pandodhur më parë. Dy proceset që do të drejtoja ishin tejet të rëndësishëm: Mbyllja e vitit akademik dhe ruajtja, monitorimi i administratës në mospërfshirjen në fushatë elektorale. Procesi i ruajtjes dhe monitorimit të administratës përfundoi me vendosjen e një standardi të ri: E gjithë administrata ishte në punë si asnjëherë më parë, pra vendosëm një standard. E përcaktuar me ligj me një urdhër të Kryeministrit dhe më pas me Vendim të Këshillit të Ministrave pati penalizime për shkelësit e ligjit, por fatkeqësisht zbatimi i tyre ishte një zhgënjim për publikun. A ishte efektive administrata në punë, mësuesit që qëndruan në shkollë? Mësuesit po, ndërsa administrata e ministrisë së arsimit jo. Në shkelje të Urdhrit të Kryeministrit dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo administratë në mënyrë të qëllimshme pengoi këtë proces. Matura Shtetërore, një proces tejet i rëndësishëm që duhet të ndalemi dhe ta përmirësojmë atë, përfundoi me problematikat e saj. Ndërhyrja në këtë proces e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të MASR të çon në dyshime të arsyeshme, që në këtë proces favorizohej forca politike në pushtet. Më ka mbetur peng, pasi kisha vullnetin dhe dëshirën të bëja më të mirën, Udhëzimi i datës 19.05.2017, të cilin ish-ministrja në atë kohë kishte nxituar ta nxirrte dy ditë para lënies së detyrës. Udhëzimi i ndryshuar ishte mbi pranimin në universitete, pasi një vit më parë kishte shkaktuar problematika të mëdha. Me dëshirën për të bërë më të mirën mbi një problem me impakt të madh social u konsultova me specialistë të arsimit, me këshilltarë, me përfaqësues të KLSH-së, të cilët kishin dërguar një draft-raport mbi vëzhgimet e tyre dhe problematikat e vërejtura në aplikimet e bëra nja vit më parë në shkelje të ligjit dhe, të befasuar nga Udhëzimi nr.19 i ministres, pasi kishin qenë në konsultime me të në atë kohë. Por, koha e kufizuar e detyrës dhe koha kur do bëhej aplikimi (pasi në shtator përfundoja detyrën), mbështetja e munguar nga administrata e ministrisë, e cila ishte penguese, çoroditja e universiteteve të cilët ishin të pakënaqur, por dhe të pavendosur më penguan ta bëja. Politikat qeverisëse nuk ishin pjesë e punës sime, por për rëndësinë dhe impaktin që kishte ky problem do të doja të ndërhyja për më të mirën e nxënësve shqiptarë. 

– Çfarë parregullsi ligjore gjetët në ministrinë e Arsimit, gjatë kohëqëndrimit tuaj. A patët bllokadë nga stafi i mëparshëm për vënien në dispozicion të dokumentacionit duke shkelur marrëveshjen? Ju ndërhytë për përmirësimin e gjendjes dhe nuk lejuat politizimin e MASR, por për këtë – Ju jeni denoncuar në Prokurori nga vartësit tuaj?
Me parregullsi dhe shkelje të ligjit jam përballur gjatë gjithë kohës si ministër i arsimit, duke filluar që nga udhëzimet nr. 19 dhe nr.15 mbi pranimin në universitete të ministrit të arsimit jo në frymë të ligjit, pra në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë, nxjerrë nga ajo vetë, pasi ministria përcakton afatet, kohën, raundet e aplikimit, ndërkohë që është detyrim ligjor i institucioneve të arsimit të lartë, e deri tek firmosja e kontratave nga autoriteti kontraktor i shfuqizuar nga ministri si dhe shumë veprime të tjera në kundërshtim me ligjin. Administrata në ministrinë e arsimit ishte një administratë e frustuar, e nënshtruar e kërcënuar. Kjo administratë nën presionin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së arsimit dhe Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse nuk zbatoi urdhrin e Kryeministrit dhe Vendimin e Këshillimit të Ministrave, duke penguar me qëllim veprimtarinë e Ministrit të Arsimit. Dhe kjo, dukshëm, nxori përballjen mes dy modelesh: Modelin e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët të ministrit dhe modelin e refuzimit, rrënimit dhe minimit të marrëveshjes nga ish-Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë dhe levave të tij, drejtorët famëkeq të ministrisë së arsimit. Shpërdorimi i detyrës nga drejtuesit më të lartë dhe drejtorë të drejtorive përkatëse, duke penguar zhvillimin normal të veprimtarisë institucionale, nxori në pah një plagë të thellë: Administratë joprofesionale dhe tejet e politizuar. Këta janë zyrtarët e lartë të administratës, këta janë drejtorët e ministrisë së arsimit, të cilët u bënë qesharakë në publik, pasi i bënë kallëzim penal ministrit, se nuk ndiheshin mirë. 

A mund jenë të besueshëm këta njerëz në funksion drejtorësh të përdorur kaq keq dhe që kanë pranuar këtë rol?
Fatkeqësisht jo. Ato janë si xhelatinë që marrin formën e kërkuar. Por, kishte dhe disa punonjës profesionistë, të cilët nuk u përdorën dot, megjithëse nën presion bënë punën për të cilën ishin aty. Ky është realiteti i hidhur me të cilin po përballemi. Pra, kjo është ministria e arsimit, ministria me impaktin më të madh social, një kështjellë prej letre të cilën e “zhubravit” dhe e “gris” kur të dojë dhe si të dojë arroganca e pushtetit. 

– Keni pasur kontakte me kryeministrin Rama gjatë kohës si ministre por edhe më vonë dhe a ka dijeni ai për këtë paradoks të nëpunësve të emëruar prej tij, në rastin konkret nga një Sekretar i Përgjithshëm, ish-avokat i familjes Tahiri, që ju ka denoncuar?
Me Kryeministrin kontakti ka qenë i munguar. Kjo ishte zgjedhja e Tij. Por, si Ministër i Arsimit i jam drejtuar disa herë me shkrim duke i qartësuar çdo problem të rëndësishëm mbi pengimin nga Sekretari i Përgjithshëm të veprimtarisë së ministrit dhe minimit të marrëveshjes. I jam drejtuar edhe publikisht Kryeministrit në një intervistë të datës, 10 Qershor 2017, duke ia bërë prezent vështirësinë dhe përballjen që kishim në MASR me ish-Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e ministrisë. Nga Kryeministri nuk mora asnjëherë përgjigje. Largimi i ish-Sekretarin të Përgjithshëm të ministrisë së arsimit mbas përfundimit të mandatit të ministrit, u duk si reflektim, por vendosja e tij me të njëjtin pozicion në Ministrinë e Mjedisit, megjithëse i kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre dhe veprime abuzive nga ish-ministrja, ishte një “shpërblim”, me sa duket për punën e bërë. Një “shpërblim” i pafat, jo jetëgjatë, pasi është larguar dhe nga kjo ministri. “E vërteta, në fakt, zhytet, por nuk mbytet” -thotë i mençuri popull. E besoj këtë mençuri.

– Sa zbatohet meritokracia në emërimet e mësuesve në arsimin parauniversitar?
Me keqardhje dhe dhimbje meritokracia është larg së qeni pjesë e emërimit të mësuesve. Publiku është njohur në media me problemet e portalit pa bazë ligjore të emërimit të mësuesve “Mësues për Shqipërinë”, Mësuesit vuajnë aktualisht kriteret e përzgjedhjes së tyre. Me një sërë ankesash nga mësues fitues dhe të pa emëruar jam përballur gjatë kohës së punës. Përdorimi politik është dëmi më i madh që po i bëhet mësuesit dhe shkollës. 

– Po drejtuesit e DAR dhe ZA nëpër qarqe, me çfarë procedure konkrete emërohen? Me përzgjedhje meritokracie apo me partishmëri?
Drejtuesit e Drejtorive Arsimore dhe Zyrave Arsimore duhet të emërohen sipas kritereve dhe procedurave në zbatim të ligjit, “Statuti i nëpunësit cilvil”. Dhe pas emërimit ato nuk duhet të jenë në forumet drejtuese të partive politike. Por fatkeqësisht, ata emërohen si shërbyes të forcës politike në pushtet. Edhe, nëse nuk janë në forumet drejtuese, dukshëm, kudo në institucionet e tyre, në rrjetet sociale ato demonstrojnë të qenit pjesë e forcën politike të caktuar. Megjithëse, formalisht u bënë konkurse për emërimin e tyre, në komisionet përzgjedhëse të kanditatëve shumicën e anëtarëve e përbënin përfaqësues të MASR, pra vendoste ministria. Drejtorët rajonalë dhe të zonës janë figura të rëndësishme dhe duhet të jenë në shërbim të njerëzve dhe jo të një pjese të tyre. Problematikat e vërejtura treguan, se si përdoren këta drejtues për interesa personale apo të një pjese: drejtorë rajonale që shpërdoronin detyrën duke shkelur urdhrin e Kryeministrit dhe VKM-në për mospërfshirje në fushatë elektorale apo drejtues që kishin kurajë të vinin në diskutim urdhrin e ministrit. A mund të jenë profesionistë këta drejtues? A janë vendosur me meritokraci? Absolutisht jo. Profesionisti nuk lejon të përdoret, por është në shërbim të të gjithëve.

– A kallëzuat në prokurori ndonjë skandal korrupsioni të ndonjë drejtuesi të Ministrisë së Arsimit dhe, a keni dijeni për fatin e tyre? 
Po, kallëzime penale janë bërë për të gjitha ato veprime që përbëjnë vepër penale gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Shpërdorimi i detyrës, pagesa e punonjësve të pushuar, mbajta fshehur e shkresave te rëndësishme nga protokolli i janë bërë prezente prokurorisë. Nënshkrimi i kontratave për punonjësit e sigurisë dhe për shtypjen e dëftesave nga autoriteti kontraktor i shfuqizuar janë tregues të shpërdorimit të detyrës nëpërmjet shkeljes së ligjit dhe dyshimit të arsyeshëm që këto përbëjnë veprime abuzive dhe korruptive. Besimplotë që forca e ligjit kalon mbi gjithçka, na bën optimistë se ditë të mira do vijnë, dhe problematikat do marrin zgjidhje vetëm duke respektuar ligjin.
Sigal