Flet Mark Crawford: Koncesionet në Shqipëri krijojnë monopol dhe luftojnë konkurrencën e lirë të të bërit biznes. Eurobondi është borxh publik

584
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i TELEGRAF

Mark Crawford, kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Shqiptarët kanë një mendësi të tillë. Pranojnë që nuk mundin të ecin dot përpara më shpejt, por nuk duan, që edhe tjetri të ecë përpara më shumë se ai. Kjo është një kulturë jo pozitive për shqiptarët

Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf” Mark Crawford, kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë shpjegon se për shkak të dividentit 15 %që paguajnë  investitorët nuk kanë leverdi të ri-investitojnë në Shqipëri, por i mbajnë kapitalet në bankë, por kjo dëmton ekonominë shqiptare. Zoti Crawford pohon se koncesionet e qeverisë krijojnë oligarki dhe monopol në treg, por edhe opozita përhap panik për investitorët e huaj, kur thotë se ajo do bllokojë të gjitha koncesionet. Zoti Crawford pohon se eurobordi është borxh, kur borxhi ndikon në rritjen e ekonomisë është mirë, por jo që fondet publike të shkojnë në …tualet…Shifrat e rritjes ekonomike, kur nuk shoqërohen me mirëqenien e qytetarëve, nuk kanë vlerë. – thotë për gazetën “Telegraf” zoti Crawford.

-Zoti Mark Crawford, një koncesion duhet dhënë për investime themelore, kur shteti nuk ka fonde financiare ta kryejë, apo edhe për shërbime publike, që duhet t’i kryejë shteti, por qeveria ia beson privatit?

– Unë jam, mbase edhe liberial, që në sektori privat mund të bëjë thuajse çdo gjë, edhe hekurudha, edhe rrugë. Mbase nuk është koncesion i përshtatshëm çdo rast, kështu që  unë nuk jam kundër koncesioneve, por kur dëgjoj opozitën që thotë, që kur ta marr unë pushtetin, do pezulloj gjithë koncesionet që ka dhënë qeveria e mëparshme, ose disa koncesione në dyshim, kjo politikë është problem për të huajt, që të vijnë e të investojnë në Shqipëri, sepse nuk dinë se çfarë po ndodh. Edhe është problem edhe për ato biznese që janë përmendur me emra nga opozita, për të mbrojtur bizneset e tyre. Opozita duhet të jetë konkrete dhe e qartë, kur përmend emra. Nëse ka ndonjë problem, duhet që të thuash publikisht, që në këtë datë ke bërë këtë e këtë, ke shkelur ligjin për këtë arsye, që ti, si biznesmen ke të drejtën për t’u përgjigjur. Mbase edhe tremben, që bëjnë kështu, mbase tani kanë ndryshuar marrëdhëniet me politikanët, por, marr shembull, kur Presidenti Trump deklaron me emra biznese është shumë i keq, në përgjithësi ata nuk kanë si të mbrohen. Kështu, që unë kur dëgjoj opozitën tuaj që thotë të njëjtën retorikë, me emra por pa e arsyetuar konkretisht, është pak e frikshme, Më vjen ndërmend një kompani që investon në Kanada, edhe në Shqipëri, edhe në disa vende në Evropë, ata më pyetën, nëse duhet të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri, a janë në rrezik bizneset e tyre këtu në Shqipëri nëse ndryshon qeveria, sepse më thonë, që nëse vjen opozita në pushtet, ata do pezullojnë koncesionet. Unë u dhashë mendimet e mia, por këto janë politika që janë delikate për bizneset e huaja.

– Bërja e politikës, kështu siç ndodh në Shqipëri…

– Nuk tingëllon mirë, ta përkthejmë në anglisht (zoti Mark Crawford qesh), ose në gjermanisht. Mbase shqiptarët e kuptojnë njëri – tjetrin. E shikoj këtë edhe në Amerikë, që Presidenti Trump flet boll edhe është shumë vështirë për investitorët e huaj atje, çfarë thotë Presidenti Trump për ata…

Ju, si e gjykoni, a është kaq e lehtë që një qeveri e re të pezullojë koncesionet e dhëna nga qeveria e mëparshme?

– Nuk është e lehtë, por edhe këta që qeverisin tani në Shqipëri, kur ishin në opozitë kishin thënë që do pezullonin koncesionin e skanimit në dogana, disa koncesione për ndërtimin e HEC-ve.

– Por nuk bënë gjë tani që qeverisin. Apo ju, i gjykoni këto deklarata të opozitës për konsum të brendshëm politik?

– Nëse kanë ndonjë koncesion që kanë dyshime për korrupsion, le ta hetojnë. Por, normalisht, kur thonë gjëra në përgjithësi, pa adresuar konkretisht problemet, nuk janë të dobishme për asnjë, as për investitorët.

– INSTAT jep shifra që tregojnë zhvillim të madh ekonomik në Shqipëri, mbi 4 % çdo vit, por ndërkohë të ardhurat e buxhetit çdo vit nuk realizohen me dhjetëra miliardë lekë, p.sh., këtë 8 mujor mungojnë 50 miliardë lekë. A mund jetë një normalitet ekonomik?

– Ky tregues do të thotë që ekonomia është e zhvilluar, por nuk janë duke mbledhur të ardhurat. Unë them që qeveria ka një sistem kontabilist, me cash, nuk përdorin atë sistem, që kanë punuar, por nuk kanë marrë akoma lekët. U japin prioritet vetëm pagimit me cash, kështu që shifrat nganjëherë nuk japin një pasqyrë reale, sepse nëse nuk nuk shlyen TVSH kanë cash më shumë, por në fakt kanë borxh, sepse borxhi shlyen TVSH. Unë do ta ndaja deficitin e buxhetit nga rritja e ekonomisë. Tani në Amerikë ne kemi një deficit shumë të madh, por, njëkohësisht, kemi edhe një rritje ekonomike të madhe, në bursë shumë pozitive, papunësia është shumë e vogël, pra, mund të ketë një rritje ekonomie edhe me deficit buxhetor të madh, siç e kemi ne në Amerikë. Por është vështirë për të kuptuar një sistem financiar që nuk është shumë efikas në shlyerjen e TVSH dhe mbledhjen e të ardhurave. Por është vështirë për të kuptuar, duke i parë një institucion që nuk është shumë efikase dhe nuk ka qenë shumë efikase dhe  në mbledhjen e të ardhurave, është shumë e vështirë për të kuptuar shifrat e publikuara.

– Ku është e mira e rritjes së ekonomisë tonë, që nuk pasqyrohet as në rritjen e mirëqenies, përkundrazi, thellohet varfëria e shqiptarëve, rrogat nuk ngrihen, shtohet papunësia, nuk kemi investime publike?

–  Ndodh që nga Banka Botërore shikojmë shifra të mira për ekonominë, psh në Gjermani, por, nëse qytetarët që jetojnë këtu atje nuk ndihen mirë, në fund të fundit, qytetarët e kanë votuar qeverinë për të ndihmuar e përmirësuar jetesën e tyre. Qeveria shqiptare nuk është për mua si biznesmen i huaj që investoj në Shqipëri, se unë nuk e kam votuar, qeveria shqiptare është për shqiptarët që jetojnë në fshat, në qyteza, janë ata që punojnë përditë në Shqipëri dhe nëse, nuk ndjejnë rezultate në përmirësimin e mirëqenies së tyre, atëherë, nuk kanë kuptim për qytetarët shifrat e rritjes ekonomike, apo rritja ekonomike nuk është për të mirën e mirëqenies së qytetarëve. Këtë problem duhet ta shqetësojë qeverinë tuaj.

Zoti Mark Crawford, ju si e keni perceptuar, përse largohen nga Shqipëri dhe emigrojnë shqiptarët, derisa kemi rritje të mirëqenies, siç na tregon qeveria me statistikat e saj?

Këtu në Shqipëri ka një jetë sociale, familjare, moti është i mirë, në Shqipëri, si vend është shumë mirë, por, ne kemi një shprehje: Bari i fqinjit na duket më i gjelbër nga yni. Ata njerëz që kanë prirje në shkencë, në teknikë, në kulturë nuk kanë shumë perspektivë dhe opsion këtu në Shqipëri, sepse ata që kërkojnë të  shpikin një ilaç, këtu nuk mundin, por duan të shkojnë në Gjermani, Angli, Amerikë, sepse atje ka para për investim, për kërkime shkencore. Mbase është edhe diçka personale, pse shqiptarët ikin nga Shqipëria. Njerëzit ikin nga Shqipëria për të gjetur një mundësi më të mirë për të jetuar.

– A keni ndjesinë, se shqiptarët ikin masivisht nga Shqipëria, sepse ka varfëri?

– Po, është normale, sepse shumica e njerëzve kur emigrojnë nga vendet e tyre, largohen nga varfëria.

– Shqipëria është një vend në zhvillim dhe duhet të ketë më shumë perspektivë, mundësi, alternativa, qoftë në të bërit biznes, por edhe karrierë. Sipas jush, përse shqiptarët nuk shikojnë kështu perspektivën e tyre në Shqipëri?

– Shqiptarët kanë një mendësi të tillë. Pranojnë që nuk mundin të ecin dot përpara më shpejt, por nuk duan, që edhe tjetri të ecë më shumë përpara se ai. Kjo është një kulturë jo pozitive për shqiptarët. Shqiptarët mendojnë, që nëse shkojnë në Amerikë, aty askush nuk do ta pyesë për biografinë familjare, për babain, për xhaxhain, që të gjykojnë edhe atë. Ai do të ndihet i lirë dhe nuk do të jetë i varur të ecë në jetë nga e kaluara e familjes së tij. Në Amerikë nuk ndjejnë ndonjë barrë nga historia e fisit. Mbase shqiptarët këtu në Shqipëri nuk mendojnë që këtu kanë jetën e tyre, por, nëse shkojnë në Gjermani, në Kanada kanë më shumë hapësirë për të jetuar.

A mendoni se mijëra koncesione që ka dhënë qeveria krijojnë monopol në bërjen e biznesit në Shqipëri dhe luftojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme?

– Po, ka shumë mundësi,  po, kështu ndodh,  që koncesionet e dhëna krijojnë monopol dhe luftojnë konkurrencën e lirë të të bërit biznes, sepse kur shikon se kush i fitojnë koncesionet e mëdha janë vetëm disa emra që përsëriten  herë pas here.

– Përse ndodh që disa emra marrin të gjitha koncesionet e mëdha që jep qeveria? Ngaqë kanë kapacitete, kapitale, janë më të specializuar në llojin e koncesioneve, apo ngaqë kanë lidhje më të afërta me njerëzit e qeverisë?

– Mund të kenë edhe aftësi, por kanë edhe lidhje me qeveritarët tuaj. Këto ndodhin edhe në Amerikë. Koncesionet atje do t’i fitojë ai që ka para, ka aftësi, ka mundësi, kanë edhe lidhjet me njerëzit e qeverisë. Është e vështirë që koncesionet t’i fitojë ai që është shumë i mençur, por që nuk ka paratë. Prandaj duhet, që të kemi sa më shumë mundësi për biznese të vogla, që fillojnë aktivitetin ekonomik nga zero, me djersën e tyre, të jenë njëlloj, sepse, përndryshe, do të kemi vetëm 5 emra, do të kemi oligarki ekonomike.

Është normalitet ekonomik të krijojmë me koncesionet oligarkinë ekonomike?

– Është normal në një farë mënyre, sepse ata që kanë aftësi madhojnë, dhe në një farë mënyre, nuk kanë konkurrencë. Por, qeveria duhet të japë edhe mundësi të tjerëve që të konkurrojnë për të marrë koncesione. Jo të jenë vetëm disa që marrin gjithçka, edhe duhanin, edhe rrugët, edhe koncesionet, edhe benzinën, edhe kudo, edhe bregdetin, që të ketë vetëm një firmë, që të ketë të gjithë këtë hapësirë, për mua nuk është “OK” kjo që bëhet këtu në Shqipëri, sepse për mua nuk ka më vend për të bërë biznes në Shqipëri dhe duhet të shkoj të investoj në një vend tjetër, ku të gjej treg për të bërë biznes.

– Cili është mendimi juaj: Eurobondi  që mori qeveria jonë 500 milionë euro është borxh?

– Po, eurobondi është borxh.

– Por ministri i Financave të Shqipërisë deklaroi se eurobondi që mori qeveria në treg nuk është borxh.

– Nuk e di çfarë tha dhe ëprse e tha, por e di që eurobondi është borxh. (dhe zoti Crawford qesh). Është borxh kolektiv dhe është pozitiv që mori eurobond, që është marrë nga një shtet sovran.

– Ky borxh 500 milionë eurobond që mori qeveria jonë, sipas jush, përse duhet të përdoret? A ka produktivitet ekonomik që të përdoret për të shlyer vetëm koncesionet?

Unë jam nga ata që kanë pikëpamje ekonomike që qeveria duhet të bëjë sa më pak investime për rrugët, për mbrojtje, për shkolla. Sa më shumë privati të bëjë, të bëjë. Kaq. Kuptohet që në Evropë ka mendime të kundërta ekonomike, që qeveria të bëjë, jo sa më shumë, por më shumë sesa në Amerikë. Unë e di që në Botë ka shumë para që të investojnë në vendet si në Shqipëri, ka nga pikëpamja matematike më shumë mundësi që Shqipëria të marrë borxh nga të tjerët. Unë jam pro marrjes së eurobondit.

– Është rrezik për Shqipërinë rritja e borxhit në këto nivele, deri në 85 % sa mendohet të jetë realisht sot?

– Gjithmonë është rrezik rritja e borxhit, por nuk është një rrezik i madh. Varet si i përdor fondet publike. Nëse fondet publike shkojnë nga qeveria në tualet, atëherë…

– Tualet, mund të kuptojmë koncesionet e shumta?

– Jo, ka edhe koncesione që duhen bërë.

– Për kë tualet e kishit fjalën?

– Duhet parë çdo rast. Për mua, qeveria kur investon në infrastrukturë është pozitive, sepse është diçka që nuk bëhet nga individët, as nga qeveria.

– Shikoni tani në Shqipëri investime në infrastrukturë?

– Kujtoj vitet e para, që kishte në rrugë vetëm një semafor. Vitet e fundit kam parë përpjekjet për të përmirësuar situatën që kishte mbetur nga qeverisja e kaluar,  e cila vërtet bëri shumë investime në infrastrukturë dhe la borxhe, sa kjo qeveri u detyrua që të sillte  FMN për  ndihmë.

– Pse, atëherë FMN është kundër qeverisë për koncesionet?

– Në fillim FMN nuk thoshte asgjë. FMN nëse ishte kundër, duhet ta thoshte që në fillim, nuk duhej t’i jepnin hua qeverisë që në fillim. Këtë bën FMN: të thotë vazhdo, vazhdo dhe dikur të thotë: Prit, prit! Nëse e mendon se është gabim, ta thotë që në fillim, që të mos fillojë fare. Unë e thashë që në fillim. Është rrezik me koncesionet, se janë borxh, mund të mos quhet borxh direkt, por është borxh jo direkt. Nëse fondet që paguhen koncesionet vijnë nga shteti, qoftë edhe nga huatë bankare, është një borxh jo direkt, ose një risk jo direkt. Nëse falimenton kompania koncesionare, bankat që kanë dhënë hua do të shkojnë dhe do t’ia marrin qeverisë.

– Qeveria ka deklaruar që në janar 2018 do të fillojë një paketë e re fiskale. Ju si e gjykoni, ndikimin e saj për bizneset?

– Në përgjithësi unë jam por për disa aspekte. Do të ulë dividendin e disa taksa të tjera. Ka edhe disa sektorë që mendojnë se taksat do t’i rëndojnë. Për mua, nëse qeveria do kishte divident, taksë zero, do të ishte shumë mirë. Edhe kur dividendin do ta çojnë nga 15 në 8 %, unë them që edhe kjo është taksë e dyfishtë, sepse ne e kemi paguar, kështu, që të investoj sërish në Shqipëri nuk është shumë e leverdishme, kështu, që më mirë e lëmë kapitalin në bankë që të mos marrim dividend. Për ekonominë kjo është e dëmshme, sepse mbeten kapitalet financiare të pashfrytëzuara në investime. Qeveria duhet të krijojë paketë fiskale që të nxitë kapitalet financiare të mos ikin nga Shqipëria, por të stimulojë që të ri-investojnë në Shqipëri. Kështu që taksa disidente për investim të jetë zero. Në Kosovë është zero kjo taksë.  Nëse investitorët shqiptarë kanë mundësi të investojnë në Shqipëri, por ikin dhe investojnë në vendet e tjera, kuptojeni, e bëjnë për shkak të taksave të larta në Shqipëri.

– Ju Falënderoj!