Flet kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi: Rama karrierën e tij e ka ngritur gjithmonë mbi konfliktin

513
Sigal

Shkarkimi i Presidentit prish ekuilibrat e demokracisë

 

Marrja e mandatit të deputetit nga ana ime erdhi në një situatë që nuk ndikonte në makropolitikën dhe në ekuilibrin e pushtetit të qeverisë, por ne ruajmë ekzistencën tonë politike nëpërmjet dritares së komunikimit me qytetarët që të jep foltorja e kuvendit, për të ngritur një profil politik serioz sipas filozofisë sonë politike të konservatorizmit modern evropian, shprehet Artur  Roshi në intervistën për gazetën “Telegraf”. Për më tej ai flet për hapjen e negociatave, fushatën zgjedhore dhe vendimin e Presidentit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor/

 

–  Zoti Roshi, si e vlerësoni shfuqizimin e datës 30 qershor nga Presidenti Meta për zgjedhjet vendore? 

Dy deputetët e PBKD votuan kundër rezolutës për rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës që i paraprinte, sipas nesh, shkarkimit të tij. Shkarkimi i Presidentit sipas meje ngatërron më tej situatën,prish ekuilibrat në mënyrë e skajshëm,prandaj jam kundër.

 

– Pse vendosët të merrni kartonin e deputetit kur opozita ku ju bëni pjesë i dorëzoi vullnetin politik për të qene në parlament? 

Marrja e mandatit të deputetit nga ana ime erdhi në një situatë që nuk ndikonte në makropolitikën dhe në ekuilibrin e pushtetit të qeverisë, por ne ruajmë ekzistencën tonë politike nëpërmjet dritares së komunikimit me qytetarët që të jep foltorja e kuvendit,për të ngritur një profil politik serioz, sipas filozofisë sonë politike të konservatorizmit modern evropian.

 

Cili është qëndrimi juaj për arrestimin  nga policia të organizuesve të protestës së opozitës?

Sido që të jetë gabimi anon në anën e atij që ka pushtetin, sepse ai duhet të lëshojë, sepse opozita nuk ka gjë në dorë.

 

– Në këto situata a do zhvillohen normalisht zgjedhjet në 30 qershor?

Përgjegjësia në çdo rrethanë ngelet e qeverisë. Ajo që na mungon është vota e lirë dhe them se beteja e jonë si Koalicion Opozitar është fokusuar këtu.

 

– Veprimet e opozitës me anë të protestave a mbështeten nga ndërkombëtarët? 

Protestat e kanë treguar fuqinë e opozitës dhe monotonia e tyre do zbehë fuqinë, prandaj duhen alternuar me takime programore platformash për t’i bindur qytetarët atje ku janë në qytetet e tyre.

 

– Mendoni se në këto situata Rama do dorëhiqet si kryeministër?

z.Rama karrierën e tij e ka ngritur gjithmonë mbi konfliktin dhe në këto vite rrëmujë gjoja demokratike i ka ecur kjo marrëzi, kështu që nuk besoj se do të ndryshojë tani.