Flet ish-deputet i PS, Marko Bello: Qeveria mbështeti dhe inkurajoi kanabizimin e krejt vendit

62
Jakup B. GJOÇA
Marko Bello, ish deputeti i PS, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se vota e Shqipërisë kundër Rezolutës të SHBA për Jerusalemin, ishte i pakuptueshëm, i padëshirueshëm, dhe diletantizëm diplomatik. Odiseja e vonesës të Reformës në Drejtësi, thotë zoti Bello, është tregues i seriozitetit të politikës së kësaj maxhorance, e cila pengon edhe integrimin e Shqipërisë në BE. Korrupsioni nuk ka ngjyrë politike, pohon zoti Bello, duke thënë qartë se Gjyqësori i ri duhet të hetojë dhe gjykojë edhe korrupsionin e kësaj qeverie. Zoti Bello, qartazi dëfton si fajtore , këtë qeveri për kanabizimin e vendit. Ndërsa politika ekonomike e qeverive të kryeministrit “Rama”, thotë zoti Bello, me të ashtuquajturin Partneriteti Publik Privat synon të pasurojë klientët e qeverisë dhe të shefit të saj, duke shkaktuar varfëri dhe mjerim ekonomik, mos investime publike.
Nuk besoj të ketë pasur kaq shumë zhgënjim, varfëri dhe humbje të shpresës sesa këto 2-3 vitet e fundit. Shqipëria shënoi këtë vit 20% më pak lindje, duke dëshmuar plakjen e popullsisë, dikur me moshën më të re në Evropë
-Zoti Bello, cilat janë arsyet që qeveria e Shqipërisë votoi kundër Rezolutës së SHBA në OKB?
– Është realisht e vështirë të gjenden arsyet përse Qeveria e Republikës së Shqipërisë u rreshtua hapur dhe pa asnjë hezitim në favor të një rezolute të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që dënon vendimin sovran të SHBA dhe Presidentit Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosur, për pasojë, selinë e ambasadës amerikane atje. Ky vendim i pakuptueshëm, i pa dëshirueshëm dhe absurd kundër aleatit më të rëndësishëm strategjik, sikurse SHBA do të mbetet si një nga pikat më të errëta të diplomacisë shqiptare, dhe një nga treguesit e shumtë të çoroditjes së ekzekutivit shqiptar në drejtim të politikës së jashtme të vendit. T’i kthesh shpinën një miku të vyer, të refuzosh t’i japësh mbështetje aleatit më të madh të shqiptarëve, ndoshta në të vetmin moment që ata e kërkuan hapur këtë mbështetje, është minimalisht amatorizëm politik dhe dilentatizëm diplomatik, për më të mos thënë keqdashje, fyerje dhe mosmirënjohje për gjithçka SHBA kanë bërë për shqiptarët në 100 vjet histori. Kujtoj se jo shumë kohë më parë, teksa i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton do të deklaronte se ”Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar me ju për 100 vitet e para të Pavarësisë dhe do të qëndrojnë për 100 vjet të tjera bashkë me ju…” Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë aktualisht, dhe as kanë pasur shumë miq të vërtetë në historinë e tyre të vjetër dhe të re. Prandaj, është luks i tepruar të veprosh me kaq lehtësi dhe papërgjegjshmëri, siç veproi kjo qeveri ndaj një miku kaq të fuqishëm dhe me kaq kontribute për ekzistencën tonë si komb. Të paktën një abstenim do të na kishte shpëtuar disi faqen…
– Sa bindëse mund të jetë shpjegimi i qeverisë sonë se vota e saj në OKB u sinkronizua me votën e shteteve kryesore të BE?
– Shpjegimet dhe justifikimet e dhëna nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe mbështetësve të saj, në lidhje me votën e Shqipërisë kundër SHBA, nuk kanë qenë aspak bindëse. Përkundrazi, ato zbulojnë mungesën e seriozitetit të shtetit tonë, paqartësinë, dritëshkurtësinë e politikës dhe diplomacisë shqiptare, të cilat, në emër gjoja të dinjitetit të shtetit shqiptar, sovranitetit, integrimit në BE dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve kanë bërë gabime, pas gabimesh, duke e vënë Shqipërinë në një pozitë të dobët ndërkombëtare dhe duke goditur rëndë interesat mbarëshqiptare në rajon. Kur Maqedonia i shmanget me zgjuarsi votimit dhe Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina abstenojnë, të habit këmbëngulja e përfaqësuesve të Qeverisë për të vijuar me kokëfortësi të mbrojnë një qëndrim të pambrojtshëm dhe kundër interesave të shqiptarëve. Uroj sinqerisht të jem unë i gabuar, por frikë kam se ky qëndrim do të ketë pasoja të rënda në të ardhmen,

– Sipas jush, çfarë e ka penguar maxhorancën që ende nuk ka ndërtuar Institucionet e reja të Drejtësisë, në zbatim të Reformës në Drejtësi?
– Odise-ja me reformën në drejtësi është një tjetër tregues i mungesës së seriozitetit të politikës shqiptare, e cila me shumë lehtësi vonon ecjen e vendit drejt BE, duke zvarritur pa kuptim një reformë, nga suksesi i së cilës varet e ardhmja evropiane e Shqipërisë. Megjithatë, më mirë vonë sesa kurrë, kështu që tanimë duket se institucionet e reja të drejtësisë janë duke u ngritur dhe të shpresojmë se më në fund shqiptarët do të kenë një sistem drejtësisë funksional, se edhe këtu do të marrë fund paradoksi i korrupsionit pa të korruptuar, i krimit të organizuar pa kriminelë, i trafiqeve të paligjshëm pa trafikantë që jo vetëm gjykohen, por edhe marrin dënime për gjithçka bënë keq dhe kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë në këto 25 vjet tranzicioni.

– Zoti Bello, kur flitet nga ndërkombëtarët, nga qytetarët shqiptarë domosdoshmëria e luftës kundër korrupsionit, për cilin korrupsion flitet: Të qeverisë së sotme apo të qeverive të kaluara?
– Unë mendoj se korrupsioni nuk ka ngjyrë dhe përkatësi politike, kështu që rëndësi ka të luftohen kjo sëmundje e rëndë e demokracisë, me masa dhe reformat ë vërteta dhe efikase. Pastaj, nëse do të sillen para drejtësisë për t’u gjykuar politikanë apo funksionarë publikë të kësaj maxhorance apo të qeverive të kaluara, kjo është më pak e rëndësishme. Ne kemi nevojë më tepër se kurrë për shembjen e “perandorisë” së të paprekshmëve dhe të “fortëve”, duke instaluar shtetin e së drejtës, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Shembujt nga vendet e rajonit dhe jo vetëm, nuk mungojnë, ne thjesht duhet të sillemi si evropianë, të shkëpusim krimin nga pushteti, duke bërë të mundur që nga thyerja e ligji të gjithë të kenë frikë.

– A është instrument politik nga kryeministri Rama për të penguar gjyqësorin të hetojë korrupsionin, roli i Prokurorit të Përgjithshëm i Përkohshëm?
– Zgjedhja me votat e maxhorancës e një prokurori të përgjithshëm zëvendësues ka qenë një veprim i nxituar dhe i panevojshëm, sa kohë që ndryshimet e reja kushtetuese e kanë sanksionuar qartë se kryeprokurori duhet të zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Megjithatë, nuk duhet paragjykuar para se të kemi prova, por është dashur që Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet sa më parë nga KLP, duke e mbajtur sa më larg të jetë e mundur politikën. Unë shpresoj se KLP do të ngrihet më në fund dhe shumë shpejt do të kemi një institucion të mbështetur mbi ligj. 

– A ka kontradiktë në politikën ekonomike të Qeverisë “Rama” që deri tani koncesionet janë parësore, ndërkohë që nuk kanë bërë gati asgjë investime publike, ndërsa kanë marrë borxhe nga FMN 5 miliardë euro?
– Kjo është një pyetje që meriton vëmendjen e duhur, aq më tepër që për ekonominë flitet fare pak nga kjo Qeveri. Tashmë duket qartë se Rama 2 duket edhe më e dobët se Rama 1, në kuptimin që tani programi për zhvillimin e vendit i është lënë krejtësisht spontanitetit, ndërsa i ashtuquajturi Partneritet-Publik-Privat është një shpikje që, më shumë se për hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve taksapagues, synon të pasurojë klientët e qeverisë dhe shefit të saj. Tregues më evident i gjendjes së vështirë ekonomike janë buxhetet dhe ekonomitë familjare, është biznesi që po tkurret përditë, është mungesa e investimeve të huaja, pa të cilat Shqipëria e ka të vështirë të zhvillohet dhe rikuperojë diferencën e madhe me vendet ku ne duam të integrohemi. Fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, sepse rrogat dhe pensionet nuk rriten më, ndërsa çmimet ngrihen pareshtur. Të rinjtë e dëshpëruar largohen nga vendi, ndërsa tani edhe ata pak sipërmarrës që kanë qenë të suksesshëm, po kërkojnë t’i shesin bizneset e tyre dhe të largohen përfundimisht nga vendi bashkë me familjet. Nuk besoj të ketë pasur kaq shumë zhgënjim, varfëri dhe humbje të shpresës sesa këto 2-3 vitet e fundit. Shqipëria shënoi këtë vit 20% më pak lindje, duke dëshmuar plakjen e popullsisë, dikur me moshën më të re në Evropë. Përballë këtyre fakteve, sa e qesharake dhe e pakuptimte duket tani fjala “Rilindje” që u trumbetua me aq pompozitet 4 vjet më parë!

– Ju si e shpjegoni, që në 5 vitet e qeverisjes së kryeministrit Rama, ende nuk kanë ardhur investitorë të huaj?
– Investitorët e huaj nuk vijnë për bamirësi, por për të fituar. Ata nuk investojnë në një vend të krimbur nga korrupsioni, apo ku siguria juridike është thjesht një slogan. Si mund të tërhiqen investitorët e huaj, kur ligjet ndërrohen shpesh, kur për një leje të thjeshtë burokratike, u nxirren pengesa pafund nga zyrtare të korruptuar, të paaftë dhe që mendjen e kanë si të përfitojnë nga posti që atë e kanë siguruar me miqësi, nga partia apo paraja. E dinë që janë të përkohshëm dhe nuk lënë gur pa lëvizur që të kënaqin interesat vetjake kundër interesit të shoqërisë. Në vend që t’u kërkojë ambasadorëve që të sjellin investitorë, qeveria duhet të punojë si ta bëjë atraktiv vendin, në mënyrë që investitorët e huaj të vijnë nga taksat e ulëta, zonat e lira pa taksa, krahu i lirë i punës dhe avantazhe të tjera që i kemi, apo që mund ti krijojmë. Si ka mundësi që Maqedonia na e ka kaluar në këtë drejtim, pa përmendur këtu Bullgarinë, Kroacinë apo Serbinë që ia kanë dalë të thithin goxha investime të huaja? 

– Sa e kanë penguar integrimin e Shqipërisë në BE akuzat për inkriminimin e disa ministrave në trafikimin ndërkombëtar të hashashit? A duhet të dorëhiqet kryeministri Hashashit?
– Përpos shumë dështimeve dhe zhgënjimeve që solli kjo qeveri, padyshim që kanabizimi i vendit përbën dëmin më të madh që një qeveri e zgjedhur nga shumica mund t’u bëjë qytetarëve të saj. Është tejet e rëndë që një parti që fiton zgjedhjet të prodhojë një kabinet, i cili, në vend të zhvillimit të sjellë mjerimin, në vend të integrimit të sjellë izolimin dhe në vend të prestigjit të vendit ta dëmtojë atë kaq shumë, sikurse ndodhi me këtë qeveri që toleroi, mbështeti dhe inkurajoi kanabizimin e krejt vendit. Tani kur faktet tregojnë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme, qeveria përpiqet si struci të gjejë justifikime të papranueshme, por që minimalisht provojnë paaftësinë e saj, për të mos thënë inkriminimin e segmenteve të shtetit në mënyrë të frikshme. Dikur një politikan është shprehur se kush mbjell kanabis, herët a vonë ka për të korrur krimin e organizuar. Fatkeqësisht kjo ndodhi në rastin e Shqipërisë, të cilën tani mediat e huaja e konsiderojnë “Kolumbinë e Evropës”. Më keq se kaq nuk ka se ku të shkojë.

– A ka përgjegjësi politike qeveria jonë, diplomacia e shtetit shqiptar në braktisjen që ndjeu emigranti Florenc, i cili vdiq i dhunuar nga policia franceze, kur ende zyrtarisht akoma qeveria jonë nuk ka reaguar? 
– Ky është një tjetër rast, midis aq shumë rasteve në gjithë këto vite, kur shqiptarët humbin jetën tragjikisht dhe nuk ndjejnë aspak mbështetjen e shtetit të tyre. Florenc Beqiri u masakrua nga dhuna shtetërore e policisë franceze dhe dëshmoi se sa pak vlen për fat të keq jeta e shqiptarëve. Ata që e vranë duhet të përgjigjen dhe shteti ynë duhet ta kërkojë me forcë këtë, duke dhënë një provë se respekton dhe zbaton detyrimin kushtetues për të garantuar mbrojtjen e jetës së shtetasve të vet. Keqtrajtimi I shqiptarëve duhet të marrë fund njëherë e mirë. 
1
Shpjegimet dhe justifikimet e dhëna nga përfaqësuesit e maxhorancës dhe mbështetësve të saj, në lidhje me votën e Shqipërisë kundër SHBA, nuk kanë qenë aspak bindëse. Përkundrazi, ato zbulojnë mungesën e seriozitetit të shtetit tonë, paqartësinë, dritëshkurtësinë e politikës dhe diplomacisë shqiptare

2
Është tejet e rëndë që një parti që fiton zgjedhjet të prodhojë një kabinet, i cili, në vend të zhvillimit të sjellë mjerimin, në vend të integrimit të sjellë izolimin dhe në vend të prestigjit të vendit ta dëmtojë atë kaq shumë, sikurse ndodhi me këtë qeveri që toleroi, mbështeti dhe inkurajoi kanabizimin e krejt vendit