FLET DIPLOMATI SPARTAK TOPOLLAJ

770
Sigal

Petraq BARJAMI

Jo marrëveshje me Greqinë, nëse Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit të saj kushtetues

Dhe, akoma më keq është aluzioni, se, t’u dëftojë me arrogancën që e karakterizon, që sillet edhe me evropianët, sikurse u sillet njerëzve në këto llogaridhënie që bën përditë, se, nëse nuk na pranoni ju në BE, unë kam ku të shkoj, sepse krahëhapur më pret Erdogani

Spartak Topollaj, diplomat, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf” pohon se fryn një erë e re në marrëdhëniet e Administratës së Presidentit Trump me qeverinë shqiptare, pasi tani s’do të duken pasojat e deklaratave të papërgjegjshme të kryeministrit Rama ndaj kandidaturës së Trump në fushatën presidenciale. Si diplomat, zoti Topollaj e cilëson të çuditshëm edhe të dyshimtë ndërhyrjen e ambasadorit Lu tek kryeprokurori shqiptar për të mbrojtur interesat e një kompanie të huaj. Gjithashtu, zoti Topollaj analizon edhe qokat e disa ambasadorëve të huaj në Tiranë, që i bëjnë qeverisë shqiptare, duke përmendur ambasadorin Italian dhe të OSBE-së. Zoti Topollaj i kujton kryeministrit Rama, se nuk mund të shantazhojë dot Merkel, Macron dhe evropianët me aluzionet, se mund të afrohet nga Erdogani, nëse BE nuk e pranon Shqipërinë kështu siç e keqqeveris qeveria socialiste. Zoti Topollaj hedh dyshime të mëdha edhe në marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë, për arsye se qeveria jonë nuk jep asnjë informacion, kur, njëkohësisht, është pezulluar (qëllimisht) Gjykata Kushtetuese dhe çdo shqiptari i mohohet e drejta kushtetuese për të ankimuar marrëveshjen, siç ndodhi edhe në 2009-n. Zoti Topollaj thotë se nga kjo marrëveshje, që nuk bëhet transparente nga qeveria jonë, të humburit jemi ne, si palë dhe të fituar vetëm pala greke, derisa ajo çdo hap të marrëveshjes e bën transparente për popullin e vet.

– Zoti Topollaj, e deklaroi rastësisht kryeministri ynë nga Amerika atë thënie të “famshme” kundër Trumpit?

– Asokohe kryeministri Rama ishte i sigurtë, që do të humbiste Trumpi dhe për të “fituar” mbështetjen e Hillarit, bëri atë gafë politike. Edhe nga pikëpamja diplomatike, është krejtësisht e papranueshme të prononcohet kryeministri ynë në Amerikë për këdo kandidat në zgjedhjet presidenciale. Administrata e presidentit Trump është makineri gjigante, nuk lëviz me shpejtësinë e një Ferrari, lëviz ngadalë, i bën gjërat mirë, por nuk mund të ndryshojë menjëherë, e t’i thotë Edi Ramës: Po ti pse ke thënë kundër meje ato fjalë? Çdo gjë do të shkojë në vendin e vet. Në Shqipëri nuk duhet shpërdoruar dashuria që kanë shqiptarët për Amerikën dhe akoma më e pafalshme dhe e papranueshme është kur duan të bëhen proamerikanë, ata që nuk lanë gjë e pa bërë kundër Amerikës, ata për 50 vjet dhe tani na hiqen, sikur u digjet barku për Amerikën dhe duan të nxjerrin si antiamerikane opozitën, e sidomos PD-në, partinë që solli pluralizmin, partinë e parë, që lidhi Shqipërinë me Amerikën, partinë e parë që solli në historinë e Shqipërisë presidentin në detyrë të SHBA-ve, Xhorxh Bushin.

– Mosardhja në Shqipëri i Ndihmës Sekretarit të DASH Wes Mitchell, është reflektim i qëndrimeve politike të Administratës Trump ndaj qeverisë shqiptare?

– Kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar. Diplomatët amerikanë, sidomos ata që janë të ngarkuar për Ballkanin dhe Euro-Azinë, ta gjithmonë e kanë vizituar Shqipërinë, e jo vetëm një herë e dy herë. Fakti që zoti Mitchell e anashkalon Shqipërinë ka domethënien e vet. Dhe për këtë, ne duhet t’i vëmë gishtin kokës, sepse ne jemi fajtorë.

– Ku duhet të kërkojmë domethënien?

– Që tek fillimet e qëndrimeve armiqësore të kryeministrit Rama kundër Trumpit, në fushatën elektorale presidenciale në SHBA. Tani po plotësohen vendet me diplomatë në DASH, të cilët nuk i përkasin më administratës Obama, dhe tani këshilltarët e Trumpit kanë gjetur momentin t’i kujtojnë edhe presidentit Trump, që politikanët e majtë shqiptarë, me në krye kryeministrin Rama, kanë sulmuar publikisht juve. Ndërkohë që ambasadori i SHBA-ve në Tiranë është shumë aktiv. Unë kam qenë shumë kritik në shumë raste për sjelljen publike të ambasadorit Lu, siç ju përmenda, në deklaratën e tij në pragzgjedhjet parlamentare të 2017-s, kur tha, se në Shqipëri mund të bëhen zgjedhje parlamentare edhe pa opozitën dhe heshtja e tij për Shqipërinë e jeshilosur me hashash, etj.

A është në detyrat kredenciale të ambasadorit Lu, t’i kërkojë kryeprokurorit shqiptare të arrestojë me emra zyrtarë të lartë shqiptarë, pa i dhënë fakte?

– Një nga gjërat më të papranueshme, që më ka dhënë përshtypje të keqe, ka qenë momenti ku ambasadori Lu, ta kundërshtojë kryeprokurorin Llalla, i cili, duke qenë në detyrë, e akuzoi me shumë kurajë ambasadorin Lu, për një histori të njohur, që ai i kishte shkuar në zyrë, të nesërmen e një bisede, që ky kishte bërë me një biznesmen të njohur shqiptar dhe ai i kishte thënë, që në qoftë se nuk e bëre për mua, do të të vijë dikush tjetër, që të të detyrojë ta bësh. Këtu, në atë bisedë, publikisht u përfol se ishte problemi i Bankers Petroil. E vërteta është se ambasadori Lu heshti dhe është e papranueshme që një ambasador në Tiranë, i cili pretendon dhe thotë, që ne të luftojmë korrupsionin, të ndërhyjë deri tek kryeprokurori për të mbrojtur interesat e një kompanie biznesi. Përse ambasadori Lu të investohet kaq shumë? Kjo është një qokë, se në çfarë rrethana, me me çfarë shpërblime morale apo materiale, unë nuk kam të drejtë të them asgjë. Është e pafalshme, që të mendojmë anën materiale të kësaj qoke, por nuk e di se cilat rrethana e detyruan ambasadorin Lu të gabonte kaq rëndë e t’i shkojë në zyrë kryeprokurorit shqiptar e të ndërhyjë për një kompani, e cila, të mos harrojmë, ka bërë dëme shumë të mëdha materiale në zonat ku ajo kërkoi dhe shfrytëzoi naftë, me shpërthimet e saj, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi banorëve të atyre zonave naftë-mbajtëse. Unë mendoj, që ambasadori Lu u hakmor shumë shpejt, nuk e mbajti dot veten, kur deklaroi se prokurori i Përgjithshëm është një nga ata, që nuk do t’i lejohet hyrja në SHBA, e për më keq akoma, edhe fëmijëve të porsalindur të kryeprokurorit. Duhet ashiqare, që ishte tendencioze, sepse nuk e besoj se është i korruptuar edhe foshnja e kryeprokurorit, sa t’i ndalohet hyrja në SHBA. Është një lloj djallëzie, që në këtë kohë të ndryshimeve të administratës në SHBA, mund të gjendet edhe boshllëqe, ku mund të kalojnë edhe disa gjëra që janë të çuditshme. Lu-ja e luajti bukur këtë rol, gjeti momentin më të përshtatshme për të goditur Llallën, duke detyruar DASH t’i ndalojë hyrjen në SHBA.

– Sipas jush, çfarë mesazhi përcolli kryeministri Rama, kur deklaroi, se, derisa nuk ka folur ambasadori Lu, për akuzat ndaj ministrit Xhafaj, asgjë nuk është e vërtetë?

– Kjo kishte dy qëllime. E para, Rama kërkonte një certifikatë ndershmërie, duke deklaruar, që edhe Lu-ja nuk ka folur, sepse logjika këtë të pranon, por nga ana tjetër, ai bëri këtë deklaratë, që për mua është shumë e kompromentuar për vetë Ramën, por edhe për ambasadorin Lu. Kryeministri Rama nuk ka asnjë të drejtë që të prononcohet në emrin e ambasadorit amerikan në Tiranë. Asnjë status i kryeministrit shqiptar nuk mund të t’i japë atij të drejtën, që të prononcohet në emër të ambasadës dhe titullarit të ambasadës. Dhe Lu-ja e kuptoi lojën e dyfishtë, prandaj doli dhe e përgënjeshtroi Ramën, duke i kujtuar, që në emrin e ambasadës flet vetë ambasada. Po, le ta marrim ndryshe. Pse, kjo është e rëndësishme, pse nuk kanë folur ambasadorët, nuk ka ndodhur e keqja nga inkriminimi i zyrtarëve të lartë? Pse, kaq naiv duan të na bëjë Rama? A ka ditë që nuk kapen 500 kg hashash?

– Po kur maxhoranca thotë publikisht, që ministri Xhafaj nuk ka përgjegjësi morale dhe politike, sepse gëzon edhe përkrahjen e SHBA-ve?

Kjo më duket kaq naive, dhe kaq e papranueshme, sa të them të drejtën, sesi ka njerëz, që e besojnë këtë budallallëk. Sepse ky është një budallallëk. Po pse e përkrah Amerika? Si një hetues i kohës së Komunizmit? Apo, si vëllai i një anëtari të një grupi shumë rrezikshëm, të strukturuar kriminal? Nëse është katandisur SHBA-të të mbështetin këtë ministër në Shqipëri, atëherë duhet parë edhe ai që flet në emër të SHBA-së këto broçkulla. Kjo qokë nuk do vonojë të zbardhet.

Zoti Topollaj, shumë herë OSBE-ja ka kërkuar reformë zgjedhore në Shqipëri, por nuk ka rekomanduar as ndryshimin e Kodit zgjedhor, që vota ta barazohet, as të ashpërsohet ligji për financimin e partive. Ju, si e deshifroni kërkesën e OSBE-ja pa këto?

– OSBE-ja vetë nuk është shumë e qartë, sepse jo gjithmonë, ka thënë të njëjtën gjë dhe më vjen keq, po këtu, të dyve ambasadorëve u është shtuar edhe një tjetër ambasador, i treti ambasador i OSBE-së, Bochard, i cili bëri një gafë skandaloze, që u mundua ta korrigjojë shumë shpejt. Gafën e bëri në korrigjim, jo në deklarimin e parë. Njëherë thotë që Shqipëria është e mbuluar nga kanabisi, etj, e pastaj, kur e kuptoi çfarë tha, sepse tha një të vërtetë, nuk e di, nga vetvetja apo nga Vjena, kur është qendra e OSBE-së, mbase i tërhoqën veshin “pse na nxjerr zbuluar”. Pse serioze është që një ambasador i OSBE-së të përgënjeshtrojë vetveten? Ky ambasador i OSBE-së, duket sikur po shton listën e ambasadorëve, që u bëjnë fresk kësaj qeverie.

– Për çfarë arsye mendoni ju, këta ambasadorë i bëjnë fresk kësaj qeverie të kryeministrit Rama?

– Për arsye që i dinë ata, nuk dua t’i komentoj, skam të drejtë të komentoj, ama të drejtë të kuptoj kam, nisur edhe nga eksperienca ime. Nuk mundet të vish si ambasador, me mision dhe, paskëtaj, të gënjesh këtë popull e t’i thuash: “flas për këtë vit, e flas për atë vit”, sepse ne e dimë kur lulëzoi në hashash Shqipëri, kjo ndodhi në kohën e qeverisë “Rama” e ministrit Tahiri, e akoma vazhdojnë tonelatat e drogës të mbushin Italinë me “taksitë” e Adriatikut, matanë bregut tonë, sepse këtej e kanë të lirë udhëkalimin.

Ju si e shpjegoni, që drejtësia italiane ka hapur padi penale edhe ndaj ministrit të Brendshëm, Tahiri, kur, ndërkohë, ambasadori Italian në Tiranë, bën avokatin e tij dhe të vëllait të ministrit të Brendshëm?

– Një nga befasitë ishte e deklarata e ambasadorit Italian Alberto Cutillo. Është hera e parë, që një ambasador Italian i bën një qokë kaq flagrant qeverisë shqiptare. Përse, qysh, etj, unë do mundohem ta argumentoj. Thuhet se bashkëshortja e tij është këshilltare e ministrit të Drejtësisë italiane. Siç dihet nga të gjithë, në Shqipëri policia shqiptare ka lejuar dhe bashkëvepruar me organizma të caktuara të policisë dhe të shërbimeve sekrete italiane për të futur në Shqipëri aparaturë përgjimi, gjë që është rreptësisht e ndaluar edhe me Kushtetutë, por edhe pa lejen e Prokurorit të Përgjithshëm e të gjykatës. Zbulimi i këtij skandali çoi edhe në arrestimin e 3-4 drejtorëve të rëndësishëm të policisë, të cilët më vonë, çuditërisht, u liruan, dhe italianët u ndodhën në vështirësi. Vite më parë në Itali plasi një skandal analog si ky, ku 2 gjeneralë italianë dhe CIA kishin bërë përgjime në Itali në kuadrin e luftës kundër terrorizmit. Mirëpo problemi ishte se 2 gjeneralët ua kishin dhënë lejen pa miratimin e kryeprokurorit dhe gjykatës Italiane dhe sot janë në burg gjeneralët e shërbimeve sekrete italiane. Ambasada italiane deri më sot ka heshtur për këtë skandal. Mos vallë, për këtë shkak, arsye, ambasadori Italian ndërhyri publikisht për të bërë qok qeverisë, kur u bë avokat i vëllait të ministrit Xhafaj? Ndërsa tani, ambasadori Italian, në mënyrën më të çuditshme për mua, bëri avokatin më të kualifikuar të vëllait të ministrit Xhafaj. Na bindi ambasadori Italian, që di gjithë kronologjinë e krimit të vëllait të ministrit Xhafaj dhe të gjitha i tha në prizmin e një apologjie ndaj këtij. Por ambasadori Italian “harroi” të na thotë, që vëllai i ministrit u dënua maksimalisht si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Ky qëndrim e komprometon shumë rëndë ambasadorin Italian.

Sa mund të besojë Evropa në vullnetin politik të kryeministrit Rama se kërkon integrim në Be, kur, paralelisht, i thur lavde presidentit Erdogan?

– E para, nuk mund të intimidosh evropianët, qoftë Merkel, Makron dhe qeverinë e deputetët holandezë me idenë, për mua absurde, të asaj që thotë kryeministri Rama: “Na pranoni ju në BE, sepse gjatë rrugën unë do ndreq edhe gabimet”. Por evropianët nuk e pranojnë këtë sjellje të kryeministrit Rama. Prandaj këmbëngulin, duke i dëftuar qartazi problemet e tij. Krimin dhe korrupsionin e pandëshkuar. Dhe, akoma më keq është aluzioni, se, t’u dëftojë me arrogancën që e karakterizon, që sillet edhe me evropianët, sikurse u sillet njerëzve në këto llogaridhënie që bë përditë, se, nëse nuk na pranoni ju në BE, unë kam ku të shkoj, sepse krahëhapur më pret Erdogani, është për mua e papranueshme, për një kryeministër i një vendi që kërkon të hapë negociata me evropianët, për t’u anëtarësuar në BE. Ky qëndrim i kryeministrit Rama ndaj evropianëve, është non sens politik, diplomatik, të mos them, se cenon edhe dinjitetin kombëtar.

– Përse e thoni këtë të fundit?

– Ergogani e ka shpallur doktrinën e vet, nëpërmjet ish-kryeministrit Davutoglu, të cilin kam pasur rastin të bashkëbisedoj gjatë me atë, në universitetin amerikan dhe ia kam “blerë” mendjen, profesor i historisë është, i cili është ideologu kryesor i neootomanizmit. Dua të theksoj, që të pranosh neootomanizmin e sulltanit të ri, që shkel përditë e më rëndë të drejtat e qytetarëve në Turqi, që burgos me mijëra qytetarë të vet, sepse i cilëson kundërshtar të ideve të tij, duke provokuar me të ashtuquajturin “grusht shteti”, me afrimin politik në këto kushte dhe kohë, kur pretendon të hapësh negociatat me BE, dashuria e madhe që demonstron përditë kryeministri Rama për Erdoganin, më lë shije të hidhur. Dhe, më keq, i shqetësuar ngre pyetjet ndaj kryeministrit tim, Rama: Si ka mundësi që koncesionet e mëdha të pasurisë kombëtare të Shqipërisë, fitohen të gjitha, – Vallë Rastësisht, – nga kompanitë turke, të cilat janë miqtë e Erdoganit? Ajo që nuk duhet të ishte e pranueshme është imitimi i stilit otomanist i xhamive turke, në ndërtimin e xhamive në Shqipëri, ndërkohë që ka xhami edhe Zagrebi shumë moderne, shumë të bukura. Kur Evropa është shumë kritik ndaj politikës së neootmoanizmit të Erdoganit, kryeministri Rama qaset dhe i thur lavde, sa i shkon edhe në dasmat familjare të Erdoganit.

– Zoti Topollaj, cili është vlerësimi juaj për marrëveshjen që sapo mbyllet e Shqipërisë me Greqinë, jo vetëm për përcaktimin e kufijve tanë detarë, por edhe për çështjet e mbetura pezull për një ndërkohë dhjetëra vjeçare?

– Fillimisht, dua të kujtoj, që kjo maxhorancë bëri zhurmën për marrëveshjen e 2009-s, ku siç dihet u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Socialistët atëherë kërkon të dënonin si akt tradhtie ndaj Atdheut anëtarët e komisionit të atëhershëm të negociatave të asaj marrëveshjeje. Erdhën zgjedhjet e 2013-s ku fituan socialistët, dhe, çuditërisht, pa dhënë as shpjegimet e transparencën, PS-ja I bën sërish, ata, që kishte deklaruar për ndjekje penale, anëtarë të komisionit të negociatave me Greqinë. Tani, kë Parti Socialiste të besojmë? PS-në opozitare të 2012-s? Apo PS-në qeverisëse të 2018? Kjo qeveri e tyre, deri më sot ka qenë hermetike dhe nuk ka bërë asnjë dhe asgjë transparente, se çfarë çështje negocion, ku kanë shkuar negociatat. Vetëm pala greke publikon gjithçka dhe andej ne informohemi. Madje, pala greke informon rregullisht median, parlamentin e tyre.

– Mos vallë është sekret shtetëror, që qeveria të japë informacion për çfarë negociojnë për marrëveshjen me Greqinë?

– Nuk ka sekret shtetëror. Është absurditet që marrëveshje të tilla ndërshtetërore, për më tepër me fqinjët, të mbahen sekret, jo vetëm për publikun, por edhe për Parlamentin. Mos harroni, qeveria donte të anashkalonte edhe kompetencat kushtetuese të Presidentit. Shqipëria nuk bën negociata me Greqinë, derisa kemi marrëdhënie diplomatike. Negociatat bëhen me shtete që nuk ke marrëdhënie diplomatike, por je në gjendje lufte, siç është Irani me Izraelin.

– Ju, e gjykoni të keqe marrëveshjen çfarë është arritur deri tani, me aq sa informohemi nga media greke?

Nuk e gjykoj dot, derisa nuk kam informacion, por fakti që mbahet e fshehtë nga qeveria jonë, më lë ndjesi të keqe. Kjo marrëveshje është problematike.

– Konkretisht?

– Thuhet nga pala greke që nuk diskutohet fare Çështja Çame. Dhe kur qeveria jonë nuk reagon, ka diçka që është në dëm të madh për interesat tona kombëtare. Media greke thotë që kryeministri Rama do takohet me kolegun grek në 28 qershor dhe ne ndodhemi para faktit të kryer. Por, qeveria jonë u “përkujdes”, që paralelisht me përfundimin e marrëveshjes me Greqinë, të paralizonte edhe Gjykatën Kushtetuese, me pretekstin e vetingut. Kjo është prapaskena politike nga qeveria jonë. Qeveria jonë u heq shqiptarëve mundësinë që të ankimojnë të drejtën kushtetuese të kundërshtimit të marrëveshjes me Greqinë, për më tepër, që qeveria nuk na informon për asgjë. Prapaskena politike e qeverisë tonë për marrëveshjen që arriti me Greqinë, është lëshimet e mëdha që i bëri Greqisë, për territorin tonë, për çështjet tona kombëtare, për lëmoshën e votës greke për hapjen e negociatave. Derisa Gjykata Kushtetuese është e bllokuar nga kjo qeveri, besoj që Presidenti i Shqipërisë të ketë kompetencën kushtetuese që të mos e firmosë marrëveshjen e qeverisë tonë me Greqinë, deri në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka marrëveshje të qeverisë me Greqinë, nëse Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit të saj kushtetues.

– Faleminderit!