FLET DIPLOMATI SPARTAK TOPALLAJ

763
Sigal

Petraq BARJAMI

Spartak Topallaj: Dikush nga tanët, nga ata që negociojnë marrëveshje, mund ta ketë ngjyer gishtin në “mjaltin” e fondeve sekrete të diplomacisë greke

Pse duhet të rrijë kaq kohë SHISH pa kryetar të dekretuar? Si mundet të katandiset një vend anëtar i NATO-s që pretendon të bëhet anëtar në BE dhe të mos ketë Gjykatë Kushtetuese? Është e çuditshme, por edhe lehtësisht e kuptueshme, përse po ndodh kjo. Dikush ka interes t’i ketë edhe institucionet kushtetuese në varësi, ose të mos i ketë nëpër këmbë, ose do t’i kontrollojë

Spartak Topallaj, diplomat në intervistën për gazetën “Telegraf” hedh dyshime të mëdha për heshtjen e ministrit të Jashtëm Bushati, por edhe të qeverisë tonë, ndaj deklaratës të ish ministrit të Jashtëm të Greqisë Kotcias, për zgjerimin e kufijve detarë të Greqisë në 12 milje. Si diplomat, zoti Topollaj pohon se, sipas deklaratave të Kotcias, marrëveshja është e përfunduar, por, kurrsesi shqiptarët do ta pranojnë, nëse qeveria pranon të humbasim sipërfaqe detare. Duke iu referuar fondeve sekrete të diplomacisë greke, zoti Topollaj thotë se dikush mund ta ketë ngjyer gishtin në “mjaltë”, nëse quhet mjaltë helmi i fondeve greke. Zoti Topollaj pohon se diplomacia jonë shpeshherë është treguar inferiore në marrëdhëniet me Greqinë dhe nuk ka mbrojtur të drejtat e emigrantëve tanë. Zoti Topallaj thotë se mazhoranca, duke mbajtur peng emërimin e drejtuesve të institucioneve kushtetuese, nuk do t’i ketë nëpër këmbë, dhe se skandalet e njëpasnjëshme të korrupsionit bëjnë të qartë pse pengohet emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm siç e përmban Kushtetuta.

 

-Zoti Topallaj, si diplomat, ju si e konceptoni heshtjen e diplomacisë e të shtetit tonë, ndaj deklaratës të ish-ministrit të Jashtëm grek Kotcias, se “Greqia, në saj të marrëveshjes me Shqipërinë, zgjeroi kufijtë e saj detarë në 12 milje”?

– E thënë nga ministri i deridjeshëm i Punëve të Jashtme të Greqisë, Kotcias, është më tepër sesa fakt i kryer, sepse natyrisht, ai nuk mund të gënjejë. Fakti që Kotcias këmbëngul që “ ne e kemi arritur në parim marrëveshjen për 12 milje detare dhe nuk ka asnjë reagim nga diplomacia shqiptare, por edhe nga qeveria shqiptare, tregon që këtu ka diçka që nuk shkon. Por heshtja e diplomacisë tonë, e ministrit Bushati, që nxitoi dhe e falënderoi Kotcian pse dha dorëheqjen, të lë një shije të hidhur. Heshtja është e papranueshme dhe jam i bindur që shqiptarët nuk do ta pranojnë dhe kjo marrëveshje, në këto kushte dhe me këto përparësi që fiton pala greke, nuk do realizohet kurrë, kushdo qeveri që të jetë.

Ju, sa besoni, që, sipas publikimeve në median tonë, diplomacia greke, ka shumë mundësi të ketë paguar edhe negociatorët shqiptarë, që negociojnë në marrëveshjen dypalëshe?

– Përse mbahet e fshehtë, e koduar lista e atyre mediave, gazetarëve, personaliteteve që kanë përfituar nga fondet sekrete greke? Për çfarë shërbimi morën fondet sekrete të diplomacisë greke? Pa, të shikojmë se çfarë qëndrimi kanë mbajtur këta përfitues të fondeve greke në raportet me Greqinë, për negociimin e marrëveshjes, që ta kuptojmë, kush janë paguar, përse janë paguar dhe si janë paguar?

– Ju përjashtoni mundësinë e financimit të negociatorëve tanë që negociojnë marrëveshjen me Greqinë?

– Unë do të thosha këtë gjë. Për çfarë synimi mund të ketë Greqia ndaj nesh dhe çfarë shërbimi u kërkon mercenarëve? Që ta pohoj nëse janë paguar nga këto fonde sekrete të diplomacisë greke edhe negociatorët e marrëveshjes dypalëshe, kam përshtypjen se është pak shpejt. Mund të marrim me mend që ka diçka në këtë mes. Bëhen negociata, për ne mbahen të fshehta, nga grekët nuk ka të fshehta. Atëherë, a kanë të drejtë njerëzit, që edhe këtë mundësi, të financimit të negociatorëve tanë, ta mendojnë? Derisa nga grekët nuk ka të fshehta për opinionin e tyre, ndërsa diplomacia jonë, qeveria jonë na fshehin gjithçka, atëherë dikush mund ta ketë ngjyer gishtin në “mjaltë”, nëse quhet mjaltë helmi i fondeve sekrete greke….

– Mendoni se kësisoj, nëpërmjet këtyre fondeve, diplomacia greke ka futur duart në Sigurinë Kombëtëre të Shqipërisë?

– Dikush në fshehtësi, në klandestinitet, në konspiracion me vetë shtetin e tij, nuk përjashtohet të bëjë politikën e grekëve. Në asnjë vend nuk përjashtohet kjo mundësi. Edhe Vili Brandit kryekëshilltari i tij politik i doli agjent i KGB-së dhe ai dha menjëherë dorëheqjen.

– Shërbimi ynë Informativ Shtetëror, a del zbuluar në këtë rast? Duhet të mbajë përgjegjësi?

– Po, patjetër, krerët e SHISH, aktualisht nuk ka kryetar, e dimë, Presidenti nuk e ka dekretuar akoma kandidaturën e propozuar nga Kryeministri, ai që është në krye, është i komanduar, patjetër, që kanë përgjegjësi, të madhe bile. Por, çfarë informacioni çojnë ata tek Presidenti, tek kryeministri, derisa nuk i dimë, nuk është e ndershme që të paragjykojmë. Unë nuk dua që ta besoj kurrë, që tek çështja e Sigurisë Kombëtare, që funksionarë të këtyre institucioneve dhe të këtyre niveleve, të punojnë kundër Shqipërisë. Nuk dua ta besoj, por jo se e përjashtoj, sepse mund të ndodhë edhe në SHBA.

– Zoti Topallaj, ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, ishte akuzuar nga kryeministri Rama si njeriu i Saliut. Si e shpjegoni që kryeministri Rama e propozoi Vishon për ambasador të Shqipërisë në NATO? Mos vallë Rama është peng i informacioneve që ka Visho Ajazi?

– Mund ta quash edhe paradoksale këtë, që edhe e akuzon Visho Ajazi Likën si njeriun e Berishës, edhe e akuzon shpesh si njeriun që i çon më përpara informacionet Berishës, edhe pse nuk është më kryeministër dhe papritur mësojmë që zoti Visho Ajazi Lika lirohet nga detyra e kryetarit të SHISH dhe propozohet nga kryeministri Rama për t’u dekretuar ambasador i Shqipërisë në NATO. Se çfarë ka kjo çështje nën tokë dhe nën ujë, natyrisht edhe këtë ne të sigurt nuk mund ta dimë, por mendësojmë, që diçka ka ndodhur midis Vishaj dhe kryeministrit Rama. Nuk ka sesi shpjegohet ndryshe kjo kthesë e menjëhershme dhe “dashamirësia” e “bujaria” e kryeministrit Rama, që menjëherë e dekreton ambasador në NATO. Por, kjo më kujton edhe një gjë tjetër. Edhe një pjesë e Komisionit negociator të marrëveshjes së Detit me Greqinë të 2009-s, që u akuzuan nga opozita e atëhershme e PS dhe Edi Rama si njerëz që kanë negociuar në dëm të interesave kombëtare, që po shesin detin, etj., etj., çuditërisht u dhanë të gjithë për ndjekje penale, me emra, por 3 a 4 nga këta, menjëherë, ajo opozitë socialiste që i akuzoi, i emëroi …ambasadorë.

– Atëherë, akuzat për tradhti kombëtare ndaj personave që kanë detyra negocimi në diplomaci, bëhen për konsum politik të çastit, apo ka interesa dhe pengje?

– Për mua janë të dyja. Ne jetojmë në Shqipëri, i njohim lidhjet, diku të fshehta, diku të hapura, mentaliteti shqiptar, nepotizmi, raportet më jep të të jap, në kuptimin më duhet ky ta përdor, ta kem njeriun tim, të mbyllim njërin sy e veshin tjetër për dikë, por ama të sulmojmë dikë tjetër, këto janë bërë, por mirë nuk është, serioze nuk është për udhëheqësit e qeverisë. Nuk është mirë që një anëtar të një komisioni kaq të rëndësishëm të negocimit të një marrëveshjeje dypalëshe me shtetin fqinj, ta akuzosh që ka shitur, ka tradhtuar interesat kombëtare dhe pastaj ta emërosh ambasador, ti, që e akuzove, kjo nuk shkon.

– Zoti Topallaj, si mund ta shpjegoni, pse shumë drejtues të institucioneve kushtetuese janë të emëruar të përkohshëm e jo të zgjedhur, sipas Kushtetutës?

– Kjo amullti kushtetuese, mungesa e rendit kushtetues, derisa nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, derisa kryeprokurorja e Përkohshme është emëruar nga qeveria, derisa edhe Gjykata e Lartë nuk funksionon, derisa nuk janë ngritur akoma ato institucione të drejtësisë që do të hetojnë e gjykojnë korrupsionin, është e dukshme dhe e qartë, që i intereson kryeministrit e qeverisë, të mos i ketë nëpër këmbë institucionet kushtetuese, të mos bëhen pengesë për atë që ata duan të realizojnë (natyrisht, të kundërligjshme). E thënë më qartë: Për kohëzgjatjen e tyre në qeveri, duke qeverisur si të duan ata, duke shpërdoruar ligjet.

– Çfarë interesash kanë ata që qeverisin për të penguar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese?

– Po ngjarjet që u zhvilluan, skandalet e njëpasnjëshme të korrupsionit, të bashkëpunimit të njerëzve me pozitë me njerëzit e krimit, e bëjnë të qartë pse u pengua emërimi dhe zgjedhja në rrugë konstitucionale, siç e përmban Kushtetuta e Prokurorit të Përgjithshëm? Ç’është ky term: Prokuror i Përkohshëm i Përgjithshëm? U zgjodh zonja Arta Marku vetëm me votat e mazhorancës. Çfarë nxitimi kishte mazhoranca dhe për çfarë i duhej me kaq ngut? Parlamenti është aty, mund ta zgjidhnin me procedurën që parashikon Kushtetuta. Pse duhet të rrijë kaq kohë SHISH pa kryetar të dekretuar? Si mundet të katandiset një vend anëtar i NATO-s që pretendon të bëhet anëtar në BE dhe të mos ketë Gjykatë Kushtetuese? Në një vend demokratik, Gjykata Kushtetuese është ajo që thotë fjalën e fundit për çdo ligj, për çdo dekret, për çdo VKM. Është e çuditshme, por edhe lehtësisht e kuptueshme, përse po ndodh kjo. Dikush ka interes t’i ketë edhe institucionet kushtetuese në varësi, ose të mos i ketë nëpër këmbë, ose do t’i kontrollojë.

– Sa besoni që vettingu do të bëjë katharsinsin e korrupsionit në Drejtësi?

– Unë në parim jam shumë dakord për vettingun, por kush i cakton anëtarët që bëjnë vettingun? A nuk e emëron politika? Kur i cakton politika, a nuk do të sillen ata sipas interesave dhe urdhrave që do marrin nga ata që i caktojnë? Pastaj, përse nuk bëhet vetting edhe në politikë? Përse mazhoranca bën rezistencë kundër vettingut në politikë, duke u justifikuar me Venecian? Kur paradoksi është që po kjo mazhorancë nuk e përfilli opinionin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi…Vettingu le të bëhet edhe në politikë, përfliten shumë ministra për pasuria të mëdha dhe nuk është e vështirë të kuptohet.. Ka shumë emra gjyqtarësh e prokurorësh të përfolur si mbrojtës shumë të flaktë në raste të njëpasnjëshme gjatë viteve të së Majtës, çuditërisht, nuk u del emri fare për probleme nga vettingu. Kjo tregon se një selektivitet i tillë nga ata që bëjnë vettingun është tendencioz. Pra, ata gjyqtarë dhe prokurorë që i kanë rezistuar presioneve të politikës, ata që kanë mbajtur një qëndrim objektiv dhe vendimmarrjet e tyre janë konform ligjit, tani ata shikohen si “delja e zezë” dhe me një mënyrë, apo me një tjetër, vettingu i skualifikoi. Dhe kulmi është se është përdorur një një politikë dy standarde dhe është mbajtur një qëndrim dy standarde..

– Shumë herë mazhoranca ka pretenduar se vettingu zhvillohet me sukses, sepse edhe ndërkombëtarët që e monitorojnë, e vlerësojnë procesin, siç po zhvillohet ky vetting. Atëherë, pse ndërkombëtarët nuk i prekin këto problematikat e dy standardeve në vetting?

– Ne duhet ta kërkojmë të keqen dhe defektin tek vetja. Unë nuk jam për atë që t’u japim përparësi ndërkombëtarëve. Faktori i brendshëm dhe vetja jonë ka përparësi në marrjen e vendimeve, veprimeve, krijimin e institucioneve, kontrollin e tyre, ndërkombëtarët vëzhgojnë, ndihmojnë me sa munden, por ama ne jemi përcaktues. Njëherë ne duhet ta kërkojmë defektin dhe të keqen te vetja. Unë nuk jam për atë që duhet t’u jap përparësi ndërkombëtareve. Faktori i brendshëm dhe vetja jonë ka përparësi në marrjen e vendimeve, veprimeve, krijimin e institucioneve, kontrollin e tyre. Ndërkombëtarët vëzhgojnë, ndihmojnë mesa munden, por ama ne jemi përcaktues. Tek ne është e gabuar dhe vazhdon kjo teori e gabuar e mbivlerësimit ndërkombëtar. Disa nga ndërkombëtarët kanë dhënë prova haptazi të njëanshmërisë së tyre. Ne nuk e duam Amerikën për hatër të ambasadorëve, ne duam ambasadorët për hatër të Amerikës.

– Si e vlerësoni deklaratën e kryeministrit Rama për ngjarjet e Bularatit?

Atë që s’pranoj unë është reagimi i gabuar dhe i nxituar i Kryeministrit ndaj deklaratës së Doktor Berishës, e cila ishte deklarate realiste, i bëri thirrje të gjithë mendjeve të nxehta, sidomos në Greqi natyrisht, po dhe këtu, ndonjëri kërkon t’i fryjë zjarrit kot, sepse ne nuk duhet të harrojmë që asnjë rast nuk ka asnjë shtetas shqiptar në Greqi të ketë bërë një veprim sadopak të përafërt si ky.

-Në shumë raste të dhunës, të vrasjeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi, qeveria jonë ka heshtur dhe as nuk është ankuar ndaj qeverisë greke. Ju, si mendoni, përse?

– Ne kemi një qëndrim përgjithësisht jo gjithmonë reciprok, por shumë herë një qëndrim pak si inferior me atë frikën se Greqia është në BE dhe është më e preferuar sesa ne, është më e besueshme se ne. Grekët kanë një lob të fuqishëm në Amerikë. Ne shumë herë jemi tërhequr dhe nuk e kemi çuar deri në fund luftën për të mbrojtur të drejtat e atyre emigranteve dhe familjeve të tyre atyre emigrantëve, që janë vrarë, apo keqtrajtuar. Ne kemi ndenjur, duhet ta pranojmë, inferiorë dhe kjo është e papranueshme, por kryengjarje për grekët duhet të mendohen mirë kryengjarja që kurrë nuk është pa prapavijë politike, vazhdon të mbetet masakra e Peshkopisë. Vranë dy ushtarakë. Ata, që vranë, sot janë të lirë, bile ndonjëri guxon të kthehet në Shqipëri. Shteti jonë bën sehir dhe, ai madje kandidon dhe për kryetar bashkie në Himarë, a në Dropull, nuk e di se ku. Pra e vërteta është që ne duhet të mbajmë një qëndrim rreptësisht reciprok.

– Faleminderit!