Flet deputeti i PD Luçiano Boçi: Në Elbasan, Rilindja inkurajon krimin për të grabitur vota për pushtetin

715
Jakup B. GJOÇA

Në Elbasan, Rilindja inkurajon krimin për të grabitur vota për pushtetin
Intervista/ Deputeti i PD-së rrëfen arsyet se pse fondet në arsim janë pakësuar dhe kush e inkurajon krimin në Elbasan
Sot Universitetet publike përjetojnë një çoroditje totale. Të pa financuar, të parregulluar në status për shkak të mungesës së ciklit të tretë të studimeve, të doktoraturave, e për shkak të mosfunksionimit të një ligji, i cili është amorf e pa akte nënligjore, kryejnë një jetë akademike e shkencore të cunguar, në mungesë lirie e autonomie e, për pasojë, një produkt mediokër
Është absurde, që në Elbasan krimi të mbizotërojë dhe qytetarët të jetojnë nën terror, ndërkohë, që deputeti i maxhorancës Taulant Balla, të jetë numri 2 i Rilindjes Socialiste, pa ndjerë aspak përgjegjësi politike, ndërkohë kryetari socialist i Bashkisë të Elbasanit të ketë mandat 12 vjeçar. Deputeti Luçiano Boçi në intervistën për gazetën “Telegraf“ pohon se Rilindja e inkurajon krimin në Elbasan, për ta shfrytëzuar për votat në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Zoti Boçi, si shefi i departamentit të Arsimit në PD skanon edhe reformën Rilindjes në Arsim, duke konstatuar, se tashmë universitetet publike përjetojnë çoroditje totale, ndërsa Arsimi në përgjithësi është në kaos të plotë. Fondet në Arsim janë pakësuar, sepse paguhen koncesionet e klientëve të Rilindjes. 
-Zoti Boçi, sa do ta përmirësojë mësimdhënien ora e re e mësimit 90-minutëshe që qeveria “Rama2” kërkon ta zbatojë në ciklet parauniversitare?
– As vetë Rama dhe as Ministrja nuk mund të na e thonë, nëse ora është 90 min apo 2×45. As njëri e as tjetri nuk e kanë të qartë. E qartë është që kanë krijuar një kaos të plotë me një vendim, sa profan dhe aq të mbrapshtë. Orari nuk është çështje e teknikalitetit formal e menaxhimit të procesit mësimor, por një element shumë i rëndësishëm pedagogjik e didaktik që i shërben mësimdhënies e mësimnxënies. Ai alternonte më parë dhënien e dijes në një dinamikë që mbante nxënësin të përqendruar dhe të argëtuar. Me kombinimin orë e vështirë orë e lehtë, orë e parë me përqendrim disi të fjetur dhe orë e dytë me përqendrim të lartë, apo të gjashtë me lodhje të plotë të nxënësit. Kishte në konsideratë vëmendjen e nxënësit në gjatësinë kohore dhe aftësinë e tij për të thithur njohurinë. Ai nuk mund të shprishet për të rregulluar diçka tjetër, si peshën e librave dhe sikurse asnjëherë nuk duhej të përdorej për të “llastuar” mësuesit e preferuar të drejtorit. I shërbente totalisht nxënësit. Për peshën e librave ka shumë alternativa zgjidhjeje, si kabinetet lëndore, apo studim deri në 16.00 në klasë, ose ndarja e librave kryesorë në pjesë sipas semestrave. Sot jemi para një ndërhyrjeje që ka efekte domino negativiste e aq më tepër të pa studiuar, të pa pilotuar e në shkelje totale me ligjin e arsimit parauniversitar. Them këtë, sepse ndërhyrja ka rrëzuar poshtë planet mësimore, programet sikurse dhe ka zhvlerësuar arkitekturën e teksteve. Ndikimi psiko-emocional tek nxënësi është negativist, me pasojë lodhje e stres dhe i tillë është dhe në efektin e absorbimit të dijes nga ana e tij. Nuk respekton asnjë standard pedagogjik tradicional dhe çorienton totalisht mësimdhënien e mësimnxënien.

– Cila është prapaskena e saj politike?
– Është një veprim populist sipas formulës: populli ngre probleme, partia i zgjidh. Me demek, nisma ishte e një grupi prindërish e mësuesish dhe këta si shumë “njerëzorë” e “që pyesin për njerëzit” e vunë menjëherë në jetë. Më pas, çdo gjë vërtitet në parulla e propagandë banale. Flitet për reformë, për skemë të re mësimdhënie, për fleksibilitet e çfarë nuk dëgjon. Madje, dhe togfjalëshin “peshë e librave” e harrojnë nga inflacioni i madh i fjalëve shabllone që përdorin. Por, realisht është si puna e atij të papunit, që tund derën. Shprehje e qartë e paaftësisë, pa përgjegjshmërisë totale, diabolizmit si kompensim, dembelizmit, mungesës së ideve dhe mungesës së dëshirës për të financuar arsimin. 
– Sa e ka rritur cilësinë në universitetet në Shqipëri, skema e re e akreditimit, që zbaton qeveria e Rilindjes?
– Akreditimi institucional është një skaner formal konstatues për gjendjen e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Skaner, i cili nxori në pah regresin e bërë në këto vite nga kjo qeverisje në arsimin e lartë publik. Dihet që universitetet publike u renditën shumë më poshtë se ato private dhe e fituan të drejtën e akreditimit për pak vite, madje UT vetëm për një vit. E kjo gjë, është rezultat i drejtpërdrejt i Ligjit të Arsimit të lartë si xhevahiri i reformës së Rilindjes dhe pasojave të politikave të mbrapshta të aplikuar në Universitete. Ministria, si përgjegjëse direkte e menaxhimit të tyre me anë të bordeve politike, nuk tha asnjë gjysmë fjale dhe nuk mori asnjë përgjegjësi, por u mundua t’ia lërë në derë stafeve të reja të dala nga zgjedhjet. Sot Universitet publike përjetojnë një çoroditje totale. Të pa financuar, të parregulluar në status për shkak të mungesës së ciklit të tretë të studimeve, të doktoraturave, e për shkak të mosfunksionimit të një ligji, i cili është amorf pa akte nënligjore, kryejnë një jetë akademike e shkencore të cunguar, në mungesë lirie e autonomie e vuajnë një produkt mediokër. Madje disa prej tyre si ai i Gjirokastrës, janë drejt fikjes së sigurt. Drama është se për këtë askush nuk mban përgjegjësi dhe, aq më keq, dalin e rrahin gjoksin për suksese. Jetojmë kohën e absurdit akademik.

– Cilat janë frytet e reformës të Rilindjes Socialiste në Arsim?
– S’ke nga t’ia nisësh më parë. Kemi një arsim parauniversitar krejtësisht rrëmujë. Struktura e tij është 5+4+3, ndërkohë që 90% e vendeve te OECD e kanë 6+3+3. Përkundrejt kësaj, programet e kurrikulat, bërtasin se i kemi evropiane, që i mbivendoset një strukture joevropiane. Ndërsa tekstet çuditërisht i kemi britanike. Tani orarin nuk e kemi as evropian, as sipas vendeve të OECD, as britanik. E kemi alla shqiptar. Mblidhi të gjitha këto copa dhe, në fund, të del vetë rezultati. Arsimi profesional është fshehur diku në një zyrë të ministrisë së ekonomisë, jashtë çdo logjike arsimore dhe për të ka kohë që s’pipëtin njeri. Do Zoti nuk ka humbur. Arsimi i lartë i degraduar e i deformuar në themelin e tij ligjor e akademik. Për shkencë as që flitet fare. Ka një triumf absolut të mesatares dhe rurales ministrore, sa duket e frikshme që në Shqipëri të shkruash apo të bësh shkencë. Sepse mundësi financiare e mbështetje nga shteti nuk ka e nuk ka, por këta po vdesin dhe pasionin njëherazi.
– Mund të bëni një skanim të gjendjes reale të Shkollave sot në vendin tonë?
– Me infrastrukturë për të ardhur keq, larg çdo parametri rajonal e jo më evropian. Pa mjete didaktike, pa biblioteka, pa laboratorë e pa TIK mjaftueshëm. Vihen re pak ndërhyrje rehabilituese dhe me gishtat e dorës numërohen godinat e reja të shkollave. Mungon një hartë reale e eficente e shkollave, gjë që ka ndikuar në rritjen galopante të klasave kolektive në zona të caktuara dhe pasjen e turneve në shkolla në zona të tjera. Mësuesit si elementi njerëzor i shkollës bashkë me nxënësit përjetojnë raportet më të vështira të ndërtuara ndonjëherë. Kjo, sepse figura e mësuesit është përçudnuar, marrë nëpër këmbë, depersonalizuar e ka rënë vite drite shkallë respekti para nxënësit, për shkak të trajtimit dhunues që i bëhet nga politika. Ndërkohë, nxënësi shpesh shihet si problem nga mësuesi, i cili duke mos pasur zë e fuqi të kundërshtojë qeverinë, zbrazet shpesh pa kuptim tek nxënësi.

– A ka meritokraci në emërimet e mësuesve në shkollat parauniversitare?
– Shumë propagandë për portalin e asgjë reale përtej. Emërime të paracaktuara, drejtorë të komanduar prej vitesh që kryejnë me bindje ritualin e shkarkimit “me lezet” e pa lezet, të kundërshtarëve politikë të evidentuar ose opsionalë. Drejtohuni pak tek faqja online e portalit. Nuk ka asnjë të dhënë për vende të lira, asnjë transparencë. Disa kanë vite që konkurrojnë e fitojnë e nuk emërohen e disa fitojnë pa konkurruar fare. Pak a shumë është sipas asaj historisë në analogji: të tjerë konkurrojnë, të tjerë fitojnë, të tjerë emërohen. 

– Sa janë fondet investuese për Arsimin në Shqipëri?
– Vazhdojnë të mbeten në nivele mjerane. Në 5 vite e njëjta shifër, 2.8 % e buxhetit, rreth 38 milion euro, megjithëse premtuan, sapo pushtuan pushtetin se do ta rrisnin në 5%. Ndërkohë, që klientelat e Ramës me koncesione pa kuptim gëlltisin dyfishin e kësaj shume brenda një viti. Brenda këtij 2.8% çdo gjë është standarde e nuk ka fuqi investuese, as në infrastrukturë e as në burime njerëzore. Kjo bën që gjithçka të përfundojë në nisma shterpë e të dëmshme, madje si ajo 3 lëndë në gjashtë orë. 

– Zoti Boçi, meqë jeni deputet në Qarkun e Elbasanit, ju si e shpjegoni që në Qarkun e Elbasanit, në krahasim me qarqet e tjera, rritjen e progresive të krimit dhe pamundësinë që kanë organet kompetente ta përballojnë? 
– Në Elbasan nuk ka thjesht rritje të krimit, por qartazi komandim të krimit. Në Elbasan i kanë harruar lulet, sepse atmosferën e zotërojnë krismat e herëpashershme. Inkurajimi vjen nga lart, nga implikimi, nga shërbimi që politika i kërkon krimit për votën e pushtetit dhe nga modeli i ngritjes së krimit në politikë.

– A ka mbështetje, përkrahje politike krimi në Elbasan?
– Në qoftë se nuk do të kishte, nuk do të ishte.

– Deputeti i Qarkut të Elbasanit Taulant Balla, para disa ditësh bëri fjalë që do të punësohen 230.000 veta në vitet e ardhshme të qeverisjes. Konkretisht në Elbasan, sa është perspektiva e punësimit, sa janë investimet, si është klima e të bërit biznes?
– Nuk e di për sa do e pjesëtojë Balla këtë 230.000 që të dalë pjesa e Elbasanit, por nuk e kuptoj kurajën e madhe për të gënjyer të kësaj mazhorance. Papunësia mbetet problemi numër Një e shkaku kryesor që 300.000 shqiptarë kanë marrë arratinë. Elbasani akoma më specifik në këtë pikë. Vetë INSTAT-i i këtyre thotë, që papunësia është rritur, ndërsa këta vazhdojnë të servirin absurditete. Për të qeshur e për të qarë njëkohësisht.

– Ju si e shpjegoni që realisht qarku i Elbasanit, e sidomos Librazhdi sot është burimi më i madh i furnizimit me dru në zonën JugLindore të Shqipërisë, deri në Përmet e Sarandë?
– Shumë e thjeshtë. Ka shpallur “autonomi” me dekret qehajai, nga moratoriumi i pyjeve. Sepse aty kanë interesat e drejtpërdrejta financuesit e votës së PS dhe klientela e kushërirllëku i big-ëve të partisë. I mbron dhe deputeti dhe kryetari bashkisë njëkohësisht. Ndërsa vetë banorët i blejnë drutë e ngrohjes, sikur të jetonin buzë detit e jo majë malit. Një skandal që po zhvesh kurorën e gjelbërt të asaj treve me një dëm ekologjik e ekonomik të pallogaritshëm për shoqërinë e shtetin. E askush nuk vepron.

– Sa janë investimet në Qarkun e Elbasanit në këto 5 vite të Rilindjes Socialiste?
– Sado të jenë, janë investime, që kanë ndjekur influencat personale politike e tenderuese dhe jo perspektiva zhvillimore. Janë përqendruar në qendra urbane për show dhe atraksion elektoral dhe janë lënë krejt në harresë zonat e tëra rurale ku nuk është hedhur asnjë qindarke e vetme. Një diskriminim absolut ky, që pasqyron efektet më të poshtra të një reforme administrative, e cila synoi vetëm votën dhe aspak prosperitetin e perspektivën e zonave përkatëse.

– Sa është përmirësuar gjendja ekonomike në Qarkun e Elbasanit në këto 5 vite të qeverisjes së Rilindjes Socialiste?
– Mjafton të vësh re se papunësia gëlon, se listat veresie mbijnë si kërpudha dhe se kërkesat për t‘u bërë pjesë e listës së ndihmës ekonomike janë bërë sa një mal. Është mali i varfërisë, nga ku Rama këndon çdo mëngjes nanurisjen e radhës.
Sigal