Flet Bode: Ja ku gaboi Lulzim Basha

448
Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, ka komentuar për herë të parë humbjen e thellë që pësoi Partia Demokratike më 25 qershor. Ai tha se Basha u përpoq që të konsolidonte pozitën e tij në parti dhe jo të çonte partinë drejt fitores. “Basha po punonte të konsolidonte pozitat e tij në PD. Shqetësim i tij ishte si të forconte pozitat e tij në parti dhe jo si të çonte PD në pushtet. Kjo nisi në që në vitin 2013 kur iu vu fshesa një pjese të mirë të strukturave në bazë. Kryetarë degësh dhe njësish dhe komunash u cilësuan të gjithë fajtorë. Të gjitha këto e dobësuan PD-në. Ai donte të bëhej një kryetar i pakontestueshëm i PD, se sa të ngrinte një trupë kompatibile dhe ta çonte PD-në në një garë si të barabartë. Strukturat në bazë ishin apatike. Disa herë bëmë përpjekje, por gjërat liheshin në mes. Deputetët u shkëputën nga zonat e tyre dhe më pas nuk u futën fare”, tha Bode në një intervistë televizive. Ish-ministri i Financave tha se kjo është humbja më e thellë që ka pësuar ndonjëherë PD-ja, pasi megjithëse në opozitë, mori më pak vota se 4 vite më parë. Bode tha se i ka shprehur Bashës rezervat e tij që përpara zgjedhjeve, se kishte diçka që nuk shkonte me partinë, pasi strukturat në bazë ishin të çorganizuara. “Ai nuk i çonte kurrë deri në fund asnjëherë ato që merrte përsipër në bisedë me ty. Kishte një retorikë të madhe mes asaj që thoshte dhe asaj që bënte”, tha Bode. Ai e kritikoi Bashën edhe për heqjen e simboleve dhe figurave të PD-së. “Tha që kishte një listë fituese. Ai tha se kjo i kishte shtuar njerëzit në mitingje, por në fakt ai nuk bëri asnjë miting. Kam dëgjuar që tani na akuzojnë se nuk bëmë fushatë aq sa duhej, por neve nuk u thirrëm dhe nuk na u dha asnjë detyrë në fushatë. Më erdhi keq që nuk isha në listë, por më keq më erdhi për mënyrën se si ndodhi”, tha Bode.
Sigal