Flet Besim Ndregjoni: Në katër vjet u dhanë vetëm 200 dëmshpërblime, 30 mijë familje janë në pritje

536
Ndregjoni: Në katër vjet 200 dëmshpërblime, 30 mijë familje në pritje
“Plagët e shtresës së ish-të përndjekurve nuk mund të mbyllen me lëmoshën që japin qeveritë, kjo shtresë duhet të integrohet”
Presidenti i Unionit të ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni, e konsideron të vonuar procesin e dëmshpërblimit të kësaj shtrese. Sipas tij, partive politike u mungon vullneti dhe gjithçka kanë bërë deri tani ka qenë një fasadë. Ndregjoni deklaroi për “Telegraf” se përshpejtimi i dhënies së dëmshpërblimit, duhet të jetë urgjent. Amendamentin e Partisë Demokratike, dorëzuar në Kuvend për rritjen e buxhetit për këtë shtresë, Ndregjoni e vlerësoi një veprim pozitiv, por u shpreh se kjo gjë duhej të ishte bërë më parë. Ai akuzoi forcat politike se e kanë përdorur për qëllimet e tyre lojën e dëmshpërblimit, ndërsa shtoi se në thelb, kjo shtresë ka nevojë për shumë gjëra që nuk i janë dhënë. Për Ndregjonin, nëse klasa politike do të ketë vullnet, dëmshpërblimi për rreth 30 mijë familje përfundon në 3-4 vite. 
Zoti Ndregjoni, PD ka dorëzuar në Kuvend një amendament, ku kërkon rritjen e buxhetit për shtresën e të përndjekurve, me qëllim dhënien e dëmshpërblimit. Sa të besueshme e shihni këtë lëvizje?
Nëse qeveritë shqiptare kanë luajtur një lojë të fshehtë dhe propagandistike të politikës, është çështja e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë. E kam theksuar jo vetëm një herë, që dëmshpërblimi nuk është një vendimmarrje qeveritare që i bën të përndjekurve politikë si shtresë në nevojë, por është ligj i bazuar në Kushtetutën dhe në Konventat Ndërkombëtare të Drejtave të Lirive të Njeriut ku thuhet, që të jepet ky dëmshpërblim për të gjithë familjarët, për të gjithë të persekutuarit nga një sistem diktatorial. Këtu tek ne si çdo gjë tjetër, edhe kjo gjë politizohet në shërbim të pushtetit dhe thuhet me të madhe që të jepet sa më shpejt.

Sa persona janë dëmshpërblyer deri tani?
Katër vjet kjo qeveri ka dhënë dëmshpërblim vetëm për 200 ish-të burgosur politikë që janë gjallë. Kurse për pasardhësit e tyre nuk ka dhënë as edhe 1 qindarkë rreth të drejtës ligjore që ka qeveria për të dhënë dëmshpërblim. Përshpejtimi është një veprim i duhur dhe shumë i nevojshëm për shtresën e të përndjekurve politikë, duke parë që kjo kjo nga një shtresë intelektuale pronare, sot ka dalë një shtresë e varfër nga persekutimi që i ka bërë politika postkomuniste.

Por ju thoni se PD ka kërkuar përshpejtimin dhe a duhet të përshpejtohet? Urgjentisht duhet bërë.

Por si mund të realizohet?
Dhe kjo nuk ka ndonjë veprim të madh ligjor, do vetëm një vullnet politik që buxheti i shtetit të mos harxhojë miliona dollarë për zëra të ndryshëm që nuk i shërbejnë shoqërisë, por që dëmshpërblimi të jetë prioritet. Është një detyrim kombëtar i kësaj politike që, për hir të së vërtetës, nuk i dënoi krimet e komunizmit, por është përqendruar vetëm tek dëmshpërblimi.

Pra, ju thoni se për të përndjekurit nuk është bërë sa duhet dhe se plagët e tyre vazhdojnë të jenë të hapura?
Kjo që bëjnë qeveritë, pra dëmshpërblimi, është vetëm një fasadë, sepse plagët e të përndjekurve mbyllen kur ata të kenë të drejtën e integrimit në institucionet shtetërore, kur t’i rikthehen pronat që u janë shtetëzuar, të gjenden eshtrat e 4500 familjarëve të zhdukur nga diktatura komuniste dhe kur çdo qeveri të mos heshtë ndaj kësaj tragjedie. Jo vetëm që nuk i riparon plagët, por nuk sjell asnjë ndryshim në pajtimin kombëtar. Për hir të së vërtetës, sot shoqëria shqiptare është e ndarë.

Këtë e tregojnë dhe klasa politike me datat 28 dhe 29 Nëntor. Simbolet e komunizmit i kërkojnë të lënë shoqërinë shqiptare të përçarë.

Sa persona nuk e kanë përfituar ende dëmshpërblimin?
Dëmshpërblimin nga 36 mijë familje që kanë të drejtën e përfitimit, (megjithëse edhe kjo shifër është e cunguar, pasi ata nuk kanë njohur vrasjet civile, por atë që kanë caktuar në 25 tetor 44 e deri në 90), e kanë përfituar vetëm 6 mijë. 30 mijë ende nuk e kanë përfituar. Duhet të kemi parasysh që dëmshpërblimi u jepet familjeve që u janë pushkatuar persona për motive politike, të çmendurve të keqtrajtuar në hetuesitë e asaj periudhe, të internuarve për dhjetë vjet në kampin e Tepelenës dhe Beratit, që nuk kanë shumën e të pushkatuarve dhe të burgosurve.

Për sa kohë mund të përfundojë dëmshpërblimi? 
Me një vullnet politik me një llogaritje financiare të rregullt, me një buxhet të menaxhuar mirë financiarisht, mendoj se për 3-4 vjet dëmshpërblimi përfundon. Ky dëmshpërblim i shërben shtresës së të përndjekurve, është thjesht si me të dhënë një pension 3-4 vjet. Dëmshpërblim kanë marrë anëtarët e byrosë politike, i kanë ndarë të gjitha paret së bashku. Ata që na persekutuan kanë marrë milionat, kurse ne kemi ngelur në lëmoshën e qeverive.
Sigal