Flet Bashkim Zeneli: Si duhet zgjidhur kufiri me Greqinë

581
Sigal

Një nga njohësit më të mirë të diplomacisë së jashtme dhe veçanërisht të çështjeve rajonale, Bashkim Zeneli i lexon deklaratat e fundit për nisjen e negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë, si të papërgjegjshme. Zoti Zeneli e cilëson të vonuar ngritjen në këtë periudhë të grupeve të punës për bisedime, pasi ekipi negociator sipas tij, duhet të kishte marrë jetë menjëherë pas rrëzimit të paktit nga Gjykata Kushtetuese, pra 2 vjet më pare.”Mendoj se në këto deklarata të fundit nga Ministria e Jashtme ka pasur një mungesë serioziteti, por do thoja edhe përgjegjshmërie. Më duket se kanë dashur të thonë diçka dhe kanë krijuar më shumë konfuzion. Së pari do thoja që nuk ka marrëveshje, marrëveshja është nul, marrëveshja është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por edhe sikur të mos ishte hedhur poshtë nuk është ratifikuar nga pala greke, pra nuk ka marrëveshje. Sa i përket grupit të punës, i duhet bërë transparent publikut”, shprehet ai. Mbi këtë argument, Zeneli thotë se, nuk ka vend për deklaratat e fundit për dërgim të kësaj çështje në Gjykatën Ndërkombëtare. “Nuk ka çfarë çohet në Gjykatën e Arbitrazhit, nuk ka marrëveshje. Është si të shkosh në Gjykatën e Tiranës apo të Durrësit dhe të thuash dua të divorcohem me gruan time, e të thotë më sill certifikatën e martesës. Nuk ka martesë. Ç`punë ka gjykata? Nuk ka marrëveshje. Marrëveshja është hedhur poshtë”, vijon Zeneli. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Greqi, komenton edhe vizitën e njoftuar për në muajin shtator të kryediplomatit Edmond Panariti në shtetin Helen. “Vizita do të jetë e mirëpritur edhe nga Shqipëria dhe nga Greqia. Them e mirëpritur se që nga shtatori i 2004 nuk ka pasur vizitë të Ministrit të Jashtëm në Athinë, përjashto rastet e takimeve rajonale. Kjo flet shume, flet për marrëdhënie të ngrira, flet për marrëdhënie të tendosura”, përfundon Zeneli.