Fleckenstein: Protesta nuk ndikon te negociatat

491
“Shqipëria e meriton çeljen e pakushtëzuar të negociatave me BE-në”, deklaroi dje në Tiranë europarlamentari Knut Fleckenstein. Në një konferencë për shtyp, ai tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave duke theksuar se një proteste nuk mund të ndikojë në opinionin e Parlamentit Evropian për hapjen e negociatave. Në fjalën e tij, Fleckenstein bëri të ditur se gjatë vizitës dyditore ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Sipas tij, Shqipëria është në rrugën e duhur. “Ne mendojmë se Këshilli i Evropës duhet të çelë në mënyrë të pakushtëzuar negociatat me Shqipërinë. Vizita ime në vendin tuaj vjen në kuadër të Konventës së Sofjes në Bullgari që do të mbahet në prill. Vizita ime është rutinë dhe zhvillova takime të rëndësishme. Mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë bashkërisht për rrugën evropiane të vendit. Opozita është normale që të jetë kritike ndaj, për mua ka rëndësi që edhe ajo shprehu frymë pozitive sa i takon negociatave”, vijoi Fleckenstein. Duke folur për protestat, ai kërkoi që palët të ruajnë këtë të drejtë, por duhet zbatuar ligji dhe duhet ruajtur gjakftohtësia. “Protestat janë pjesë e demokracisë dhe është normale që dhe politika ka pjesën e saj në protesta. Ligji është i barabartë për të gjithë, si për qytetarin ashtu edhe për policinë. Rëndësi ka për mua që protesta të mos precipitojë në dhunë. A do ndikojë kjo tek opinioni i Parlamentit Evropian për negociatat? Jo, nuk është një protestë që ndikon në opinionin e Parlamentit të Bashkimit Evropian për çështjen e çeljes së negociatave”, tha Fleckenstein. “Nëse do bllokoja rrugët e vendit tim do më vrisnin”, vijoi ai duke theksuar se ky është një mendim më shumë personal.
Sigal