Fleckenstein: Çelja e negociatave, e mundur në gjysmën e parë të 2018

508
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein ka folur në një konferencë për shtyp lidhur me vizitën e tij në Shqipëri. Ai tha se qëllimi i vizitës së tij ishte informimi për ecurinë e reformave, pas formimit të qeverisë së re dhe procesin e integrimit në BE. Eurodeputeti gjerman theksoi se çelja e negociatave të anëtarësimit është i mundshëm gjysmën e parë të 2018-ës në varësi të ecurisë së reformave. “Kam ardhur këtu të dëgjoj se cilat janë prioritetet e qeverisë pas zgjedhjeve. Po marr informacionin e duhur për rrugëtimin që do të ndjekë Shqipëria për integrimin në BE. U takova me Presidentin dhe zyrtarë të tjerë. Reforma në drejtësi nuk është një proces i lehtë, por do të vazhdohet në këtë rrugë. Nuk duhet të harrojmë edhe një gjë, përgjegjësia për çeljen e negociatave është e Këshillit dhe jo e Parlamentit Evropian. Dua t’iu konfirmoj që ne në PE do vazhdojmë të punojmë dhe inkurajojmë faktorët në BE në mënyrë që negociatat të çelen gjysmën e parë të vitit që vjen. Nëse vijohet me rrugën e reformave, vendimi të merret në mars. Me çeljen e negociatave më pas do të kemi mundësi të diskutojmë çështje të tjera deri në momentin që Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE”, u shpreh Fleckenstein. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian ka theksuar gjithashtu se për Shqipërinë nuk ka kushte shtesë nga Brukseli, përveç pesë prioriteteve. “Për çeljen e negociatave nuk ka kushte shtesë përveç pesë prioriteteve”.
Sigal