Flamur Rogu: “Midis aleatëve ka rivalitet të dëmshëm”

125

Intervistë me Flamur Rogun, kandidat për deputet i Partisë Socialdemokrate në Qarkun e Beratit

Me një karrierë të gjatë politike, fillimisht si themelues i Partisë Socialiste, Kryetar i Partisë së Rrethit Berat në kushte shumë të vështira të opozitës së viteve ‘92-‘97, deputet i saj për dy legjislatura dhe me disa funksione të tjera në nivel kombëtar, ai sot gjendeni te Partia Socialdemokrate, sepse për Flamur Rogun, PSD-ja është e majta e vërtetë. Në një intervistë për “Telegraf”, Rogu ndër të tjera shprehet se, të gjithë aleatët duhet të punojnë për fitoren e së majtës.

Zoti Rogu, ju tashmë kini një përvojë të madhe në politikë, në nivel qarku dhe kombëtar, si do të vlerësonit punën gjatë dy mandateve qeverisëse të PD-së?

Për të qenë korrekt në përgjigje duhet të analizosh me kujdes dhe përgjegjësi punën e bërë në çdo fushë të administrimit publik dhe të jetës shoqërore, të cilën për tetë vjet e mori përsipër ta bëjë PD me aleatët e saj. Të hedhim sytë rreth qarkut tonë menjëherë konstatojmë lënien në harresë të tij për të mos thënë hakmarrje primitive për efekte politike. Pse? Sepse kjo është qeveria për ne. Nuk ka nevojë të kesh shumë shkollë për të konstatuar dhjetëra milionë euro të investuara në zona pa banorë fare për të bërë krahasimin më pas me gjendjen e rrugëve në zonën më të populluar të Shqipërisë së jugut, Berat-Fier-Lushnje. Po si kanë kurajo dhe fyejnë inteligjencën minimale të këtij populli, me të tilla skena? Madje dalin dhe kërkojnë edhe votën. Ç’mendojnë këto për votuesit e tyre se gjithçka që mund t’u serviret dje, sot, nesër mund të përtypet qorrazi? Këta kandidatë të PD dhe të aleatëve të saj më parë duhet të japin llogari për vitet e qeverisjes së tyre, të kenë kurajo të kërkojnë falje e me pas me modesti të presin votën popullore, të kthehen në  opozitë duke ribërë analiza dhe reformuar edhe ata strukturat e tyre. Vetëm kështu ecet përpara. Vetëm kështu i bëhet mirë vendit.

Ju jeni kandidati që kryesoni listën e Partisë Socialdemokrate në Qarkun e Beratit, cilat janë ambiciet tuaja?

Rëndësi në këto zgjedhje ka maksimizimi i votës në funksion të fitores së opozitës, ndaj edhe ambicia e Partisë Socialdemokrate është të sensibilizojë opinionin, për domosdoshmërinë e rotacionit jo thjesht si i tillë, por për faktin që jeta shoqërore e në veçanti administrimi i pushtetit nga qeverisja e djathtë tashmë e ka bërë jetëshkrimin e tij. Në këtë klimë natyrisht do të bëhen të gjitha përpjekjet për dyfishimin e rezultatit të PSD-së nga zgjedhjet e kaluara deri në fitoren e një mandati.

Ju keni qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste për shumë vjet, Kryetar i Partisë së Rrethit Berat në kushte shumë të vështira të opozitës së viteve ‘92-‘97, deputet i saj për dy legjislatura dhe me disa funksione të tjera në nivel kombëtar, si gjendeni te PSD?

Që në fillim dua të theksoj se, politikisht në konkurrim për Partin Socialdemokrate ndjehem shumë mirë, pasi kjo parti dhe kryetari i saj zoti Gjinushi, ka mbajtur pozicione të qarta në përfaqësimin e së majtës, pa asnjë lëkundje dhe shumë të qëndrueshme. Prej saj, në asnjë rast nuk është tentuar të kalohet tej të majtës dhe të djathtës. Më shkoqur, ndjehem mirë pasi është e majtë e vërtetë.  Pavarësisht nga kandidimi në këto zgjedhje me siglën e PSD, nuk duhet të vlerësohet si një largim apo braktisje nga unë e platformave politike të PS-së dhe të së majtës socialdemokrate. Për këto zgjedhje kam shprehur gatishmërinë të jap ndihmesën time për fitoren e së majtës duke ruajtur me shumë kujdes raportet me Partinë Socialiste, me anëtarët dhe simpatizantët e saj me votuesit në qytetin e Beratit e më gjerë, me bashkëpunëtorët e mi politik në kohë të mira e të vështira. Kur them se kam shprehur gatishmëri këtë nuk e kam bërë për të qenë domosdoshmërisht në listat e kandidateve të PS, por për të ruajtur ato raporte të ngritur me shumë mund dhe sakrifica të gjithanshme dhe për të qenë në funksion të komunikimit të përditshëm me qytetarët e Beratit, për të punuar së bashku me ta.

Për të qenë të qartë përse nuk jeni përsëri në angazhimet e strukturës së PS-së?

Për të qenë më konkret duhen edhe analiza konkrete, por boll të marr si shembull që në listat e kandidateve të PS gjenden edhe individ të ardhur nga parti të tjera dhe që kanë kontribuar me shumë zell për të nxjerrë Partinë Socialiste në opozitë, e për pasojë mbartin me vete edhe përgjegjësinë e nxjerrjes nga punë të shumë socialisteve, të lënies pa bukë të familjeve të tyre dhe midis të tjerëve edhe këto familje socialiste duhet të votojnë për ta, konkluzioni është i qartë. Tani jemi në tjetër moment, jemi në momentin e zgjedhjeve dhe duhet të punojmë me të gjitha energjitë për fitoren e së majtës, pavarësisht gjithçkaje.

Cili është gjykimi i juaj për kandidatët e PS?

Në librin e rregullave të PS ka procedura të përcaktuara të përzgjedhjes. Ato nuk u zbatuan dhe gjendemi përpara faktit. Sigurisht që duhet të ishte ndryshe dhe me shumë përfaqësues nga Qarku në pjesën e sigurt. Kandidaturat e PS duhet të ishin shumë të studiuara që të çonin në stimulimin e pjesëmarrjes në votime dhe të votës pro fitores.

Po për aleatët e tjerë të së majtës keni ndonjë koment?

Aleanca e majtë në këto zgjedhje është aleanca më e madhe dhe sigurisht do të prodhojë rezultatin e fitores. Shtrohet si domosdoshmëri unifikimi i saj në funksion të fitores. Konstatoj se shpesh bëhen deklarata politike, për probleme të pa nevojshme, nga parti të caktuara që në momente fushatash krijojnë kosto dhe çoroditin elektoratin. Po kështu gara nuk duhet të zhvillohet midis partive, brenda një krahu politik, por të gjithë së bashku me kundërshtarin politik.

Si e mendoni rezultatin në Qarkun e Beratit?

Nisur nga analiza e situatës ekonomike që po kalojmë, nisur nga situata e keq administrimit të pushtetit për tetë vjet nga PD-ja pa harruar aleatet e saj dhe klima politike në Qarkun Berat rezultati do të jetë pa diskutim gjashtë mandate për aleancën e majtë dhe dy mandate për të djathtën.