Flamur Reçi: “Dibranët do të votojnë për djalin e tyre”

1576
Sigal

Flamur Reçi është kandidati i BLD-së në Qarkun e Dibrës. Në intervistën për “Telegraf”, zoti Reçi shpjegon ambicien e tij për t’u marrë me politikë. Përkrah ka edhe ish-Presidentin e Kroacisë, mikun e Shqipërisë dhe të Kosovës, Stjepan Mesiç.

– Zoti Reçi,  cila është ambicia juaj politike dhe përse ju vendosët të kandidoni me Partinë Liberale?

– Duke u nisur nga eksperienca e jetës time, duke qenë njeri art dhe sportdashës, duke qenë se në sport arrita të organizoj evente të veçanta, ngjarje që mbetën në historinë e sportit shqiptar dhe, njëkohësisht, duke qenë se, të gjithë miqtë e mi, si në Shqipëri dhe ndërkombëtarët merren me politikë, pata një shtytje prej tyre, duke njohur organizimin tim dhe sukseset e arrira. Kandidimi me BLD-në vjen si rrjedhojë e propozimit nga  kryetari dhe nënkryetari i saj, me të cilët jemi shumë miq të mirë. Arsyeja e kandidimit me BLD-në është se kjo parti nuk ka pasur kurrë probleme dhe liderët e saj nuk janë përfolur kurrë për skandale, korrupsion etj.. Është një parti e pastër me figura të nderuara.

– Cila është klima elektorale në Qarkun e Dibrës, ku ju kandidoni?

– Në qytetin tim, në vendlindjen time me tradita të veçanta nuk ka pasur asnjë banderolë nga asnjë parti, vendim ky për të cilin duhet të përgëzoj Kryetarin e Bashkisë Peshkopi, Ilir Troçi. Dibra është vend ku njerëzit vlerësojnë mendjen dhe jo forcën. Dibranët kanë një shprehje: Prite sipas kostumit, përcille sipas mendjes. Klima elektorale është e mirë, pasi nuk luftohet për barazim, por për thellim të rezultatit nga e djathta nga 4-2 në 5-1.

– Çfarë i afroni elektoratit të Qarkut të Dibrës për të fituar votëbesimin?

– Vëllezërve dhe motrave të mia dibrane u kam ofruar një model të ri, modelin e njeriut të vlerave, modelin e njeriut shpirtmadh dhe human, që do të jetë non-stop përkrah tyre, edhe pas 23 Qershorit, jo vetëm një herë në katër vjet para fushatës zgjedhore. Jam kandidat që kam mbështetje nga politikanë të nivelit botëror. Me kënaqësi mund t’u them që miku më i madh i Shqipërisë, i çështjes së Kosovës ish -Presidenti i Kroacisë, z.Stipe Mesiç, ishte për një vizitë disa ditore në Shqipëri, më përgëzoi dhe më mbështet. Ai tha: “Kam dëgjuar për Dibrën e rrethuar nga 9 male, për historinë dhe traditat e saj dhe, nëpërmjet teje, do ta mbështes zhvillimin e saj me investime”. Ky është lajm i mirë për Dibrën. Është nder për Dibrën që një personalitet i tillë, por dhe shumë miq të tjerë ndërkombëtarë do ta vizitojnë Dibrën  në shtator dhe do ta mbështesin me investime e projekte të ndryshme për zhvillim.

– Përse votuesi duhet të ketë motiv që të votojë një parti tjetër dhe jo partinë e madhe të koalicionit?

– Kësaj here dibranët do të kenë një arsye më shumë të votojnë djalin e tyre, Flamur Reçin dhe jo thjesht të hedhin votën në një kuti për emra të paracaktuar. Meqenëse Dibra ka 6 mandate, vëllezërit dhe motrat e mia dibrane le të zgjedhin 5 deputetë si gjithmonë dhe 1 deputet të zgjedhin djalin e tyre dhe modelin e ri që ofron.

– Sipas jush, cilat janë avantazhet e Koalicionit të Djathtë nga ai i së Majtës, edhe pse është në qeverisje 8 vjet?

– Megjithëse është ideja që qeveria për 8 vjet konsumohet, në rastin tonë, KM Berisha është e vërtetë që ka investuar shumë në rrugë, shkollë, ujësjellës etj., ka ende për të bërë dhe praktika na tregon se kjo qeveri i mban premtimet dhe do të vazhdojë të realizojë akoma më shumë.

– Çfarë ju tha ish-Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, në vizitën që ju bëri në Dibër?

 – Ashtu siç e shkruan dhe në letër që jemi shumë miq të vjetër, pra më njeh që jam shumë patriot, që dua shumë atdheun tim, dua shumë flamurin Kuq e Zi të valëvitet sa më krenar, i shpjegova se në vendlindjen time po kandidoj dhe se ka shumë mundësi zhvillimi, si turizëm malor, energjetikë.  Tani po bëhet dhe rruga Arbrit dhe me shumë kënaqësi shprehu dëshirën që do më përkrahë me njerëz, njohje që ka, që të ketë investime në Dibër dhe nga shtatori, kur do mblidhet Parlamenti i ri, do të vinte me mua në Dibër  dhe do ndihmonte që investimet të fillonin menjëherë.