Flamur Noka: Grabitja në Rinas, dramë kombëtare

414
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Noka, pak orë pas grabitjes ka akuzuar nga foltorja e Kuvendit, Saimir Tahirin, si përgjegjësin kryesor për ngjarjen e djeshme, por edhe për të tjerat që janë shtuar shumë kohët e fundit. Sipas Flamur Nokës ministri Tahiri e ka degraduar policinë e shtetit duke e përdorur për qëllime vetjake, ndaj ngjarje të tilla janë bërë modë tashmë në vend. Sipas tij, vjedhja e një sasie të madhe parash në aeroportin e vetëm të vendit, ditën për diell është një alarm i madh për sigurinë në vend dhe bëri thirrje që të merren masa në këtë drejtim. “Ajo që ndodhi në Rinas nuk ishte thjesht një skandal, por ishte një dramë kombëtare që ky vend po e përjeton tashmë prej tre vjetësh. Kjo ngjarje pasqyron punën e Saimir Tahirit, i cili që në momentin që ka marrë detyrën nuk ka bërë asgjë tjetër veçse e ka përkeqësuar situatën e rendit edhe sigurisë në vend”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Më tej Flamur Noka i bëri thirrje Saimir Tahirit që të rishikojë pozicionin e tij, pasi vendi rrezikon të shkojë në kaos për shkak të pasigurisë që ka ardhur gjithmonë në rritje. “Gjetja edhe arrestimi i autorëve është më minimalja që Policia e Shtetit duhet të bëjë. Gjithsesi, unë dyshoj se diçka e tillë do të ndodhë. Ka pasur edhe në të shkuarën raste të tilla, por ende nuk është zbardhur asgjë”, ka vijuar Flamur Noka. Ish-ministri i Brendshëm në kohën e Partisë Demokratike, ka aluduar gjithashtu edhe për një bashkëpunim të mundshëm të segmenteve të ndryshëm të Policisë së Shtetit me autorët e grabitjes së djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Fakti më shqetësues për Nokën, por edhe për deputetë të tjerë të opozitës, ishte që ngjarja ndodhi në mes të ditës në një kohë kur ishte njoftuar se masat e sigurisë ishin përforcuar edhe për shkak të ngjarjeve terroriste të ndodhura pak kohë më parë në aeroportin e Stambollit në Turqi.
Sigal