Flamur Kuçi: Humbja e 2017-ës, rezultat i pritshëm për PD-në. Protestat dhe pse populli opozitar pret qartësi nga Basha

574
“Protestat, populli opozitar ka nevojë për qartësi nga Lulzim Basha”
Ish-këshilltari i Berishës gjatë drejtimit të qeverisë, Flamur Kuçi, analizon vitin politik të PD-së, pritshmëritë e opozitës dhe ndikimin e marrëveshjes PS-PD
Ish-këshilltari i Sali Berishës gjatë drejtimit të qeverisë, Flamur Kuçi, në një intervistë për “Telegraf”, shprehet se për Partinë Demokratike, viti 2017 në aspektin zgjedhor ishte përfundimi i një sezoni politik të dështuar dhe të paralajmëruar. Sipas tij, gjatë vitit të shkuar u pa epilogu i një projekti të dështuar, i privatizimit të aspiratës politike opozitare. Në intervistë, Flamur Kuçi analizon edhe pritshmëritë për vitin 2018, qëndrimin e opozitës ndaj reformave dhe deklaratat e Lulzim Bashës për protesta masive. 

Shqipëria la pas një vit të vështirë politik dhe PD kaloi ndoshta një nga periudhat më të vështira prej krijimit të saj. Si do ta skanonit vitin 2017 për PD-në dhe opozitën?
“Viti që lamë pas nuk duhet të ishte ndonjë surprizë për opozitën dhe në veçanti për PD-në. Në fakt, 2017-a si vit zgjedhor, ishte përmbyllje e një sezoni politik të dështuar, por të paralajmëruar. Nga njëra anë është shqetësues degradimi i diskursit politik. Në vend të nevojave për reforma për të zhvilluar vendin nga pikëpamja ekonomike e politike, vetë klasa politike u bë subjekt i nevojës për t’u vetëpastruar dhe për t’u distancuar nga rrjetet kriminale zgjatime të të cilave është kthyer. Nevoja për ‘vetting’ të klasës drejtuese (që vetëm fillimin ka me sistemin e drejtësisë), është aspiratë e të gjithë opinionit publik të shëndoshë, por fatkeqësisht u artikulua fuqishëm vetëm nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët, shpeshherë dhe për këtë arsye, u bënë edhe tabelë e sulmeve nga vetë aktorët politikë lokalë. Paradoksalisht, opozita e gjeti veten, për shkak të një drejtimi të dobët, kaotik dhe të dyshimtë, në krahun e gabuar të zhvillimeve. Në vend që të mbështeste që në fillim procese që reflektojnë aspiratat e shoqërisë, ajo në flirtime okulte me segmente të pushtetit, bëri rezistencë duke marrë edhe kostot përkatëse jo vetëm më partnerët ndërkombëtarë. Fatkeqësisht, PD nën drejtimin e Lulzim Bashës humbi mbështetjen, simpatinë dhe besimin e opinionit publik dhe vetë mbështetësve opozitarë. Në një klimë të tillë Lulzim Basha radikalizoi aksionin me ‘shpikjen’ e çadrës. Kjo çadër rezultoi më pas t’i shërbejë vetëm atij për të margjinalizuar kritikën ndaj drejtimit të tij në vend që t’i shërbejë PD-së për një aksion opozitar. I shërbeu vetëm Lulzim Bashës për të aspiruar dhe marrë një copë pushteti më shumë se sa PD-së për të ofruar alternativë përfaqësimi. Si rrjedhojë PD u ndëshkua nga braktisja e mbështetësve të zhgënjyer opozitarë, jo se janë mbështetës të politikave qeveritare, por sepse e gjejnë veten gjithnjë e më shumë të tradhtuar nga pseudo-opozita e Bashës. Ajo që ndodhi më pas është edhe më zhgënjyese për popullin opozitar. Bllokimi i proceseve reformuese në PD përmes një sundimi primitiv, anadollak e arkaik të Bashës, kësaj here edhe me një shkelje syri nga lideri historik, vetëm përmbylli atë që ka nisur prej kohesh në PD si proces degradues. Personalizimi i përfaqësimit politik si istikam për të mbrojtur zullumin e familjes biologjike, duke sakrifikuar dhe zhbërë familjen politike me lejen dhe mbështetjen e faktorëve vendimmarrës brenda familjes politike, është vetëm epilogu i një projekti të dështuar i privatizimit të aspiratës politike opozitare”.

Opozita ka paralajmëruar një sezon të nxehtë politik, me protesta masive. A është kjo rruga e duhur për të bërë opozitë?
“Protesta është aksion legjitim i opozitës. Në fakt kujtoj që PD në 4 vitet e gjumit opozitar pothuaj nuk e ka përdorur këtë instrument. Madje ajo paralajmëroi protesta që në 2015-n, por filloi t’i realizonte veç në 2017. Por problemi qëndron tek përmbajtja e protestës në një kohë që PD i ka ndenjur larg aksioneve politike dhe pjesëmarrjes në procese reformash. Kujtoj që PD nuk mori pjesë në reformën territoriale, pranoi të merrte pjesë veç kur kuptoi se nuk e sabotonte dot reformën në drejtësi, braktisi haptazi reformën zgjedhore, duke i hapur rrugë një qeverisjeje autokratike dhe korruptive. Protesta ka problem besueshmërie në publik dhe në popullin opozitar. Mos harrojmë që protesta (shpesh herë duke flirtuar me LSI-në e Ilir Metës dhe herë me PS-në e Edi Ramës) u përdor për marrëveshjen apolitike dhe të paligjshme të 18 Majit, aq sa sot Lulzim Basha shihet jo si një lider që do udhëheqë popullin opozitar në protestë, por si një garant i marrëveshjes (ose më saktë i pjesës okulte të marrëveshjes me pushtetin), brenda opozitës. Në këtë premisë besoj se thirrja për protesta dhe kërcënimi për radikalizim e, nganjëherë për destabilizim, është vetëm në funksion të Lulzim Bashës për të margjinalizuar kritikën e shtuar edhe nga ish-mbështetës të tij, pas humbjes katastrofike të zgjedhjeve. Nga kjo pikëpamje, besoj se kjo thirrje nuk mbart brenda interesin publik dhe kjo mund të marrë edhe përgjigjen nga niveli i mbështetjes publike”.

A mundet që çështje të tilla si ajo Prokurorit të Përgjithshëm të shërbejnë si galvanizim për popullin opozitar?
“Populli opozitar ka plot arsye legjitime të protestojë ndaj një qeverisjeje autokratike dhe korruptive. Por, që opozita të ndërtojë mbi këtë tendencë, duke u bërë përfaqësuese dhe zëdhënëse e shqetësimit mbarëpopullor dhe sidomos atij opozitar, duhet fillimisht të ndërtojë besim, besim të cilin sot, për shkak të degradimit të procesit dhe mendimit politik brenda asaj që ka mbetur nga PD, është në nivele historikisht të ulëta. Çështja nuk mund të shtrohet tek ‘sebepi’, por tek motivet reale pse duhet të protestojë opozita. Sot publiku ka motive të mjaftueshme për të dyshuar në motivet që e shtyjnë klasën drejtuese të opozitës për të protestuar. Pasi ke defaktorizuar PD-në dhe ke refuzuar ta bësh pjesë të angazhimeve për reformim të klasës drejtuese, ka dyshime të arsyeshme mbi motivet e rezistencës ndaj këtyre proceseve. Ndërsa populli opozitar ka nevojë për qartësi mbi këto motive dhe nuk mund të marrë për të mirëqenë hallin personal të klasës drejtuese politike, qoftë edhe asaj opozitare në veçanti”.

Si e shihni funksionimin e marrëdhënies mes PD dhe LSI?
“Nuk gjykoj ‘mbarëvajtjen’ e marrëdhënies PD-LSI. Di që shpesh herë kjo mbarëvajtje ka pasur peshën e vet jo të parëndësishme në degradimin e qeverisjes së PD. Por më e rëndësishme për PD do ishte të reflektonte mbi përçarjen që ka ndodhur sistematikisht brenda opozitës së djathtë duke i bërë vend gjithmonë e më shumë elementit parazitar dhe të konsumuar (nën ombrellën e nevojës për aleanca) në kurriz të mbështetësve të PD, megjithëse premtimi ka qenë për një bashkim të së djathtës. Vetëm atëherë PD do ishte e çliruar për të ndërtuar dhe koordinuar aksione opozitare mbi baza morale dhe politike”. 
Sigal