Flamur Gjymishka/ Një dështim i paralajmëruar

593
Në një intervistë David Smith, drejtues i Crown Agents (CA) njoftoi dështimin e kompanisë në realizimin e kontratës me qeverine shqiptare. 
Ky dështim u paralajmërua nga opozita që në nënshkrimin e saj. Më poshtë po rradhis disa nga arësyet e këtij dështimi: 
a. Legjislacioni anglez ka ndryshime të dukshme nga rregulloret e BE, rregullore të cilat shërbejnë si bazë ligjore për legjislacionin shqiptar në këtë fushë.
b. Personeli i kësaj kompanie nuk ka formimin e nevojshëm në njohjen dhe zbatimin e legjislacionit të BE. Mosnjohja e legjislacionit shqiptar krijoi probleme të zbatimit të ligjit dhe përplasje mes administratës doganore dhe grupeve të CA. Rreth 65% e proces verbaleve të mbajtura nga CA nuk janë marrë në konsideratë nga Administrata Doganore Shqiptare pasi kanë qenë të pabazuara në ligj.( e deklaruar nga vetë z Smith në një intervistë të mëparshme këtu në Shqipëri.)
c. Dështimi i CA në vendet e tjera të rajonit si në Bullgari, Maqedoni, etj.
d. Vlerësimi për performancë të ulët nga ekspertë të rajonit për eficencën e CA në vendet ku ka asistuar.
Performanca e CA
1. Për vitin 2014 rezultatet e CA ishin larg objektivave të vendosura në kontratë. Të ardhurat në dogana do të rriteshin mbi 1% të PBB. Nisur dhe nga rritja e taksave, kryesisht të mallrave të akcizës, duhej që rritja të kapte 2% të PBB. Faktikisht rritja e të ardhurave ishte 0.4% (rritje e mundësuar kryesisht nga heqja e përjashtimeve në fushën e hidrokarbureve, si dhe rritja e nivelit të akcizës) e PBB, pra rreth 5 herë më pak se objektivi i vendosur në kontratë. Dhe në rastin më të keq, duke mos marrë në konsideratë rritjen e taksave, objektivi është realizuar vetëm 40%. 
Në këto kushte në bazë të nenit 9.2 të ligjit nr.170 datë 14.11.2013, PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ASISTENCËS TË SHËRBIMIT DOGANOR, ku thuhet: “Autoriteti kontraktues ka të drejtë që të kërkojë zgjidhjen e marrëveshjes brenda dymbëdhjetë muajve të parë të zbatimit të saj, nëse nuk përmbushen treguesit kryesorë të performancës, sipas parashikimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave”, kontrata duhet të ishte ndërprerë, që pas përfundimit të 12 mujorit të parë. Por për çudi kontrata vazhdoi, megjithëse në një letër të Ministrit të Financav drejtuar FMN-se evidentohej mos realizimi objektivave nga CA.!!!
2. Në 6 mujorin e parë të vitit 2015 rezultatet janë akoma më të ulta. Realizmi i të ardhurave është 8.6 mld më pak se plani dhe 3.7mld më pak se një vit më parë. Në historikun e doganave nuk ka rast tjetër që rezultati 6 mujor, apo vjetor të jetë më i ulet se një vit më parë.
3. Në intervisten e tij David Smith justifikon rënien e zhdoganimit të cigareve me ligjin për ndalimin e pirjes duhanit në ambientet publike dhe të shtimit të pirjes së duhanit të dredhur. ( Nga statistikat nuk rezulton një fakt i tillë, pasi nuk janë rritur të ardhurat nga duhani). Ky vlerësim nuk është professional.
CA si një kompani konsulence duhet t’i rekomandonte Ministrisë së Financave mënyrën e ndryshimit të nivelit të akcizës, gjë që nuk rezulton ta ketë bërë. Kështu niveli i akcizës në një rajon është pak a shumë në të njëjtat vlera dhe rritja e akcizës në njërin nga vendet e rajonit nxit kontrabandën. Kështu në vitin 2008, në bashkëpunim me institucionet homologe rajonale dhe me strukturat përkatëse të BE, është bërë e mundur përafrimi i niveleve të akcizës në rajon, pasi Mali i Zi, duke pasur nivel të ulët të akcizës, ishte kthyer në një burim kontrabande për të gjithë rajonin, (kuptohet shkak ishte dhe ish qeveria e Malit të Zi).
Gjithashtu, eksperienca në dogana ka treguar që ndryshimi i akcizës gjithmonë shoqërohet me rritjen e tendecës për futjen e mallrave kontrabandë. Kështu ndryshimi i përvitshëm i akcizës së cigareve nxit kontrabandën e këtij malli.
Asgjë nga këto dukuri nuk përmend z Smith në intervistën e tij.
4. Puna e grupeve të lëvizshme të CA në vitin e parë u përqëndrua kryesisht në zbatimin e regjimit të lejimit të përkohshëm të automjeteve, regjim i cili më parë është ndjekur kryesisht nga Policia. Efektet e ndjekjes të këtij regjimi në të ardhurat ka qenë minimal. Puna e këtyre grupeve duhet të ishte fokusuar tek mallrat e akcizës për shkak të impaktit që ato kanë në të ardhura si dhe për shkak të ndryshimit të nivelit të akcizës nga viti në vit.
5. Në interviste z Smith flet për paaftësi të punonjësve të doganave. Kontradiktor ky konstatim me një intervistë të mëparshme, ku thuhej që pas një testimi ishte konstatur se doganierët ishin të paaftë profesionalisht, por pas 10 dite trajnimi nga ekspertët e CA situata ndryshoi rrënjësisht. Në fakt largimi masiv ipunonjësve të doganës dhe zëvendësimi i tyre me militantë partie jep efekte në rritjen e paaftësisë, korrupsionit evazinit fiskal, etj. Ndërsa niveli profesional i doganierëve që punojnë prej vitesh është vlerësuar maksimalisht nga çdo grup ekspertësh të BE-së që ka asistuar doganat.
6. Z Smith flet për nënshkrim marrëveshjesh me policinë, tatimet, etj. Në fakt marrëveshjet me këto institucione ekzistojnë. Tatimet marrin nga doganat informacion online. Po dhe me policinë ka marrëveshje bashkëpunimi. Çdo marrëveshje e re do sjellë përmirësim në bashkëpunim, por në këtë rast të krijon përshtypjen e justifikimit të dështimit të CA në objektivin kryesor që është rritja e të ardhurave.
Po kështu dhe kodi etikës është miratuar që në vitin 2003, natyrisht kjo nuk përbën arësye për të mos përmirësuar atë, por gjithsesi nuk përbën risi.
Kostoja e kontratës me Crown Agents
Nga qeveria është nënshkruar një kontratë në të cilën CA përfiton 4.2 mln euro çdo vit. Përveç kësaj CA është përjashtuar nga taksat, është pajisur me logjistikë lëvizësë të blerë nga qeveria shqiptare, të cilat furnizohen me karburant nga buxheti i shtetit. Çdo grup ka 3 punonjës shqiptar dhe një të huaj. Pagat dhe dietat e punonjësve shqiptarë jepen nga buxheti i shtetit. Me një llogari të përafërt kontrata shkon në vlerën10 mln euro .
Gjithashtu Shqipëria nuk ka përfituar gjatë kësaj periudhe projekte të BE, të cilat nisur nga eksperienca e viteve të mëparshme shkonin në vlerën 2-4 mln në vit. 
Por nga BE janë bllokuar dhe projekte të miratuara më parë si: “Blerje e makinave të specializuara për Drejtorinë e Antikontrabandës” në vlerën prej 1.2 mln euro.
“Ndihmë për përafrimin e procedurave doganore nga pikëpamja e ndërveprimit të sistemeve të TI (NCTS)”, “Kontratë për përafrimin e procedurave në fushën e tarifës (ITMS)”. Të dy këto projekte që kapin një shumë prej 7-8 mln euro do t’i paraprijnë plotësimit të kushteve për aderimin e Shqipërisë në BE.
Ministri Financave ka paralajmëruar largimin e CA në përfundim të vitit të dytë të kontratës së saj. Le të shpresojmë të mos ketë ndryshim qëndrimi, pasi kjo do t’ju kushtonte taksa paguesve shqiptare miliona euro të tjera.
Sigal