Flamur Çani: A do ta lejoj Partia Socialiste këtë gjendje?

590
Përmes shtypit të përditshëm të ditëve të fundit mësuam se në Tepelenë, Shkodër, Vlorë si dhe Tiranë e gjetkë ka shpërthyer një reagim kundër udhëheqjes së PS-së. Dhe për çka flasin, u jap të drejtë. Si anëtar i kësaj partie që prej ditës së parë të saj dhe si ish deputet në Kuvendin Popullor për disa legjislature, nuk mund të qëndroj indiferent. Së pari, nuk e kuptoj se si është e mundur që Kryetari i kësaj partie, z. Edi Ramë, ka shtatë vjet që rri në krye të partisë pa u rivotuar nga Kongresi, gjë që është në kundërshtim flagrant me statutin e partisë! Ai fillimisht qe demokrat, sikundër mburret edhe vetë nëpër intervista, dhe në vitin 2005 u bë anëtar i PS-së dhe menjëherë kryetar i saj!, duke u deklaruar se do ta çonte PS-në “përtej të majtës e të djathtës”. Dhe e çoi, të mos ia hamë hakun, duke e zëvendësuar PS-në me të certifikuarit nga SOROS-i, duke i vënë edhe emrin “Rilindja”. Prandaj sot qeveria dhe gjithë administrata shtetërore, (përjashtuar administratat që i janë dhënë LSI-së), janë rilindas dhe jo socialistë; dhe ç’është më e keqja, shumica absolute e të punësuarve në këtë administratë “nuk dinë se nga lidhet gomari”. Për këto arsye nuk mblidhet asnjë lloj forumi i partisë. Të gjithë forumet e saj, lart e në bazë, janë bërë jofunksionalë. Kryetari Rama është vetë Ali e vetë Kadi, me këshilltar kryesor milionerin e “majtë”, Koço Kokdhimën. Por, që të mos i hamë hakun Kryetarit Rama, PS-në e ka rinovuar në mënyrë të tillë, e cila duket qartë, pasi i ka shndërrua të gjithë deputetet dhe asambleistët e PS-së thjeshtë në numërorë topi. Vetëm Kryetari, Balla dhe Tahiri janë autorizuar të flasin në Kuvend e kudo, të tjerët vetëm të ngrënë dorën. Thuaj po deshe që PS-ja nuk është shndërruar në parti marionetash. Taman parti “përtej së majtës e së djathtës”, e pashoqe në historinë e pluralizmit politik, besoj në të gjithë Evropën. Rilindje, jo shaka! Gjithashtu, nuk na e kish pritur kurrë mendja që Kryerilindasi paskësh qenë kaq i etur për të dalë në televizor (edhe pse gjatë fushatës elektorale na premtoi se nuk keni për të më parë më, në TV); por edhe për të bredhur botën, ama, shok veten paska, madje ia kaloi edhe Jozefinës, sa që nuk duroi dot as poeti ynë, Arben Duka, duke e lavdëruar: “Rrofsh o Kryeministri ynë, ç’u trete për Shqipërinë, sa u ktheve nga Hong Kongu, u nise, shkove në Kinë”. Edhe Kongresi i Partisë u shty, vetëm se tha Koço Kokëdhima, (sigurisht me porosi të Edi Ramës), dhe nuk u mor parasysh aspak mendimi i gjithë anëtarëve të tjerë të Asamblesë Socialiste! Çfarë mund ta quajmë këtë, veç uzurpim të Partisë? Dolën me bode këta “rilindasit”. Lind pyetja: Përse janë këta deputetët socialistë që u kemi dhënë votën? Pse s’flasin, por e lënë vetëm Ben Blushin dhe vetë struken si struci? Nga kush kanë frikë? A mund të ecë përpara Partia Socialiste dhe Shqipëria me të tillë “trima”? 
Partia Socialiste i mori votat se…
Partia Socialiste i mori votat se premtoi punësim të popullit, premtoi heqjen e koncesioneve ndaj pasurive kombëtare, si dhe për të eliminuar korrupsionin. Po, de fakto, ka ndodhur e kundërta, madje në ekstremin e paimagjinueshëm. Si mund të jepen me koncesion gjithë pasuritë e tokës e nëntokës, madje edhe mbledhja e tatimeve?! Jemi bërë të thërrasim të gjithë, besimtarë e jo besimtarë: O Perëndi, ç’bëhet kështu?! Edhe për Tatimet dhe Doganat na bindën gjatë fushatës se do t’i rregullonin, duke e bërë shtetin ligjor. Po çfarë ka ndodhur në fakt? Vjedhjet në Dogana dhe Tatime janë të atij niveli sa edhe anglezët e Toni Blerit, që na dolën se janë mjeshtra në këto punë, po çmenden me shkathtësinë e vjedhjeve që bëjnë “rilindasit” e doganave e të tatimeve.
Ka më se një muaj që naftës, në gjithë tregun botëror i është ulur çmimi gati 50%, ndërsa këtu tek ne është rritur e po rritet akoma! Le të na e shpjegojnë këta specialistët e “Rilindjes” pse ndodh kështu.
Për sa i përket Ministrisë së Kulturës
Për sa i përket Ministrisë së Kulturës, vetëm të përmendim se cilit libër i dha çmimin e parë të vitit që shkoi, madje në prezencën edhe të z.Edi Rama, dhe bindemi që ka bërë një vrimë në ujë, se edhe libri ashtu e kish emrin, “Vrima”. Për atë vrimë të autores dhe Ministres paskëshim qenë keq në letërsi. Paturpësia e “rilindasve” tanë, gjoja socialistë, nuk paska kufi! Një ustallëk tjetër i “rilindasve” është ai i pranimit në punë me konkurse, ku, pasi emërohet miku e shoku, njoftohet konkursi. Dhe aplikantët e shkretë besojnë, e shkojnë me një barë dokumente, duke mos e ditur se është emëruar dikush nga ata “përtej së majtës e së djathtës”. Por çudia më e madhe e zotit Rama ishte kur vendosi t’u heqë dekoratat gjithë atyre që luftuan kundër pushtuesve fashistë e çliruan Shqipërinë si dhe atyre që punuan me ndërgjegje për ta eleminuar analfabetizmin dhe nxjerrjen e popullit nga mizerja! Dhe menjëherë shkoi në Itali, duke u thënë investitorëve Italianë: “Ejani dhe investoni në Shqipëri, sepse tek ne nuk ka sindikata”. Ç’do të thoshte Kryeministri ynë me këtë ftesë? Shumë e qartë: “Ejani në Shqipëri, se keni për të fituar sa nuk u shkon ndër mend, pasi këtu ka vetëm skllevër dhe nuk u pengon kush t’i paguani me pesë lekë në ditë, si puna e Fasoneve”. Kryeministri shet skllav popullin e vendit të tij! Lutem më tregoni nëse njeh historia botërore një rast të tillë, si ky i Kryeministrit ai dhe Kryetar i Partisë sonë Socialiste në pushtet. Kjo është politika dhe strategjia e Partisë Socialiste? Pse nuk dëgjojmë qoftë dhe një deputet socialist ta ngrenë zërin për një gjë të tillë? U gëzuam shumë kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes për herë të parë u vendos një shoqe. Po kjo qenkësh ulërimë. E ka katandisur ushtrinë, si me thënë, “kokoshin një thelë”. Ushtri nuk ka më dhe gjeneralë ka më shumë se ushtarë. Mirëpo, sikundër flasin e shkruajnë shumë gazetarë, por edhe ish zëvendësi i saj, z.Hila, kjo zonjë as që denjon t’i dëgjoi mendimet e specialistëve ushtarakë, duke u hequr veten më stratege se Napoleon Bonaparti e Skënderbeu së bashku. Lum ne! A i dinë zotërinjtë deputetë këto hynere të kësaj Ministreje, që na vetëquhet: Zonja e hekurt? Na u lodhën kur ishin në opozitë këta ambientalistët e Partisë Socialiste, kur Lul Basha prishi një pjesë të parkut për zgjerimin e rrugës për në Sanatorium. Dhe mirë bënë. Po nuk po i dëgjomë tashti që u bënë ministra, deputetë e drejtorë të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme për prerjet masive të pyjeve dhe shkatërrimin e shtrateve të lumenjve, që po bëhen më shumë se në kohën e Saliut gjëmëmadh. Ç’janë këta “shkencëtarë” me dyzet fytyra! Dhe ne i votojmë për socialistë!
Na u tha se mjekësia do të jetë falas
Na u tha se mjekësia do të jetë falas, e më për lumë po shkon gjendja në spitale. Dhe deputetët tanë jo vetëm që heshtin, por kanë mbyllur edhe telefonat që të mos i shqetësoi populli. Ndërsa për reformën në drejtësi po e shohim që e bëjnë të tillë që të mos dënohet asnjëra palë, duke na u betuar e stërbetuar se, si pozita dhe opozita, janë njëra më e predispozuar se tjetra. Kësaj i thonë: Vari ujkut mëlçitë në qafë. Nëse ne, anëtarësia e Partisë Socialiste, nuk do t’i shikojmë me syrin e së vërtetës të gjitha këto shkuarje prapa të vendit tonë, përsëri në krye të partisë dhe të qeverisë sonë do të jenë “rilindasit” e Edi Ramës dhe të Koço Kokdhimës.
*) Flamur Çani ka qenë Deputet i Kuvendit Popullor në më shumë se pesë legjislatura.


Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 28.01.2016
Sigal