Sigal

Në fjalimin e fundit si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë në lidhje me një temë e cila është dhe tema kryesore e opozitës, lidhja e qeverisë me krimin.

Fatmir Xhafaj i është referuar arrestimeve të të “fortëve” në 11 muajt e fundit, duke u shprehur se të shumtë ishin ata banditë që ndiheshin si zotë shtëpie kur dilnin në rrugët e qyteteve të Shqipërisë. Sipas Xhafajt dhjetëra “të fortë” janë goditur gjatë drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga ai, madje sipas Xhafajt kishte disa nga ata që ishin me një anë me përfaqësues të shtetit.

“Qytetarët e kanë parë që dita-ditës, bota e krimit dhe shteti, gjithnjë e më shumë, po gjenden në anë të kundërt të barrikadës. Ky është një fakt shumë i qartë tashmë. Njerëzit e thjeshtë, qytetarët e ndershëm të këtij vendi, kanë parë me simpati të madhe çfarë Policia e Shtetit ka bërë në këto muajt e fundit. Ata anëtarë të botës së krimit që deri dje ndiheshin si zot shtëpie në rrugët e qyteteve tona dhe sfidonin hapur shtetin në jo pak raste, sot kanë kuptuar se ka marë fund koha kur ata mundet ta sfidonin atë, apo më keq akoma të ishin në ndonjë rast në një anë me përfaqësues të shtetit.”-tha Xhafaj.

Kujtojmë se një ndër hipotezat më të lakuara në media e politikë mbi arsyen e vërtetë të largimit të Xhafës, ka qenë përplasja mes tij dhe kryeministrit Rama në lidhje me arrestimet e disa prej ish përfaqësuesve të PS. Oopozita aludonte se në këtë çështje përfshiheshin dhe emra të përfaqësuesve aktualë të PS-së, ashtu siç është dhe emri i kryebashkiakut Vangjush Dako, I cili nga përgjimet e kryera nga prokuroria rezulton të ketë komunikuar me njërin ndër pjesëtarët e grupit kriminal të Avdyljave në Shijak. Një javë përpara se Xhafaj të largohej, Policia e Shtetit goditi ndër të tjera dhe grupin në fjalë të Shijakut. Opozita do të shprehej se ishte kërkuar dhe arrestimi I Dakos, por Rama kishte bërë çmos që ujërat të qëndronin të qetë, por me koston e përplasjes mes tij e Xhafës, dhe eventualisht me largimin e të fundit.