“Fjalimet e Ramës kundër medias prodhojnë vrasje”

83
Gazetari malazez, Zeljko Ivanoviç, i të përditshmes “Vijesti”, i cili ishte i ftuar në panelin e Konferencës së Komisionit Evropian mbi Ditët e Medias, ka reaguar me indinjatë ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama. Fjalët e tij ndaj shefit të qeverisë shqiptare kanë qenë të ashpra, pas deklarimeve të kryeministrit për besueshmërinë e medias. Ivanoviç përmendi rastin e Maltës, kur tha se, edhe në këtë vend kryeministri i thoshte gazetares, se nuk ishte e besueshme, deri sa ajo u vra nga mafia. “Fillimisht dua të flas për fjalimin që bëri zoti Rama në panelin e parë. Unë mendoj se ishte vërtetë një skandal ajo çka ai tha. Për 25 minuta ai foli për kredibilitetin e medias dhe të gazetarëve. Ndërsa për gati 5 minuta kryeministri Rama foli për rëndësinë e lirisë së shtypit. E njëjta gjë do të kishte ndodhur po të ishte këtu me Vuçiç apo presidenti Trump. U ndjeva totalisht, si ta them i sulmuar. Për 30 vite me radhë, tre herë në ditë redaktori bërtet: ‘Mbledhje!!!’ ku flasim dhe diskutojmë për besueshmërinë e burimeve, për historitë që do mbulojmë të nesërmen. Tre herë në ditë kjo për, kaq shumë vite, e pas kësaj një Kryeministër del këtu siç doli zoti Rama për 25 minuta e na thotë sesi media duhet të jetë e besueshme. Sigurisht që duhet të jetë e tillë. Ne jemi të besueshëm. Por problemi ka të bëjë me politikanët. P.sh; në Maltë ndodhi një vrasje, dhe këto lloj fjalimesh prodhojnë këto vrasjesh. Kryeministri atje për vite i thoshte gazetares që nuk kishte besueshmëri. Dhe më në fund ajo u ekzekutua nga mafia”, tha mjaft i revoltuar gazetari.

Në Konferencën BE–Ballkani Perëndimor rreth 200 gazetarë të rajonit ndodheshin në Tiranë. Rëndësia që i ka kushtuar Bashkimi Evropian këtij aktiviteti, ndonëse të njoftuar mjaft vonë në Tiranë, përkon me një moment delikat, pas përplasjes frontale që kryeministri Edi Rama pati me mjaft gazetarë shqiptarë, duke i akuzuar me terma aspak etikë, sikurse ka bërë së fundmi në disa raste. Rama i akuzoi disa javë më parë gazetarët se përcjellin shpifje dhe të pavërteta.