Fjalia ‘vrastare’ e kryeministrit italian, që nxiu fytyrën e Edi Ramës

496

Të gjithëve ju kujtohen disa turne vitet e fundit që ka ndërmarrë kryeministri Edi Rama nëpër Itali, për të joshur biznesin e atij vendi me qëllim tërheqjen e  investimeve në Shqipëri.

U premtoi investitorëve italianë, ‘Shqipërinë 1 euro’, e madje u mburr për mungesën e sindikatave.

Por tashmë në vitin e shtatë të mandatit të tij në krye të qeverisë, investimet italiane në vendin tonë jo vetëm nuk janë shtuar, por përkundrazi kanë shënuar regres në krahasim me përpara vitit 2013, kur Rilindja erdhi në pushtet.

‘Po të më pyesin se çfarë është Shqipëria për një sipërmarrës italian, është ajo që ju shikoni në ëndrrat tuaja dhe atë që s’mund ta keni në Itali; domethënë një vend me taksa minimale, kosto të punës të arsyeshme, forcë pune të re dhe të kualifikuar; dhe distanca midis Italisë dhe Shqipërisë është më e vogël sesa veriu me jugun e Italisë. Në Shqipëri mund të hapësh një ndërmarrje brenda 8 orëve, duke paguar 1 euro’. Deklaronte Rama gjatë një vizite në Italinë jugore gjatë muajit qershor të vitit 2015.

Fakt është që menjëherë pas kësaj shumë italianë realizuan ëndrrat e tyre për të bërë ‘biznes’ me Shqipërinë, por ata ishin trafikantët dhe mafiozët të cilët veçanërisht gjatë viteve 2015-2016 importuan nga vendi ynë, qindra tonë kanabis.

Edhe ditën e djeshme gjatë konferencës për shtyp të dy kryeministrave Rama e Conte u fol për investimet e munguara italiane në vendin tonë. Kur gazetarët e pyetën kryeministrin e Italisë pikërisht për ritmin  e investimeve që vijnë nga vendi i ti i cili sa vjen e ulet, ai tha një të vërtetë të madhe që nga pakkush u kap, përveçse Edi Ramës, i cili u nxi në fytyrë.

‘Ka dëshirë nga investitorët italianë për të investuar më tepër, por kërkohen disa garanci në luftën ndaj trafiqeve të paligjshme. Kjo do ta bënte klimën edhe më tërheqëse, si dhe do të lehtësojë në hartimin e strategjive të investimeve’, i tha Ramës të vërtetën sy për sy, kryeministri Conte.